PËRMBLEDHJA JAVORE: QEVERIA MIRATOI TEKSTIN PËRFUNDIMTAR TË LIGJIT PËR ARSIMIN E LARTË, DEBATI INTENSIFIKOHET PARA PROCEDURËS PARLAMENTARE
Qeveria e ka miratuar versionin përfundimtar të Ligjit për Arsimin e Lartë, ndërkohë pritet që ligji të kalojë për shqyrtim në parlament. Brenda kohës ligji ka hapur një debat të gjerë institucional, politik dhe akademik mbi drejtimin e reformës në arsimin e lartë. Në deklarimet zyrtare, përfaqësuesit e Qeverisë e paraqesin ligjin si një hap të domosdoshëm drejt modernizimit të sistemit universitar, rritjes së cilësisë akademike dhe stabilizimit të institucioneve të arsimit të lartë. Zëvendëskryeministri Bekim Sali ka theksuar se përfundimisht është arritur sukses që të kemi një ligj të mirëpërcaktuar që do t’u përgjigjet të gjitha nevojave të arsimit të lartë në periudhën e ardhshme. Ai ka bërë të ditur se në ligj janë përfshirë propozime nga universitetet, ndërkohë që ka nënvzuar se “asnjë i punësuar në universitetet tona nuk do të pushohet nga puna”.
Një nga elementet më të theksuara nga qeveria është ndryshimi i qasjes ndaj vlerësimit akademik, veçanërisht heqja e H-indeksit si kriter bazë për avancim. Sipas ministres Vesna Janevska, H-indeksi nuk do të jetë element bazë si kriter për përzgjedhje, por do të përfshihet si element shtesë, ndërsa në rast të barazisë së pikëve, ai mund të ketë rol vendimtar. Kjo qasje paraqitet si kompromis mes kërkesave për standardizim ndërkombëtar dhe nevojës për fleksibilitet në vlerësimin akademik.
Në rrafshin politik, procesi është shoqëruar me deklarata për konsensus të brendshëm qeveritar dhe koordinim me partnerët e koalicionit. Përfaqësues të VLEN-it kanë deklaruar se është arritur konsensus i plotë për versionin përfundimtar të reformave në arsimin e lartë, duke e paraqitur ligjin jo vetëm si ndryshim teknik, por si angazhim konkret për ndërtimin e një të ardhmeje akademike të qëndrueshme dhe konkurruese. VLEN ka vënë në dukje gjithashtu dimensionin investues, duke përmendur projektet infrastrukturore dhe forcimin e universiteteve në gjuhën shqipe si pjesë e reformës.
Megjithatë, kjo narrativë institucionale është përballur me kritika të forta nga opozita dhe komuniteti akademik. Deputetë të opozitës shqiptare kanë deklaruar se vërejtjet nuk janë adresuar plotësisht dhe se po krijohet një eufori e panevojshme, ndërsa sipas tyre, heqja e H-indeksit përdoret si element dytësor për të shmangur problemet thelbësore të ligjit. Në këtë linjë, theksohet se çështjet më serioze lidhen me autonominë financiare dhe centralizimin e vendimmarrjes.
Një dimension i rëndësishëm i debatit vjen nga komuniteti akademik dhe Sindikata e Pavarur Akademik. Sindikata ka bërë të ditur se në takimet me Ministrinë e Arsimit nuk është pranuar pjesa më e madhe e propozimeve të tyre për përmirësim të tekstit të ligjeve, duke vënë në dukje se vërejtjet e tyre lidhen me respektimin e parimit të autonomisë universitare, shpërndarjen e kompetencave mes trupave të pavarur dhe pushtetit ekzekutiv, si dhe financimin e veprimtarisë shkencore. Sindikata e Pavarur Akademike ka theksuar se mbetet e përkushtuar ndaj dialogut, por shpreh pakënaqësi për nivelin e përfshirjes së saj në proces.
Kritikat ka pasur edhe nga organizatat studentore dhe Forumi Rinor Arsimоr , të cilat e shohin ligjin si problematik në disa nivele. Sipas Forumit Rinor Arsimor, studentët mbeten të margjinalizuar, pasi në trupin studentor universitar parashihet vetëm një përfaqësues nga 11 anëtarë, që sipas tyre përbën vetëm 9% të ndikimit në vendimmarrje. FRA ka theksuar se studentët si bartës të proceseve meritojnë ndikim më të madh në organet e universiteteve, veçanërisht në vendimet që lidhen me programet dhe buxhetet universitare.
Në aspektin përmbajtësor, FRA ka ngritur një sërë kritikash të zgjeruara. Ata kanë vënë në dukje se koncepti i “interdisiplinaritetit” përmendet në disa nene të ligjit, por nuk është i orientuar si stimul për zhvillimin e programeve ndërdisiplinore. Sipas tyre, në një sistem ku cilësia e arsimit të lartë është e pamjaftueshme, duhet të krijohen mekanizma konkretë që nxisin programe të tilla dhe lehtësojnë avancimin akademik përmes edukimit pasuniversitar.
Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me aksesin dhe barazinë në arsim. FRA ka theksuar se ligji nuk garanton të drejtën e aksesit për personat me aftësi të kufizuara dhe se mungojnë mekanizmat për implementimin e mbështetjes së nevojshme. Sipas tyre, nëse kjo lihet në vullnetin e brendshëm të universiteteve, hapen mundësi për diskriminim. Po ashtu, është kritikuar edhe mungesa e qartësisë në lidhje me mbështetjen për shëndetin fizik dhe mendor të studentëve, pasi nuk përcaktohen mekanizmat e zbatimit dhe përgjegjësitë institucionale.
Forumi Rinor Arsimor e njeh nevojën për një ligj të ri, e konsideron reale dhe e mbështet drejtimin drejt një arsimi të lartë më të mirë dhe më cilësor. Megjithatë, sipas tyre, është e nevojshme që teksti i propozuar të rishikohet tërësisht, të integrohen rekomandimet e publikut dhe të vendosen mekanizma që garantojnë një arsim të lartë gjithëpërfshirës, transparent dhe të qëndrueshëm.
Ndërkohë, gjithashtu edhe Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) ka reaguar ndaj propozim-ligjit të ri për arsimin e lartë, i cili sipas tyre, në vend që të mbrojë cilësinë e arsimit të lartë, është një instrument për kontroll politik.
Ata kanë shprehur shqetësim se ligji nuk i përmbush standardet e përcaktuara nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Sipas FNA-së, problematike është që përbërja e Këshillit për Cilësi dhe Bordit Drejtues, dy organe kyçe që vendosin se cilat programe studimore do të akreditohen, tani do të kenë 7 anëtarë të emëruar nga Qeveria.
“Shtatë nga 15 anëtarët e Këshillit për Cilësi, organi që vendos se cilat programe dhe institucione akreditohen, emërohen drejtpërdrejt nga Qeveria. Kjo është në kundërshtim me standardet e ENQA-së. Qeveria nuk duhet të ketë fjalën e fundit për akreditimin. Cilësia akademike nuk mund të varet nga ajo se cila parti politike e drejton pushtetin ekzekutiv”, thuhet në reagimin e FNA-së.
Nga FNA ka theksuar gjithashtu se ligji ka përjashtuar ekspertët ndërkombëtarë dhe i ka kufizuar ata vetëm në pjesëmarrje në komisione pa kompetenca reale.
Po ashtu, FNA ka vlerësuar se megjithëse Këshilli për Cilësi merr vendimin për akreditim, ligji i jep kompetencë përfundimtare Ministrit të Arsimit mbi funksionimin e institucioneve.
Nuk kanë munguar me qëndrimet e tyre në debat edhe profesorët universitar dhe ekspertë të fushës së arsimit të lartë.
Profesori universitar, Sahmedin Saliu, në një intervistë për media ka thënë se Këshilli i universitetit ka ekzistuar tek ligji paraprak apo aktual dhe ky Këshill tani do të funksionoj si organ mbikëqyrës.
“Në krahasim me versionin e parë dhe të dytë, vërejtjet ishin rreth asaj se qeveria delegon 4 kandidatë, tani ka 3. Të deleguar do të ketë edhe senati, një nga Odat ekonomike ku tani do të jetë OEMVP dhe kryefjala tani është se do ketë edhe një përfaqësues nga Unioni apo Parlamenti studentor. Pra, zëri kryesor apo rol vendimtar funksional në disa momente mund të ketë edhe studenti”, ka thënë Saliu.
Lidhur me H- indeksin, ai ka theksuar se nuk është parametër në bazë të ligjit, siç parashihet te ne si kërkesë minimale, pra mund të jetë si kërkesë orientuese.
“Unë jam kundër H- indeksit sepse mund të jetë një vlerë biometrike, bën orientimin e suksesit të një shkencëtari, jo kërkesë kryesore për të marrë thirrjen shkencore. H -indeksi është një nga pikat ku besoj se komuniteti akademik ka drejtuar mjaft kërkesa dhe shumica prej tyre nuk janë dakord që të jetë një nga kërkesat minimale dhe jam i mendimit se edhe më tej vërejtjet e tilla besoj do gjejnë gjuhën e përbashkët”, ka thënë Saliu.
Në një dimension më analitik, profesori universitar Azis Pollozhani e ka vendosur ligjin në një kornizë më të gjerë politike dhe shoqërore, duke e parë si pjesë të një procesi të lidhur me premtimet parazgjedhore dhe rikonfigurimin e marrëdhënieve midis shtetit dhe institucioneve. Sipas tij, reformat në arsim dhe shëndetësi janë fusha kyçe për shoqërinë. Ai ka theksuar në një shkrim autorial se zgjidhjet e nxituara që cenojnë të drejtat e studentëve dhe perspektivën e tyre profesionale rrezikojnë besimin në institucione dhe të ardhmen e vendit. Pollozhani ka theksuar nevojën për dialog, balancë dhe respekt të ndërsjellë, duke e parë rininë si partner në ndërtimin e reformave dhe jo si palë periferike.
Debati mbi Ligjin për Arsimin e Lartë është intensifikuar në kohën kur pritet që ligji të kalojë përpara deputetëve në parlemante.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
