ZËRI QË MUNGON, GRATË, TË RINJTË DHE KOMUNITETET E VOGLA ETNIKE AKOMA JASHTË VENDIMMARRJES LOKALE

Nga studim më i fundit “Përfaqësimi i grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike në procesin e vendimmarjes në nivel lokal” i realizuar nga  Institutit BIRC, në kaudër të projektit “Zërat e barazisë, demokraci për të gjithë”, i financuar nga Bashkimi Evropian, rezulton se gratë, të rinjtë dhe bashkësitë më të vogla etnike vazhdojnë të jenë të margjinalizuara në vendimmarrjen lokale. Edhe pse ligjet ekzistuese garantojnë përfshirje të barabartë, zbatimi i tyre në praktikë shpesh mbetet formal dhe simbolik, duke u shndërruar në një përfaqësim të pamjaftueshëm dhe pa ndikim real.

Ky styudim tregon se përfaqësimi i këtyre grupeve shoqërore mbetet i ulët, sidomos në pozitat vendimmarrëse. Të rinjtë rrallë përfshihen në fazën e hershme të hartimit të politikave dhe shpesh përdoren si dekor në tryezat vendimmarrëse.

Edhe pse ligjet dhe dokumentet strategjike, thesohet në këtë studim, obligojnë njësitë e vetadministrimit lokal të krijojnë më shumë hapësirë për angazhimin e të rinjve, grave dhe bashkësive më të vogla në procesin e marrjes së vendimeve, megjithatë realiteti nxjerr në pah mungesën e rezultateve konkrete që janë pasojë e mungesës së zbatimit të normave juridike, ose të zbatimit të pjesshëm të tyre.

Ish-anëtarë të këshillave, gazetarë lokalë dhe përfaqësues të sektorit civil të intervistuar për këtë studim, thonë se, përveç përfaqësimit të ulët të këtyre kategorive, i njëjti është jokualitativ dhe formal, që u shërben partive politike vetëm për të përmbushur obligimet ligjore apo për një fushatë më premtuese. Sipas tyre, dëshira dhe aftësitë e institucioneve në nivel lokal për transparencë dhe përfshirje të qytetarëve, në përgjithësi, ende janë në nivel të ulët, pavarësisht ekzistimit të shumë veglave digjitale të thjeshta dhe falas, të cilat do të mund t’i ndihmonin këto procese nëse do të përdoreshin. Nga ana tjetër, të intervistuarit nënvizojnë se një numër i madh të rinjsh nuk besojnë se me përfshirjen e tyre do të mund të sjellin ndryshime pozitive, pasi shpesh manipulohen që të jenë vetëm dekor në tryezë dhe rekomandimet e tyre nuk merren seriozisht në konsideratë.

RAPORTIN E PLOTË E GJENI KËTU

Si përgjigje ndaj këtyre sfidave, studimi rekomandon disa masa konkrete. Përfshirja e kuotave gjinore dhe etnike në administratën lokale dhe pozitat udhëheqëse duhet të jetë e monitoruar dhe e detajuar me akte nënligjore, ndërsa këshillat rinorë duhet të fuqizohen me kompetenca reale, buxhet dhe trajnime për pjesëmarrje efektive. Rritja e transparencës dhe llogaridhënies përmes platformave digjitale, raporteve tremujore dhe seancave publike, së bashku me fushata ndërgjegjësimi për të rinjtë dhe gratë në zonat rurale dhe komunitetet më të vogla, mund të ndihmojë në përfshirjen e tyre më aktive. Ky është një rekomandim tjetër që sjellë ky studim.

Bashkëpunimi mes qeverisjes lokale, shoqërisë civile, mediave dhe akademisë, si dhe trajnime dhe mentorim për gratë dhe të rinjtë, janë të domosdoshme për të rritur kapacitetet e tyre dhe pjesëmarrjen aktive në politikë dhe institucionet lokale. Pa këto ndërhyrje të koordinuara dhe të qëndrueshme, theksohet në rekomandimet e këtij studimi, pjesëmarrja e grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike do të mbetet kryesisht simbolike, duke kufizuar potencialin e demokracisë lokale dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.

Ky studim është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Zërat e barazisë, demokraci për të gjithë”, i zbatuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC Tetovë. Ky projekt është një nën-grant i fituar në kuadër të “Mbështetjes së BE-së për Qendrën Burimore për Shoqërinë Civile – faza 2”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top