UNT ME 55 VËREJTJE, MINISTRIA MBRON REFORMËN NË ARSIMIN E LARTË

Edhe gjatë kësaj jave ka vazhduar debati mbi Propozim-ligjin e ri për Arsimin e Lartë, por me një intensitet më të vogël. Në fokus të diskutimeve kanë qenë autonomia universitare, kriteret për avancim akademik, standardet e cilësisë dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme gjatë kësaj jave vjen nga Universiteti “Nënë Tereza”, i cili tashmë ka bërë të ditur se ka dorëzuar gjithsej 55 vërejtje dhe sugjerime për draftin e ligjit. Duke folur në  emisionin “Debat në Shenja”, rektori Bekim Fetaji ka theskuar se të gjithë rektorët pajtohen me nevojën për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë, por, sipas tij, ligji aktual kërkon korrigjime dhe përmirësime të shumta.

Sipas Fetajit, UNT kishte formuar një komision të posaçëm për analizimin e projektligjit dhe identifikimin e çështjeve problematike. Ai ka bërë të ditur se universiteti ka dërguar 55 sugjerime konkrete për tre ligjet që lidhen me arsimin e lartë dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore. Fetaji ka theksuar se ministrja e Arsimit është zotuar se shumica e sugjerimeve do të inkorporohen në versionin final të draftit, megjithëse universitetet ende nuk e kanë parë tekstin përfundimtar të ligjit. Sipas tij, edhe pas ndryshimeve të paralajmëruara, do të mbetet nevoja për ndërhyrje të tjera plotësuese.

Në të njëjtën kohë, Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë vazhduar të mbrojnë projektligjin si pjesë të reformave strategjike në sektorin universitar. Në mbledhjen e 18-të të Grupit sektorial të punës për arsim, punësim dhe politikë sociale, ministrja Vesna Janevska ka deklaruar se korniza e re ligjore synon të sigurojë standarde më të larta akademike, ndërkombëtarizim dhe rritje të dukshmërisë së universiteteve maqedonase në nivel ndërkombëtar.

Janevska ka theksuar se tre ligjet e reja, ligji për arsimin e lartë, për sigurimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe për veprimtarinë kërkimore-shkencore, janë përgatitur përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe së shpejti pritet të procedohen në Kuvend. Ministrja ka njoftuar gjithashtu se paralelisht me ndryshimet ligjore po rriten investimet në arsim dhe kërkim shkencor, ndërsa po zhvillohet edhe koncepti për krijimin e Parkut të parë shtetëror shkencor-teknologjik në vend.

Debati publik kryesisht është përqendruar veçanërisht në kriteret e reja për profesorët universitarë, publikimet shkencore në revista ndërkombëtare, sistemin e akreditimit dhe frikën e një pjese të komunitetit akademik se ligji mund të rrisë kontrollin institucional të shtetit mbi universitetet publike. Nga ana tjetër, Ministria ka theksuar gjatë tërë kohës se reforma është e domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e studimeve, për të ndalur largimin e studentëve jashtë vendit dhe për të rritur konkurrueshmërinë e universiteteve në rangimet ndërkombëtare.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top