RRITET NUMRI I TË PREKURVE NGA VIRUSI HIV – MË PAK TESTIME NË RMV SE SA NË BE

Sipas raportit vjetor të Institutit për Shëndet Publik (ISHP) në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023, janë regjistruar 50 raste të reja me HIV/SIDA. Bëhet fjalë për një rritje prej 0,8% nga viti paraprak, me 42 raste të regjistruara. Që nga viti 2013 deri në vitin 2023 në Maqedoninë e Veriut ka rritje të rasteve për 22%. Diskriminimi ndaj personave HIV+ ndikon negativisht në përhapjen e informacionit të saktë për parandalim, testim dhe trajtim të duhur të personave të prekur.

Autore: Arta Sefadini

Diskriminimi i peresonave HIV pozitiv dhe stigma e vazhdueshme ndaj kësaj sëmundjeje vazhdojnë të jenë pengesë në zbulimin e hershëm të personave të prekur nga HIV. Diskriminimi ndaj personave HIV+ ndikon negativisht në përhapjen e informacionit të saktë për parandalim, testim dhe trajtim të duhur të personave të prekur.

Sipas raportit vjetor të Institutit për Shëndet Publik (ISHP) në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023, janë regjistruar 50 raste të reja me HIV/SIDA. Bëhet fjalë për një rritje prej 0,8% nga viti paraprak, me 42 raste të regjistruara. Që nga viti 2013 deri në vitin 2023 në vendin tonë kemi rritje të rasteve për 22%.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është vend me prevalencë të ulët të HIV-it. Nga viti 1987 deri në fund të vitit 2023 janë regjistruar 636 raste me HIV/SIDA, por në vitet e fundit vërehet një trend në rritje, kështu që 37% e të gjitha rasteve janë regjistruar në pesë vitet e fundit”, thuhet në hulumtimin e kryer nga Institutiti për Shëndet Publik.

Ndërkaq në rajonin e Europës rreth 3 milionë njerëz që jetonin me HIV në vitin 2022, 72% e dinin statusin e tyre, ndërsa 63% po merrnin trajtim. Rreth 1,9 milion njerëz po merrnin terapi antiretrovirale në vitin 2022. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në vitin 2022 u raportua një rritje e diagnozës së HIV-it në krahasim me vitin 2021.

RMV-ja ngec në testimin e hershëm për HIV

Çdo person që është seksualisht aktiv dhe dyshon për kontakt seksual të rrezikshëm, mund të kryejë testimin për virusin HIV në qendrat shëndetësore, organizatat joqeveritare si HERA dhe klinikat e specializuara për sëmundjet infektive .

“Për të inkurajuar individët që kanë pasur kontakt me rrezik potencial për t’u infektuar me HIV të testohen, është thelbësore të theksohet rëndësia e testimit të hershëm dhe përfitimet e tij. Informimi mbi rëndësinë e njohjes së statusit personal HIV dhe përfitimet e mjekimit të hershëm është një hap i domosdoshëm”, thonë nga HERA.

Të rinjtë, të painformuar për mënyrën e transmetimit të HIV-it

Maqedonia e Veriut stagnon në krijimin e politikave shëndetsore, edukimin formal dhe joformal për sa i përket sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Mosha mesatare e rasteve të reja të regjistruara në vend sipas raportit të ISHP-së është prej 20-39 vjet, që tregon që të rinjtë ende janë të painformuar përsa i përket infeksionit, mënyrës së transmetimit, metodave të parandalimit dhe informacioneve bazë rreth trajtimit.

“Një edukim i tillë duhet të shoqërohet gjithmonë me premisën se të gjithëve mund t’u ndodhë dhe se nuk është fundi i botës nëse merret një diagnozë HIV. Në fund, nevojitet një rol proaktiv nga autoritetet shëndetësore për të çmitizuar temën e HIV-it dhe shtypjen e stigmës, dhe jo të jenë ata katalizatori që përhap qëndrime të vjetëruara rreth HIV-it,” thonë nga asociacioni “Së bashku më të fortë”.

“Ofrimi i këshillimit konfidencial dhe sigurimi i mjediseve të sigurta për testim janë të rëndësishme për të ulur frikën dhe turpin që shpesh shoqëron testimin,” thotë Taulant Arifi nga HERA.

Në vendin tonë për infeksionin HIV flitet vetëm në 1 Dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të HIV-it dhe më pas këto persona ngelen nën hije. Organizimi i fushatave edukative përmes mediave, shkollave dhe organizatave joqeveritare ndihmon në përhapjen e informacioneve të sakta, uljen e paragjykimeve, dhe rritjen e ndërgjegjësimit tek popullata e gjerë.

Institucionet shëndetësore diskriminojnë pacientët me HIV

“Edhe pse ka pasur një ulje të stigmës së HIV tek të rinjtë, stigma është gjerësisht e pranishme, veçanërisht në mesin e punonjësve shëndetësorë, gjë që çon në diskriminim. Mbi 90% e rasteve të regjistruara të diskriminimit ndaj njerëzve që jetojnë me HIV ndodhin në objektet shëndetësore, nga refuzimi i shërbimeve shëndetësore deri në trajtimet e ndryshme për të cilat nuk ka bazë shkencore”, thotë Andrej Senih nga asociacioni “Së bashku më të fortë”.

Personat që janë të infektuar me HIV, ende ndihen të përjashtuar nga shoqëria për shkak të stigmës sociale. Ata çdo dit përballen me turp dhe frikë që statusi i tyre HIV+ mund të zbulohet përpara personave të tretë.

“Është e rëndësishme që profesionistët shëndetësorë të trajtojnë pacientët me ndjeshmëri dhe respekt, pa paragjykime. Krijimi i grupeve mbështetëse dhe ofrimi i këshillimit për personat e prekur do të ndihmojë individët të përballen me sfidat emocionale dhe sociale, duke krijuar një mjedis më të pranueshëm dhe mbështetës”, thonë nga HERA.

“Nëse përfundimisht ndalojmë diskriminimin dhe stigmatizimin e tyre në çdo nivel të jetës shoqërore, sigurisht që do të ndihmojmë që cilësia e jetës së tyre të përmirësohet. Nëse këto persona nuk do duhet të jetojnë me frikën  e ndërprerjes së mundshme të trajtimit të tyre, cilësia e jetës së tyre do të përmirësohet. Prandaj për të arritur këtë është e nevojshme të ketë politika të qëndrueshme shtetërore që garantojnë vazhdimësinë dhe përmirësimin e vazhdueshëm të terapisë së tyre”, thotë Milena Stefanoviq, infektologe.

Trajtimi i sukseshëm i infeksionit HIV parandalon sëmundjen SIDA

Mjekët theksojnë që “infektimi me virusin HIV nuk do të thotë që jeni të sëmurë me SIDA. Trajtimi i sukseshëm i infeksionit HIV parandalon sëmundjen SIDA. AIDS/SIDA është faza më e avancuar e infeksionit HIV, që mund të marrë edhe jetën e pacientit.

“Sot ka më shumë ilaçe, detyra e të cilave është të parandalojnë riprodhimin e HIV-it në organizëm dhe kështu parandalojnë shkatërrimin e imunitetit të personit”, thotë Milena Stefanoviq, infektologe.

Imuniteti i pacientëve ruhet dhe ata qëndrojnë të shëndetshëm duke jetuar normalisht si të gjithë njerëzit e tjerë. Barnat e përdorur për virusin HIV nuk kanë aftësinë për të zhdukur plotësisht virusin nga trupi i pacientit, për atë arsye, trajtimin duhet ta ndjekin për gjithë jetën. Falë trajtimit këto persona mund të kenë jetëgjatësi dhe cilësi të njëjtë të jetës si njerëzit e tjerë.

“Pacientët e trajtuar në mënyrë të përshtatshme me terapi antiretrovirale, në të cilën sasia e virusit në organizëm është në një nivel minimal, të ashtuquajtur “e padetektueshme” nuk mund ta transmetojnë infeksionin te një person tjetër, kështu që trajtimi jo vetëm parandalon përhapjen e sëmundjes, por vepron edhe në mënyrë parandaluese dhe në përhapjen e infeksionit. Për këtë arsye është shumë me rëndësi testimi i hershëm dhe fillimi i trajtimit sa më shpejtë të personave HIV pozitiv”, thotë Milena Stefanoviq, infektologe.

“Me futjen e terapisë antiretrovirale, mbijetesa e personave me HIV është përmirësuar ndjeshëm, në 10 vitet e fundit, nga 439 raste të regjistruara janë regjistruar 39 vdekje, që përfaqëson një shkallë vdekshmërie prej 8,9%,” thuhet në raportin e Institutit për Shëndet Publik.

Infeksioni HIV edhe pse ka shënuar një rritje tek mardhëniet homoseksuale, mund të transmetohet edhe në çiftet heteroseksuale.

Marrdhëniet seksuale në mes të meshkujve është mënyra më e zakonshme e transmetimit të HIV-it në BE/EEA, me 40% të të gjitha diagnozave të reja të HIV-it. Më shumë se 60% e diagnozave të reja të HIV-it në 11 vende, duke përfshirë Austrinë, Kroacinë, Çekinë, Gjermaninë, Hungarinë, Irlandën, Maltën, Holandën, Poloninë, Sllovakinë dhe Spanjën ishin si pasojë e marrdhënieve homoseksuale.

7 vende të Evropës me numër më të madh të të diagnostifikuarve me HIV

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, shtatë vende raportuan se 95% ose më shumë e homoseksualëve që jetojnë me HIV e dinë statusin e tyre HIV (Bullgaria, Kosova, Bjellorusia, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda). Përqindja e personave të padiagnostikuar që nuk e dijnë statusin HIV+ është më e ulët në rajonin lindor të Europës, ku vetëm 26% e homoseksualëve me HIV+ janë të diagnostikuar.

Mardhëniet heteroseksuale përbënin 29% të të gjitha diagnozave të HIV në BE/EEA, duke e bërë atë mënyrën e dytë më të raportuar të transmetimit.

Nga analiza e të dhënave të ISHP në RMV, janë regjistruar 20 persona me transmetim heteroseksual dhe 30 persona me transmetim homoseksual, sidomos në qytetin e Shkupit që tregon për një rritje epidemike tek një kategori e njerëzve.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top