NARRATIVA RINORE SI ÇELËSI PËR EUROPIANIZIMIN E BALLKANIT

Procesi i europianizimit të Ballkanit Perëndimor shpesh analizohet në prizmin e vendimeve politike, reformave institucionale dhe përpjekjeve diplomatike.
Por gjithnjë e më shumë, të rinjtë po bëhen shtytës thelbësorë të një transformimi të heshtur, por të thellë – një transformim që ndodh në media, në shoqërinë civile, në ndërveprimet e përditshme mes njerëzve nga komunitete dhe vende të ndryshme.

Shkruan: Danica Sretkovska

Nga përvoja ime si aktiviste rinore dhe pjesëmarrëse në iniciativa rajonale, jam e bindur se të rinjtë tashmë po krijojnë një narrativë të re evropiane – jo në mënyrë deklarative, por përmes veprimit konkret, mësimit të përbashkët dhe dialogëve të sinqertë.
Këto procese përbëjnë një formë autentike të integrimit, të bazuar në vlera dhe jo vetëm në procedura.

Megjithatë, qasja në mundësitë evropiane nuk është e barabartë për të gjithë. Për shumë të rinj që jetojnë në zona rurale ose në mjedise me pak informacion, programet dhe fondet e BE-së duken ende të paarritshme – jo për shkak të mungesës së interesit, por për shkak të mungesës së qasjes dhe përkrahjes.
Përfshirja kërkon strategji aktive – jo vetëm praninë e broshurave dhe formularëve. Nëse duam përfshirje të vërtetë, duhet të zhduket perceptimi se BE-ja është një “ide e largët” dhe ajo duhet të bëhet e dukshme dhe e prekshme – pikërisht aty ku më parë ka munguar.

Një nga sfidat më të mëdha është dezinformimi. Ai nuk përhapet vetëm përmes rrjeteve sociale, por edhe përmes mungesës së edukimit të strukturuar dhe kritik mbi BE-në dhe vlerat e saj.
Edukimi joformal – ai që të rinjtë e marrin përmes familjes, internetit dhe komunikimit të përditshëm – mund të jetë po aq ndikues sa edhe ai formal, në mos më shumë. Prandaj është thelbësore të mbështeten format joformale të të mësuarit: shkëmbimet rinore, trajnimet, takimet rajonale. Ato jo vetëm që informojnë, por edhe ndërtojnë besim.

Në këtë kontekst, duhet përmendur edhe fenomeni i ashtuquajtur “lodhje nga zgjerimi”. Tek të rinjtë, kjo shpesh nuk shfaqet si rezistencë e hapur, por si një lloj dorëzimi i heshtur. Një ndjesi se, pavarësisht të gjitha bisedave për të ardhmen, e tashmja mbetet e ngrirë. Por kjo apati nuk do të thotë mosbesim i plotë – ajo mund të kapërcehet përmes përfshirjes së sinqertë, jo vetëm simbolike, të të rinjve në procesin e integrimit.

Të rinjtë e Ballkanit nuk janë thjesht “qytetarët e ardhshëm të BE-së”. Ata janë aktorë të tashëm në krijimin e asaj vizioni. Që kjo vizion të realizohet, nevojitet mbështetje e vërtetë, bashkëpunim dhe njohje e kapacitetit rinor – jo si nevojë estetike, por si domosdoshmëri politike.

Ky tekst është realizuar në kuadër të projektit “Përfshirja Rinore për Evropianizimin e Ballkanit”, i zbatuar nga Instituti BIRC nga Maqedonia e Veriut, OJQ GLAS nga Mali i Zi dhe CFID nga Kosova, me mbështetje nga Fondi për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian.

Ky publikim është prodhuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e përfituesit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top