ZEJNELI: NEVOJITET BASHKËPUNIM GJITHËPËRFSHIRËS PËR REFORMA REALE NË ARSIM

Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, thotë se janë shumë faktorë që ndikojnë në cilësinë e arsimit të lartë, ndërkohë që e thekson si të domosdoshme bashkëpunimin e të gjitha institucioneve që ndërlidhen me këtë sferë.

Zejneli thotë se ekziston një numër i madh i universiteteve që funksionojnë, dhe kjo rezulton me duplifikim të programeve të shumta studimore. Sipas tij, ndoshta kjo ndikon në uljen e kreativitetit në universitete, apo punës dhe veprimtarive të tyre.

Zejneli thekson se Universiteti i Tetovës e ka kuptuar Procesin e Bolonjës në aspektin real-praktik dhe në këtë drejtim tashmë janë realizuar një sërë bashkëpunimesh me institucionet e vendit dhe me universitetet jashtë vendit.

Procesin e reformave e sheh si një domosdoshmëri që do të mundësojë cilësi më të madhe në arsimin e lartë. “Fjala reformë është e lehtë për t’u thënë, por e rëndë për ta zbatuar, por natyrisht që është e mundur”, thotë ai.

Zejneli thotë se mbetet e nevojshme që kurrikulat të përshtaten me tregun e punës. “Natyrisht që përgatitja për tregun e punës duhet të jetë sa më reale dhe sa më profesionale”, thotë ai

 

Cilat janë defektet kryesore që pamundësojnë një sistem arsimor të lartë cilësor?

Jusuf Zejneli: Duke marrë për bazë në tërësi çështjen e organizimit, funksionimit të institucioneve të arsimit të lartë, mund të konstatojmë se kjo është një çështje, një temë mjaftë komplekse. Janë shumë faktorë të cilët ndikojnë në sferën e cilësisë së arsimit të lartë. Sikurse edhe institucionet e tjera të arsimit të lartë, edhe Universiteti i Tetovës synim kryesor e ka çështjen e cilësisë, me qëllim që të edukojmë, përgatisim profesionalisht studentët, përkatësisht kuadrot e reja, të cilët nesër do të angazhohen në institucionet e ndryshme shtetërore, private, publike etj. Andaj, ne jemi të interesuar që  studentët të marrin sa më shumë njohuri cilësore, sepse sa më të përgatitur të jenë, aq më mirë do t’i shërbejnë vendit, shoqërisë dhe qytetarëve. Por, sigurisht që ky synim i yni dhe institucioneve të tjera, natyrisht që nuk është i lehtë për t’u realizuar.

Ku janë pengesat më të mëdha në arritjen e synimit për më shumë kualitet?

Jusuf Zejneli: E dimë që sfera e shkollimit të lartë në Maqedoninë e Veriut ballafaqohet me shumë vështirësi, por natyrisht duhet të shihet edhe nga pikëpamja juridike dhe kushtetuese. Kjo do të thotë se ka çështje që mund të ndryshohen edhe me ligj, të përcaktohen apo të rregullohen më mirë. Çështja tjetër është aspekti i të ardhurave, financave, pra buxhetit që ndahet nga ana e shtetit për institucionet e shkollimit të lartë. Një aspekt tjetër ka të bëjë me vetë institucionet sa janë të përgatitura, me kuadrin profesional dhe administrativ për t’iu prirë këtyre proceseve, pra sfera e bashkëpunimit dhe natyrisht do të veçoja edhe aspektin e duplifikimit të programeve studimore dhe ekzistimit të një numri të madh të universiteteve në një shtet shumë të vogël. Ekziston, pra një numër i madh i universiteteve që funksionojnë, dhe kjo dihet tashmë se rezulton me duplifikim të programeve të shumta studimore dhe ndoshta kjo ndikon në uljen e kreativitetit në universitete, apo punës dhe veprimtarive të tyre.

A është e mundur të dilet nga ky rreth vicioz i defekteve që përsëriten vazhdimisht? Ku është zgjidhja?

Jusuf Zejneli: Sigurisht që mund të dilet, por në radhë të parë është me rëndësi që duke filluar nga institucionet e sistemit juridik qendror çështja e arsimit nevojitet të vendoset në prioritetet kryesore. Kur themi të vendoset si prioritet kjo nënkupton ndarjen e mjeteve, shqyrtimin e bazës juridike sesi organizohen universitetet, statuteve, me qëllim që të kemi një organizim sa më të mirëfilltë. Po ashtu, institucioneve shtetërore duhet të marrin përgjegjësi lidhur me sferën e buxhetit, dhe natyrisht edhe marrja e përgjegjësive nga vetë universiteteve si institucione publike të shkollimit të lartë. Në këtë drejtim, Universiteti i Tetovës vazhdimisht i kushton rëndësi ngritjes së cilësisë. Çdo ditë kontrollojmë punën, veprimtarinë tonë, bashkëpunojmë me studentët, profesorët, administratën, që të shohim se sa jemi cilësor, efikas, dhe transparent në kuadër të shërbimeve që i ofrojmë në kuadër të realizimit të procesit edukativo-mësimor, në hulumtimet shkencore, në sferën e veprimtarisë botuese, të konferencave, komunikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Janë një sërë faktorësh dhe mendoj se është një mision i mundur të dilet nga ky rreth vicioz, por besoj se kërkohet një seriozitet i lartë i të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë sferë të shkollimit të lartë.

Po shohim se shënohen rezultate të dobëta në rangimet ndërkombëtare të universiteteve. Ku qëndron problemi sipas jush?

Jusuf Zejneli: Duhet të theksojmë faktin se viteve të fundit nuk është realizuar ndonjë rangim kredibil dhe natyrisht kjo nënkupton se nuk mund të vlejnë rezultatet paraprake. Rangimi duhet të jetë proces permanent me qëllim që të shihen tendencat. Në krahasim me vitet paraprake, Universiteti i Tetovës ka evoluar shumë. Kemi shumë më tepër botime shkencore, kemi mbi 13 revista të indeksuara me impakt faktor. Kemi profesorët të cilët marrin pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare, tribuna shkencore dhe simpoziume. Për çdo ditë jemi kreativ në procesin arsimor, por edhe në sferën e bashkëpunimeve ndërkombëtare duke përfshirë bashkëpunimin me organizata, asociacione të ndryshme ndërkombëtare që funksionojnë në shtet, në rajon, në Evropë dhe SHBA. Mbetet me rëndësi që institucionet të realizojnë evaluimin e jashtëm, rangimin, dhe në këtë mënyrë edhe ne si universitet dalim shumë më lartë. Por, kjo nënkupton një pasqyrë më reale e gjendjes së arsimit në Maqedoninë e Veriut.

Në Universitetin e Tetovës funksionojnë laboratorë të shumtë, ku, jo vetëm mësimdhënësit, por edhe studentët në mënyrë shumë transparente dhe profesionale eksperimentojnë të arrijnë rezultate të duhura në shkenca ekzakte dhe sfera të ndryshme. Është e rëndësishme që këto aktivitete në mënyrë institucionale të vëzhgohen, pasqyrohen që pastaj të ketë edhe rangime reale.

Sa është zbatuar Procesi i Bolonjës në Maqedoninë e Veriut?

Jusuf Zejneli: Mendoj se Procesi i Bolonjës mund të vlerësohet në periudha të ndryshme. Ndoshta, në fillim, shumica e universiteteve, institucioneve e kanë marrë në aspektin deklarativ, disa në aspektin praktik, ndërsa Universiteti i Tetovës e ka kuptuar në aspektin real-praktik. Kemi filluar ta zbatojmë këtë proces, që nënkupton përfshirjen, vlerësimin dhe angazhimin e studentit, profesorit, në teori, praktikë, ekspertizë, laboratorë. Ky proces vazhdimisht ka qenë mjaft transparent në kuadër të institucionit tonë. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me institucionet e sistemit juridik brenda shtetit, kemi nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi me institucionet qendrore dhe lokale në sfera të ndryshme, që ndërlidhen drejtpërdrejtë me programet tona studimore. Me këtë, studentët kanë mundësi të ndjekin edhe pjesë praktike, por njëkohësisht ne kemi bashkëpunim dhe sjellim ekspert të sfera të ndryshme nga vendi dhe nga jashtë. Është një proces që realizohet në mënyrë shumë transparente dhe besoj se në tërësi ka rezultate të kënaqshme.

Si të kalohet nga reformat “politike” në reforma që bazohen në ekspertizë?

Jusuf Zejneli: Meqë shpesh përmenden reformat, dëshiroj ta plotësojë anën deklarative me atë praktike. Reformat natyrisht kanë edhe kosto. Kanë kosto dhe duhet nxitur përkushtim, duke filluar nga profesorët, studentët, administrata, madje edhe opinionit në tërësi, si dhe përfshirja edhe e prindërve, pasi kemi të bëjmë me një vetëdije që nënkupton tërësinë, pra përfshirjen e të gjithave institucioneve të sistemit juridik. Kjo duhet të shndërrohet në çështje primare brenda vendit. Politikat arsimore të jenë prioritet i shtetit, sidomos meqë jemi në rrugë drejt Bashkimin Evropian. Ne duhet të kemi kuadro shumë të mira dhe të përgatitura profesionalisht dhe ky proces mbi të gjitha është gjithëpërfshirës. Duhet që gjithsecili të reformojë veten, të bëhet update, dhe të ecë përpara, për arsye se nëse një hallk shkëputet në këtë sistem nuk është e lehtë që të ecët përpara. Pra, gjithsecili duhet të ndjejë peshën e përgjegjësisë dhe natyrisht gjithçka mund të ecë në rrugën e duhur.

Klasteri 3 në procesin e negociatave i definon reformat që duhet të bëhen në arsim. Edhe Klasteri 1 poashtu parasheh disa reforma në aspektin e mobilitetit. Sa ka kapacitete vendi t’i përmbushë këto standarde? 

Jusuf Zejneli: Standardet sigurisht që duhet të shkojnë në harmoni me gjendjen në vend, që nënkupton se ato ndërlidhen me gjendjen e tërësishme ekonomike. E mira është se Universiteti i Tetovës, dhe shumë institucione tjera kanë kapacitete intelektuale, kanë kuadro të mirëfillta, studentë të përgatitur dhe staf në tërësi që kanë gatishmëri të realizojnë çdo reformë të duhur. Por, natyrisht, në këtë rast, ndoshta është e nevojshme që ky proces i reformave të përshpejtohet, duke përfshirë edhe institucionet kompetente shtetërore, ato që hartojnë politika arsimore, që propozojnë, miratojnë dhe ndajnë buxhetin për institucionet e shkollimit të lartë. Sigurisht mund të arrihet në reformë më reale. Natyrisht që reformat më progresive janë më të dhimbshme.

Duhet shikuar në të ardhmen, bashkë me këtë edhe çështja e një numri të madh të funksionimit të universiteteve, që sjellë duplifikimin e fakulteteve si dhe programeve studimore. Nuk mund të jetë shumë kreative që gati gjitha universitetet në vend realizojnë programe të njëjta studimore, dhe kanë fakultete të njëjta. Kjo ndërlidhet edhe me idenë për të cilët janë themeluar, pra duhet të ruhet qëllimi. Kur kemi një ndarje më reale mes programeve studimore, sigurisht që do të vijmë edhe tek një afirmim i një stafi akademik më kualitativ, transparent dhe më të përgatitur të cilët do të jenë më profesionale dhe çdo institucion në këtë mënyrë do të krijojë një përvojë, një strategji, për të marrë edhe përgjegjësitë e veta për të përgatitur kuadro sa më të mirëfillta.

Fjala reformë është e lehtë për t’u thënë, por e rëndë për ta zbatuar, por natyrisht që është e mundur.

Është theksuar vazhdimisht nevoja për reforma, por deri më tani nuk ka një projeksion të qartë se çfarë konkretisht duhet të përfshijë ky proces reformash. Mund të na thoni se nga duhet të fillohet?

Jusuf Zejneli: Mendoj se në reforma duhet të përfshihen edhe programet studimore, sepse në momentin që një universitet, fakultet realizon kërkesë për akreditimin e programeve duhet të shihen kushtet apo kriteret, por edhe kreativiteti, vizioni se ku dëshirojnë të arrijnë, se në cilën sferë do të punësohen dhe do të kryejnë shërbime studentët, kuadrot që do të diplomojnë. Programet studimore duhet të jenë sa më gjithëpërfshirëse, sa më reale me sferën të cilën synojnë të përgatisin kuadro. Aspekti tjetër është edhe bashkëpunimi me universitetet tjera, sidomos në sferën ndërkombëtare. Universiteti i Tetovës ka një përparësi të mirë, meqë vazhdimisht është pjesëmarrëse në të gjitha simpoziumet dhe organizimet në kuadër të BE-së, që mbahen nga asociacionet e universiteteve evropiane, si dhe të SHBA-ve.  Ne sjellim përvojat e tyre, pasi ka universitete që funksionojnë shumë më herët nga ne. Ne i shohim se cilët janë  përvojat më të mira në sferën e organizimit, infrastrukturës, hulumtimeve shkencore, veprimtarive botuese, edhe natyrisht programeve studimore, apo syllabuseve.

Në shumë debate, paraqitje mediale dhe shkrime tjera autoriale, është theksuar nevoja e harmonizimit të kurrikulave universitare me tregun e punës. Mund të na thoni se si mund të harmonizohen programet universitare me tregun e punës, pasi është theksuar se ka një mospërputhje, një hendek, që gjithnjë po rritet?

Jusuf Zejneli: Mendoj se duhet jo vetëm aspekti teorik, por kryesisht të forcohet dhe të ketë më shumë prioritet në disa programe aspekti praktik, bashkëpunimi me institucionet, jo vetëm duke e përfshirë udhëheqësinë e universiteteve, stafin akademik, por në këtë rast të kërkohet përfshirja e vetë studentëve. Nëse kemi të bëjmë me studentë në sferën e ekonomisë, natyrisht se duhet të jenë sa më pjesëmarrës, të jenë në organizimin apo funksionimin e ndërmarrjeve të ndryshime ekonomike për të parë se cilët janë nevojat e tyre, por njëkohësisht edhe ndërmarrjet të shohin se cilët janë shkathtësitë e studentëve, dhe krejt në fund të programit ne duhet të analizojmë se ku jemi. Natyrisht ky nuk është një proces shumë i lehtë. Ne kemi bashkëpunime të mira, por po e theksoj se duhet që të gjithë të investojmë dhe t’iu sqarohet brezit të ri se përfshirja në pjesën praktike e lehtëson edhe marrjen e njohurive të tyre. Ndonjëherë ndodh që studentët të ngarkohen me aspektin teorik më shume se sa kanë nevojë. Në rast se studenti nuk e prek praktikisht një institucion atëherë shumë më vështirë do të vijë tek marrja e njohurive, ose mund të marrë njohuri, që nuk kanë të bëjnë shumë me përgatitjen profesionale.

Natyrisht që përgatitja për tregun duhet të jetë sa më reale, sa më profesionale. Gjithashtu duhet të kemi kuadro profesionale, të mirëfillta, që edhe ne si universitet të arrijmë të realizojmë misionin dhe vizionin tonë. Sigurisht që kërkohet bashkëpunim tejet i lartë. Sigurisht se do të kemi edhe bashkëpunime të reja edhe me sferën e biznesit me qëllim që të shohim se ku janë ato pikat e bashkëpunimit, kuptohet krahas bashkëpunimit që kemi me të gjitha institucionet e sistemit juridik. Dyert e universitetit janë të hapura, për të gjithë institucionet, për studentët, të cilët nëpërmjet bashkëpunimit të shkojnë në Turqi apo vende të tjera për të realizuar pjesët praktike, kuptohet duke përfshirë edhe programin Erasmus, të mobilitetit të studentëve, profesorëve.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

 

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top