SFIDAT E QEVERISË SË RE NË RRUGËN DREJT BE-SË

Në kohën kur pritet që VMRO-DPMNE të formojë qeverinë e re, në programin e kësaj partie thuhet se qëllimi kryesor strategjik i ekzekutivit është anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian(BE). Një pjesë e analistëve politikë ndërkaq shprehen të dyshimtë se fokusi i Qeverisë së re do të jenë eurointegrimet. Analisti politik Blerim Hyseni, për Eurothink deklaroi se në bazë të fushatës zgjedhore e në veçanti pas saj, pas veprimit të presidentes Gordana Siljanovska Davkova e cila shmangu përdorimin e emrit kushtetues të vendit gjatë inaugurimit të saj, mbetet pak hapësire për optimizëm se do të ndiqet rruga e BE-së dhe se do të ndërmerren hapa konkret drejt saj. Gazetari Xhenur Iseni, në një prononcim për Eurothink, thotë se porositë e Athinës Zyrtare por edhe krerëve të BE-së janë kërcënime reale për vendin dhe rrugën tonë evropiane, prandaj duhet të trajtohen me kujdes. Ai thotë se, megjithatë, Bashkimi Evropian nuk është gati për zgjerim për momentin. Sipas tij, qeveria e ardhshme nuk do të lërë jashtë politikën e jashtme dhe integrimet e vendit, por do të kërkojë prova të forta përpara se të ndodhin ndryshimet kushtetuese, se vendi nuk do të jetë më i bllokuar në rrugën e integrimit.

Autor: Zenel Miftari

Në planprogramin e VMRO DPMNE-së e cila pritet ta udhëheqë qeverinë e re thuhet se qëllimi kryesor strategjik i ekzekutivit është anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian(BE). Në aspektin ekonomik, gjeografik, historik, kulturor dhe civilizues, siç shkruan në planprogramin e VMRO-DPMNE-së, Maqedonia i përket Evropës.

Qëllimi i pushtetit të ri mbetet BE-ja

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, në vend që të jenë pjesë e BE-së, bëhen shënjestër e ndikimeve të huaja, manifestimeve intensive etno-nacionaliste dhe procesi i zgjerimit të BE-së është ende në një ndalesë relative. Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të jetë partner i përgjegjshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, faktor i stabilitetit në rajon dhe më gjerë, si dhe aktor aktiv në zhvillimet globale dhe vendosjen e marrëdhënieve në skenën ndërkombëtare”, thuhet në planprogramin e VMRO-DPMNE-së. Gjithashtu në program theksohet se politika e jashtme duhet të bazohet në parimet e barazisë, besimit të ndërsjellë, solidaritetit, dialogut, respektit të ndërsjellë dhe reciprocitetit.

“Republika e Maqedonisë do të mbetet e përkushtuar ndaj kornizës evropiane dhe euroatlantike të sigurisë dhe harmonizimit të plotë të politikës së vendit me politikën e përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, në vazhdimësi do të kontribuojë në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave të udhëhequra nga NATO”, thuhet në planprogramin e VMRO-DPMNE-së.

Koalicioni VLEN e cila gjithashtu pritet të jetë pjesëmarrëse në qeverinë e re qëndron fort “pro” ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në mënyrë që të zhbllokohet rruga evropiane e vendit.

Në anën tjetër, në plan programin e ZNAM, thuhet se anëtarësimi duhet të bëhet në përputhje me kriteret e Kopenhagës. “Ne jemi për hyrjen në Bashkimin Evropian si maqedonas, të cilët flasin gjuhën maqedonase, dhe jo me kushte dhe shantazhe se jemi një komb i krijuar artificialisht”, qëndron në planprogramin e tyre.

Ish-zv/kryministri për integrime evropiane deklaroi për Eurothink se Qeveria e re do të duhet të tregojë një përkushtim thelbësor për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE, për dallim nga Qeveria e mëparshme që vetëm deklarativisht avokoi për integrim evropian, por në realitet e distancoi vendin nga BE-ja.

“Duhet një luftë reale kundër korrupsionit që do të japë rezultate konkrete, reforma të thella në drejtësi, modernizim i administratës, si dhe përmirësim i klimës së biznesit për investimet e huaja. Duhet të kemi parasysh edhe zhvillimet brenda vetë BE-së dhe shteteve anëtare të saj, pra, të shohim se ku do të jetë në agjendën e saj zgjerimi i BE-së pas zgjedhjeve evropiane në qershor të këtij viti”, deklaroi Naumovski.

Vështirësitë e përbërjes së re parlamentare

Një pjesë e analistëve politikë ndërkaq shprehen të dyshimtë se fokusi i Qeverisë së re do të jenë eurointegrimet. Analisti politik Blerim Hyseni, për Eurothink deklaroi se në bazë të fushatës zgjedhore e në veçanti pas saj, pas veprimit të presidentes Gordana Siljanovska Davkova e cila shmangu përdorimin e emrit kushtetues të vendit gjatë inaugurimit të saj, mbetet pak hapësire për optimizëm se do të ndiqet rruga e BE-së dhe se do të ndërmerren hapa konkret drejt saj.

“Do të hapen tema problematike edhe me fqinjët në veçanti me Greqinë dhe Bullgarinë me qëllim që “mos të kenë kohë” të merren me eurointegrimet”, deklaroi Hyseni. Ai shpreh shqetësimin edhe për mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike.

Dy javë pas betimit të presidentes, Greqia vazhdimisht bënë thirrje të respektohet marrëveshja e Prespës dhe emri i ri kushtetues i Maqedonisë së Veriut. Mesazhet u përforcuan edhe më shumë pas deklaratës të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se është e drejtë e tij njerëzore ta quajë vendin e tij si të dojë.

Kërcënimet nga Greqia janë rrezik potencial

Gazetari Xhenur Iseni, në një prononcim për Eurothink, thotë se porositë e Athinës Zyrtare por edhe krerëve të BE-së janë kërcënime reale për vendin dhe rrugën tonë evropiane, prandaj duhet të trajtohen me kujdes.

“Mund të themi se Greqia po, është e vërtetë që nuk ka zbatuar asgjë nga Marrëveshja e Prespës, por në fund të fundit BE-së nuk i intereson. Plus, problemi është se në BE kemi zgjedhje ku Greqia është anëtare dhe ne nuk jeni anëtare, kështu që është e vështirë që edhe para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, dikush të qëndrojë në anën tonë, sado që kemi të drejtë. Ne mund të kemi të drejtë gjithmonë por kjo është e kot. Ne jemi jashtë derës dhe për momentin as nuk jemi duke pritur”, deklaroi Iseni.

Ai shtoi se megjithatë, Bashkimi Evropian nuk është gati për zgjerim për momentin. Sipas tij, qeveria e ardhshme nuk do të lërë jashtë politikën e jashtme dhe integrimet e vendit, por do të kërkojë prova të forta përpara se të ndodhin ndryshimet kushtetuese, se vendi nuk do të jetë më i bllokuar në rrugën e integrimit.

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në vend, David Geer, në një deklarim për media tha se BE-ja dëshiron të shohë veprime reale nga qeveria e re e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt integrimit evropian. “Ne duhet të shohim se çfarë është bërë, cilat janë veprimet që do pasojnë pas formimit të Qeverisë dhe pastaj do ta bazojmë gjykimin në këto veprime. Patjetër do t’i mbështesim të gjithë ata që ndërmarrin hapa konkrete për t’u anëtarësuar në BE”, ka thënë Geer.

Partia më e madhe që fitoi zgjedhjet e 8 majit, VMRO-DPMNE, kërkon që ndryshimet kushtetuese të zbatohen pas përfundimit të bisedimeve, derisa nga ana tjetër, nga koalicioni shqiptar VLEN, thonë se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen në periudhën prej gjashtë deri nëntë muaj.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top