MIRJANA MALESKA: UNIVERSITETET JANË NJË BOTË TJETËR – TË SHKËPUTURA NGA REALITETI I TREGUT TË PUNËS
Intervistë: Mirjana Maleska, profesoreshë universitare
Në një moment kur nga Maqedonia e Veriut pritet të hapë kapitujt kyç të negociatave me Bashkimin Evropian, ndër to edhe Klastrin 3 për arsim dhe inovacion, profesoresha Mirjana Maleska paralajmëron se reformat në arsim duhet të fillojnë nga baza – nga mënyra se si i edukojmë dhe përgatisim më të rinjtë. Në një intervistë për Institutin BIRC, ajo kritikon ashpër ngarkesën e tepruar të programeve mësimore, tekstet e vjetruara universitare dhe rezistencën ndaj ndryshimeve, të cilat, siç thotë ajo, e mbajnë sistemin arsimor të ngujuar në të kaluarën.
“Kemi kompleks të një kombi të vogël, dhe kjo do të thotë se ndërtojmë ‘fshatra të Potemkinit’ në arsim”, thekson Maleska, duke bërë thirrje për një transformim të sinqertë dhe të thellë në të gjitha nivelet e sistemit arsimor.
Reformat do të kenë sukses vetëm kur të ndalojmë së shtiruri se po i zbatojmë
Klastri 3 i negociatave me BE-në ka të bëjë me reformat në arsim. Sa afër jemi standardeve evropiane dhe çfarë duhet të ndryshohet?
Mirjana Maleska: Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë intervistë, sepse ndiej nevojën të them diçka si profesore me shumë vite përvojë. Nuk e kam parë konkretisht çfarë përmban Klastri 3, por jam dëshmitare e mënyrës se si funksionon arsimi në praktikë. Do të filloj nga baza. Kam një nip në klasën e gjashtë dhe e ndihmoj në mësime. Jam thellësisht e zhgënjyer nga mënyra se si, si shoqëri dhe institucione arsimore, e kemi kuptuar rëndësinë e arsimit fillor mbi të cilin më pas ndërtohet arsimi i lartë.
Në përmbledhje: kemi kompleks të një kombi të vogël, që konkretisht do të thotë se jemi megalomanë që ndërtojmë “fshatra të Potemkinit”. Programet dhe tekstet për nxënësit në arsimin fillor janë tepër ambicioze, përtej mundësive të një fëmije mesatar. Çanta që një fëmijë dhjetëvjeçar e mban në shpinë (vetëm fëmijët më të vegjël përdorin çanta me rrota) peshon gjashtë deri në shtatë kilogramë. Kjo është një krim ndaj fëmijëve dhe shtyllës së tyre kurrizore. Ku janë këtu të gjitha deklaratat për të drejtat e fëmijës dhe shëndetin e tij? Çdo ditë shtohen mësime të reja dhe mbetet shumë pak kohë për përsëritje e përvetësim të materialit. Tekstet janë gjithashtu shumë të mëdha, të shkruara në mënyrë të papërshtatshme për moshën, me shumë tekst dhe shkronja të vogla.
Me siguri edhe mësuesit e kanë vërejtur këtë, ndaj shpesh kapërcejnë mësime ose i diktojnë shkurt. Disa libra i kemi kthyer pothuajse të rinj dhe të paçelur. Kjo nuk është arsim i mirë. Kjo është, siç e thashë, megalomani e një kombi të vogël. Një numër i vogël fëmijësh mund ta ndjekin programin në hap, dhe është në rregull që për ta të ketë programe të avancuara. Por shumica nuk janë të tillë. Midis tyre ka fëmijë me vështirësi në të nxënë, autizëm, disleksi, diskalkuli, sindrom të mungesës së përqendrimit etj. Të gjithë në fund kalojnë, ndoshta marrin edhe nota të mira, por jo arsim të mirëfilltë. Pothuajse të gjithë fëmijët ndjekin kurse shtesë në matematikë ose gjuhë, gjë që është barrë për buxhetet familjare. Mendon vallë dikush për këtë?
Në fakultete, flas për fushën që e njoh më mirë, juridikun, administratën dhe shkencat shoqërore -arsimi është gjithashtu i pakënaqshëm. Studentët në disa fakultete, për shembull, mësojnë nga libra shumë të vjetruar në çdo aspekt. Autorët janë ish-profesorë që nuk kanë krijuar emër në fushën e tyre. Literatura që u rekomandohet studentëve është vetëm formalisht e harmonizuar me standardet evropiane. Janë modernizuar titujt e lëndëve dhe kurrikulat, por rrallë kush u përmbahet atyre. Në thelb, sot mësohet si 20, 30 apo 50 vjet më parë. Edhe pse sot ekziston inteligjenca artificiale, në provim ende shkohet bazuar në këto libra dhe ligjërata.
Në universitetin ku kam ligjëruar, të paktën në kohën kur isha aktive, u mor një vendim për të stimuluar botimin e teksteve nga profesorët që i ligjërojnë vetë lëndët. U krijua një inflacion librash, të shkruara për një kohë të shkurtër pa recension serioz. Dobësia e arsimit shihet më së miri në provime. Nuk e di nëse dikush i ka parë testet e studentëve. Shumica përgjigjen në mënyrë sipërfaqësore, duke zgjedhur ndërmjet “a”, “b” dhe “c”, ndërsa përgjigjet e shkruara janë në nivel të ulët të shkrim-leximit. Kontrolli i procesit arsimor, që është futur në universitete, e ka përmirësuar gjendjen disi, por jo mjaftueshëm.
Kemi megalomani të një kombi të vogël në arsim

A zbatohet në mënyrë efektive Procesi i Bolonjës dhe a siguron ai mobilitet për studentët?
Mirjana Maleska: Procesi i Bolonjës, veçanërisht në fakultetet e shkencave shoqërore, ka sjellë një inflacion të magjistrave pa kritere serioze për përgatitjen e tezës së magjistraturës, sepse për shkak të numrit të madh të studentëve gjithçka u reduktua në formë. Një pjesë e mirë e tyre vazhduan në studime doktorale, të cilat në një moment nënkuptonin vetëm përgatitjen e një disertacioni pa provime dhe pa publikime shkencore. Kështu morëm një brez të kuadrove të dobët, që më pas, në mënyra të ndryshme, hynë në universitete. Ata janë sot edukatorët.
Në ndërkohë, u vendosën kritere më të rrepta për studimet doktorale – me provime, mbrojtje publike, punime të botuara – dhe gjendja u përmirësua. Sa i përket mobilitetit, nuk e di saktësisht, por mund të kontrollohet me të dhëna konkrete. Megjithatë, nuk do të thoja se është i lartë.
Ministria ka formuar një Trup Kombëtar Koordinues për reformat në arsimin e lartë dhe shkencë. A besoni se reformat e shumëpremtuara do të realizohen?
Mirjana Maleska: Ideja është e mirë, por gjithçka varet nga ata që do të jenë pjesë e atij trupi koordinues. Duhet të jenë profesorë të përvojshëm e të afirmuar nga fusha të ndryshme, që do të punojnë me seriozitet. Pyes veten: çfarë do të ndodhë me raportet e tyre?
Do të tregoj një përvojë. Nga një universitet amerikan erdhën profesorë me përvojë për të na ndihmuar ne, profesorët e administratës publike, të modernizonim kurrikulat. Na çuan në Strugë, në një hotel të bukur, për tre ditë. Filluan debatet kolektive për të përcaktuar cilat lëndë bazë duhet të mësoheshin në vitin e parë. Pothuajse çdo profesor mendonte se lënda e tij ishte thelbësore dhe duhej të mbetej në program. U krijua tension dhe debati kaloi në grindje. Amerikanët përpiqeshin të gjenin një zgjidhje të mesme. E njëjta gjë u përsërit edhe për vitet e tjera të studimit. Asnjë profesor nuk pranonte që lënda e tij të hiqej nga programi, që të mos mbetej pa orë. Në fund u përgatit një program kompromisi që duhej të zbatohej – por nuk u zbatua asnjë nga vitet pasuese.
Përfundova se interesat personale janë aq të forta, sa çdo reformë përballet me rezistencë të pabesueshme.
Si mund të rritet vetëdija e publikut dhe e komunitetit akademik për rëndësinë e Procesit të Bolonjës?
Mirjana Maleska: Mendoj se duhet ngritur vetëdija për rëndësinë e një arsimi të mirë, që përfshin të gjitha nivelet. Po ndaj edhe një përvojë tjetër. Ne, profesorët universitarë, shpesh ishim në rolin e mësuesve, sepse pavarësisht seleksionimit formal, në universitete regjistroheshin studentë me nivel shumë të ulët arsimimi dhe shkrim-leximi. Nuk është e lejueshme që në universitet të mësohet alfabeti. Secili ka vendin dhe përgjegjësinë e vet në proces.
Arsimi ynë është i bllokuar në të kaluarën
A e ndjek sistemi arsimor kërkesën reale të tregut të punës, duke marrë parasysh hendekun midis të papunëve dhe vendeve të lira të punës?
Mirjana Maleska: Mendoj se jo. Duhet parë çfarë kërkohet në tregun tonë të punës. Aktualisht kërkohet më së shumti arsim i mesëm profesional dhe, mbi të gjitha, përvojë pune.
Vajza ime, me arsim të lartë, magjistraturë dhe edhe një fakultet për gjuhë të huaja, mezi gjeti punë prove në një spital privat. Arsimi universitar, përveç në disa fusha specifike si mjekësia ose inxhinieria, nuk vlerësohet shumë. Studentët e diplomuar punojnë online për kompani të huaja, kryesisht në punë teknike, administrative ose shitje. Shumë prej tyre janë të paguar pak dhe kontratat mund t’u ndërpriten në çdo moment.
Zakonisht nuk kanë sigurim shëndetësor apo social, ose për ta pasur, hapin kompani si individë, gjë që nuk u leverdis. Kërkohet kryesisht njohje shumë e mirë e gjuhëve të huaja dhe e programeve kompjuterike, diçka që është shumë pak e pranishme në universitetet tona. Ato janë, thjesht, një botë tjetër në raport me nevojat reale të tregut të punës.
Maqedonia e Veriut ndan më pak se 1% të PBB-së për shkencë dhe inovacion. Si ndikon kjo në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik?
Mirjana Maleska: Ka shumë pak projekte kërkimore, ndërsa disa janë ndërprerë krejtësisht. Kjo është fatale për institucionet e larta arsimore me karakter praktik dhe për studentët e tyre. Në fund marrim shumë diploma në letër, por pak dije të vërtetë.
A është sistemi arsimor i përgatitur për transformim digjital dhe për integrimin e teknologjive të reja në mësimdhënie?
Mirjana Maleska: Nuk e di nëse sistemi arsimor është i përgatitur, por mendoj se për t’u përgatitur, mësuesit duhet të kalojnë në më shumë trajnime dhe të sigurohen mjetet teknike për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Nxënësit sot përdorin vetë teknologjinë për të mësuar më shumë, por njerëzit që punojnë në arsim duhet t’i udhëheqin dhe t’u ndihmojnë të dallojnë përmbajtjet e vlefshme. Kopjo-ngjit nga inteligjenca artificiale nuk është mënyrë për të fituar dije, por vetëm për të plotësuar formalitetin. Edhe vetë mësuesit duhet të jenë mirë të përgatitur që ta shfrytëzojnë teknologjinë moderne në mënyrë kreative. Pyetni sa trajnime janë mbajtur për këtë temë – dhe do ta merrni përgjigjen.
Kompleksi i kombit të vogël na mban larg arsimit evropian
Si mund të parandalohet largimi i trurit, duke pasur parasysh se shumë të rinj pas studimeve largohen nga vendi?
Mirjana Maleska: Duhet të krijohen mundësi pune për kuadrin e kualifikuar në vend, dhe për këtë nevojitet zhvillim. Sigurisht, vendi ynë përparon, por pyetja është nëse përparon mjaftueshëm shpejt. Dukshëm jo.
Pagat e ulëta, mosrespektimi i rregullave, punësimet partiake dhe korrupsioni i detyrojnë të rinjtë të kërkojnë fatin diku tjetër. Derisa këto probleme të mos zgjidhen në mënyrë sistemike, është e vështirë të pritet që të rinjtë të qëndrojnë, edhe kur kanë dëshirë.
Në kuadër të iniciativave rajonale si Procesi i Berlinit, cilat janë mundësitë për më shumë mobilitet të studentëve dhe studiuesve nga Maqedonia e Veriut dhe anasjelltas?
Mirjana Maleska: Po të ishim anëtare e BE-së, ky proces mobiliteti do të zhvillohej shumë më mirë. Tarifat e regjistrimit në universitetet e vendeve anëtare të BE-së, për shembull, janë më të ulëta se ato në institucionet private në vendin tonë.
Projektet evropiane, në të cilat edhe vetë kam aplikuar, kanë procedura të ndërlikuara me shumë kërkesa dhe një rezultat të pasigurt. Madje thuhet se është e nevojshme të kesh dikë që të lobojë në Bruksel për të fituar projekt.
Si vend, duhet të bëhemi anëtare e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, për të përfituar më lehtë dhe më shpejt nga mundësitë që Unioni ofron për zhvillimin dhe përmirësimin e arsimit dhe shoqërisë në tërësi. Izolimi nuk të çon askund. Nuk është e vërtetë – siç thuhet shpesh – se duhet të reformohemi vetëm për veten tonë dhe jo për Evropën. Pa integrim në BE, kjo mbetet vetëm një justifikim i mirë për të mos bërë asgjë.
Rruga drejt Evropës kalon nëpër klasat shkollore

Universitetet shpesh renditen ulët në listat ndërkombëtare. Cilat reforma do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë?
Mirjana Maleska: Universitetet duhet ta dinë saktësisht sipas cilëve kritere bëhet renditja dhe të vendosin si objektiv arritjen e tyre. Disa prej atyre kritereve – si fondet për shkencë dhe kërkim – varen nga shteti, por të tjerat duhet të arrihen përmes përpjekjeve të vetë universiteteve.
Do të thoja se nevojitet një bashkëpunim i sinkronizuar dhe i koordinuar mes shtetit dhe universiteteve për ta përmirësuar arsimin dhe, si pasojë, edhe renditjen ndërkombëtare.
Si mund të sigurohet një financim i drejtë dhe transparent i kërkimeve shkencore dhe projekteve në arsimin e lartë, veçanërisht duke pasur parasysh politizimin e shpeshtë të institucioneve?
Mirjana Maleska: Për fat të keq, nuk kam përgjigje për këtë pyetje. Ne jemi një shoqëri thellësisht e ndarë në linja partiake dhe etnike, dhe vetëm ndryshimet e shpeshta të pushtetit dhe “tronditja” e institucioneve nga vetëvullneti e pandëshkueshmëria – ku dikush do të mbahet realisht përgjegjës për veprimet e veta – mund të na bëjnë me kohë më të arsyeshëm.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
