46% E GRAVE TË SHKËPUTURA NGA TREGU I PUNËS – BE-JA KËRKON MASA PËR BARAZINË GJINORE

Për Sara Milenkovskën, themeluese e Rrjetit “Stella” dhe hulumtuese për çështjet gjinore, barazia gjinore as në vitin 2024 nuk ishte prioritet as në agjendat politike gjatë zgjedhjeve. Rina Ajdari deputete nga radhët e Frontit Evropian thotë se numri i grave të përfshira në politikë është shumë i ulët. Sipas saj, përfshirja e grave në politikë jo vetëm në aspektin sasior, por cilësia dhe përgatitja profesionale duhet të jenë kyçe për përmirësimin e pozitës së tyre në vend. Mia Morina, sipërmarrëse dhe pronare biznesi deklaron për Eurothink që për sa i përket udhëheqjes së një biznesi asaj i është dashur disa herë t’i përshtatet botës së burrave, edhe pse është përballur me skepticizëm ajo është optimiste se situata në vend është përmirësuar.

Autore: Arta Sefadini

Mosmiratimi i Ligjit për Barazi Gjinore, moszbatimi i Konventës së Stambollit, dhuna ndaj grave, mungesa e grave në tregun e punës dhe ngecjet e institucioneve për të garantuar barazi gjinore, janë disa nga kritikat e shumta që theksohen në raportin e Komisioni Evropian.

Raporti i fundit për vitin 2023 i Komisionit Evropian konstaton se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ende shumë punë në drejtim të avancimit të barazisë gjinore.

“Ligji për Barazi Gjinore ende nuk është miratuar. Kjo është kryesisht për shkak të lëvizjes në rritje kundër gjinisë në mbarë vendin. Fushatat antigjinore, ndonjëherë të mbështetura nga zyrtarë të pushtetit vendor, udhëheqës fetarë dhe politikë, ngrenë shqetësim serioz”, thekson raporti.

Për Sara Milenkovskën, themeluese e Rrjetit “Stella” dhe hulumtuese për çështjet gjinore, barazia gjinore as në vitin 2024 nuk ishte prioritet as në agjendat politike gjatë zgjedhjeve. Por, ku qëndron vendi jonë në krahasim me shtetet Evropiane për barazinë gjinore :

“Unë nuk do t’i glorifikoja vendet evropiane sepse ka edhe pabarazi të madhe, ndoshta në nivel ekonomik shifrat tregojnë një ulje të hendekut gjinor, por rolet tradicionale gjinore që kufizojnë potencialin dhe të drejtat e grave janë një problem global. Krahas kërkesës për avancimin e mekanizmave dhe politikave ligjore, vendi duhet të investojë më drejtpërdrejt në arsim dhe punë në nivel lokal duke mbështetur gratë dhe vajzat që të jenë të sigurta, të inkurajuara dhe të mbrojtura”, thekson Milenkovska.

GRATË, JASHTË PROCESEVE TË VENDIMMARRJES  

Barazia gjinore mungon edhe në politikë. Zgjedhjet e fundit ishin dëshmi se vendi nuk bën progres në përfshirjen e grave në vendimmarrje.

Rina Ajdari deputete nga radhët e Frontit Evropian thotë se numri i grave të përfshira në politikë është shumë i ulët. Përfshirja e grave në politikë jo vetëm në aspektin sasior, por cilësia dhe përgatitja profesionale duhet të jenë kyçe për përmirësimin e pozitës së tyre në vend. Ajo thotë që do jetë një nga zërat për vazhdimin e avancimit të grave në pozita udhëheqëse në përputhshmëri me standardet evropiane.

“Më shumë gra aktive në politikë, të jenë zëri i qytetarëve në sfera adekuate si dhe miratimi i ligjeve e implementimi i tyre për pozicionim sa më të mirë në pozita udhëheqëse në ekzekutiv, legjislativ dhe në pushtetin gjyqësor”, thekson ajo.

Vendi miraton ligje por ngec zbatimi i tyre. Në raport thuhet se Klubi i Grave Deputete vitin e kaluar për herë të parë organizoi seancë plenare për çështjet gjinore për të shënuar 20 vjetorin e saj.

“Të gjitha këto probleme janë probleme të përbashkëta, jo vetëm të grave dhe vajzave, ndaj ajo që duhet të bëjmë përveçse të flasim, janë veprimet, ndryshimet reale politike, të cilat barazinë gjinore e trajtojnë si një çështje jo vetëm të 8 Marsit por çdo ditë”, përfundon Saran Milenkovska.

MË SHUMË MBËSHTETJE PËR PAVARËSINË EKONOMIKE TË GRAVE  

Motivimi i grave për të qenë sipërmarrëse apo pronare biznesi është faktor i rëndësishëm që tregon progresin në pavarësinë ekonomike të tyre.

Mia Morina, sipërmarrëse dhe pronare biznesi deklaron për Eurothink që për sa i përket udhëheqjes së një biznesi asaj i është dashur disa herë t’i përshtatet botës së burrave, edhe pse është përballur me skepticizëm ajo është optimiste se situata në vend është përmirësuar.

“Kur më kanë parë mua si grua të shkoj për dekore që më janë dashur dërrasa ose hekura, më kanë pa me skepticizëm, apo për ndonjë marrëveshje më të madhe, kjo ka qenë sfidë më vete për të qenë më bindëse, por jo ndonjë problematikë e madhe. Nuk e di a kam pasur fatin e tillë apo jo, por nuk mendoj që ka bërë diferencë, të paktën jo në biznesin tim“, thekson Morina.

46% E GRAVE, JASHTË TREGUT TË PUNËS

Sipas raportit të Komisionit Evropian, në RMV që nga viti 2019 nuk është përditësuar indeksi kombëtar i barazisë gjinore. Në vendin tonë, mungesa e statistikave të besueshme për hendekun gjinor në sektorë të ndryshëm pengon zhvillimin e politikave të bazuara në fakte, dhe marrjen e masave të duhura.

“Hendeqe të vazhdueshme gjinore ekzistojnë gjithashtu në punësim dhe në pjesëmarrjen në fuqinë punëtore. Në mesin e popullsisë në moshë pune, 46% e grave kanë qenë vazhdimisht jashtë fuqisë punëtore krahasuar me 23.3% të meshkujve”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Mia Morina thotë se edhe pse përballur ndonjëherë me paragjykime, mentaliteti në vendin ku jetojmë, përbën sfidë për gratë në çdo profesion dhe jo vetëm në biznes.

“Tani probleme paragjykimesh mentaliteti apo vende provincash ku jetojmë ne, këto janë tjera, mirëpo nuk mund të quaj diskriminim as ndonjë projekt as ndonjë aplikim kredish. Përkundrazi shteti ka dhënë kredi dhe lehtësime për gratë sipërmarrëse në tregun e punës, kështu që unë mendoj që kam pasur ndihmë dhe jo diskriminim vetëm pse jam grua, pastaj përvoja të mëson të përballesh diskriminimet, mendoj që ekzistojnë edhe te gjinia mashkullore sidomos, kur janë biznese më pak të fuqishme, pak më të dobëta, apo rrethana të tjera…”, vlerëson Morina.

ÇALON ZBATIMI I STRATEGJIVE PËR BARAZI GJINORE

Në vitin 2022, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Strategjinë për Barazi Gjinore 2022-2027. Kjo strategji ka për qëllim përmirësimin dhe fuqizimin e barazisë gjinore në vend në përputhje me përvojat ndërkombëtare. Në RMV si pjesë e strategjisë për zbatimin e Konventës së Stambollit ishte edhe krijimi i Sekretariatit Për Barazi Gjinore, i cili deri tani nuk është realizuar. Ky Sekretariat do të kishte për qëllim luftimin e stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore, përforcimin e grave, aftësimin dhe qasjen e duhur të tyre.

Situata në Maqedoninë e Veriut është larg ideales, por përveç ligjeve dhe institucioneve përkatëse është e rëndësishme që të kuptohet roli i shoqërisë civile në rrugën drejt barazisë gjinore dhe shoqëria civile të mos përjashtohet nga proceset, thotë Sara Milenkovska.

“Ajo që duhet të bëjmë fillimisht si komunitet është të flasim për problemet me të cilat përballen gratë dhe vajzat, si varfëria menstruale, hendeku gjinor, stereotipat gjinore, portretizimi i bazuar në gjini si në shtëpi ashtu edhe në internet, mundësitë e pabarabarta dhe diskriminimi ndaj grupeve të minoriteteve, dallimet klasore që kontribuojnë në varësinë financiare dhe pamundësinë e vetërealizimit”, thekson Sara Milenkovska.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top