RAMANDA SHEHU, AMBASADORE E RE: INTEGRIMI EVROPIAN DUHET TË BËHET REALITET I PREKSHËM PËR TË RINJTË
Intervistoi: Enis Shaqiri
BIRC Institute
Ramanda Shehu është një profesioniste e motivuar me interes të veçantë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe komunikimin në rrjete sociale. Ajo është ambasadore e re Europiane e Maqedonisë së Veirut. Aktualisht, ajo ndjek studimet master në Komunikim Ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Studime Evropiane në Universitetin e Lubjanës.
Në këtë intervistë për Institutin BIRC, ajo diskuton rolin e të rinjve në procesin e integrimit evropian, sfidat e përfshirjes së tyre dhe mënyrat për të luftuar dezinformatën.
BIRC: A kanë të rinjtë informacion të mjaftueshëm mbi procesin e integrimit evropian?
Ramanda Shehu: Shumë të rinj kanë një ide të përgjithshme, por jo gjithmonë informacion të thelluar. Ata e dinë që BE ofron mundësi, por nuk e dinë si funksionon procesi i integrimit apo çfarë do të thotë konkretisht për jetën e tyre. Prandaj është e rëndësishme që informacioni të përcillet me gjuhë të thjeshtë, në shkolla, universitete dhe rrjete sociale ku të rinjtë janë aktivë.
BIRC: Cilat janë pengesat kryesore që i ndalojnë të rinjtë të përfshihen në proceset e evropianizimit dhe demokratizimit?
Ramanda Shehu: Një nga pengesat kryesore është mungesa e mundësive të barabarta për pjesëmarrje. Jo të gjithë kanë qasje te programet si Erasmus+ për shkak të barrierave ekonomike apo gjeografike. Një tjetër pengesë është dezinformata dhe narrativa euroskeptike, që shpesh krijon mosbesim. Për më tepër, mungesa e kulturës së gjerë demokratike dhe e pjesëmarrjes aktive e bën më të vështirë përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje.
BIRC: Si mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërrajonal mes të rinjve në kontekstin e integrimit evropian?
Ramanda Shehu: Bashkëpunimi ndërrajonal përmirësohet shumë kur kemi mundësi të takohemi realisht, jo vetëm online. Për shembull, programe si Erasmus+ të japin rastin të jetosh për pak kohë në një vend tjetër dhe të kuptosh ngjashmëritë mes nesh. Edhe në rrjete si WeBalkans, ku unë jam pjesë, kam parë sa frymëzues është kur të rinjtë nga vende të ndryshme të Ballkanit bashkohen për projekte të përbashkëta. Këto përvoja e bëjnë integrimin evropian diçka të prekshme në jetën e përditshme.
BIRC: A janë programet aktuale të BE-së për të rinjtë (si Erasmus+) të mjaftueshme për të promovuar evropianizimin në Ballkan?
Ramanda Shehu: Kur mora pjesë në Erasmus+, e kuptova sa shumë të ndryshon një përvojë e tillë. Nuk ishte vetëm çështje studimi, por ndihesha sikur isha pjesë e një familjeje më të madhe evropiane. Bëra miq nga vende që ndoshta nuk do t’i kisha takuar ndryshe dhe kuptova që kemi shumë më tepër gjëra të përbashkëta sesa dallime. Por e di që jo të gjithë kanë mundësi të përfitojnë nga këto programe, ndonjëherë për arsye financiare ose për mungesë informacioni. Do të ishte mirë që këto mundësi të bëhen edhe më të aksesueshme, që sa më shumë të rinj nga Ballkani ta përjetojnë këtë afërsi me Evropën.
BIRC: Si mund të kundërpërgjigjemi në mënyrë efektive ndaj dezinformatave dhe propagandës anti-BE që ndikon te të rinjtë?
Ramanda Shehu: Mënyra më e mirë është transparenca dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me të rinjtë. Ata kanë nevojë për shembuj konkretë se si BE ka përmirësuar jetën e tyre — përmes mundësive të punësimit, investimeve në infrastrukturë, apo mbështetjes për të drejtat e njeriut. Si ambasadorë të rinj, ne duhet të jemi “zëri” që i kundërvihet dezinformatës me fakte, histori suksesi dhe përvoja personale nga programet e BE-së.
BIRC: A mendoni se ekziston euroskepticizëm te të rinjtë dhe çfarë e nxit atë?
Ramanda Shehu: Po, në disa raste ekziston. Shpesh buron nga dezinformata, papunësia, mungesa e perspektivës ose ndjenja se procesi i integrimit është shumë i ngadalshëm. Kjo tregon sa e rëndësishme është të përfshihemi dhe të tregojmë që BE nuk është thjesht një ide abstrakte, por një projekt konkret që lidhet me demokracinë, paqen dhe mundësitë për një jetë më të mirë.
Kjo intervistë u përgatit në kuadër të projektit “Përfshirja e të rinjve për europianizimin e Ballkanit”, i zbatuar nga BIRC Institute nga Maqedonia e Veriut, OJQ GLAS nga Mali i Zi dhe CFID nga Kosova, me mbështetje nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkë-financim nga Bashkimi Evropian.
Kjo intervistë u përgatit me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi ekskluzive e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.
