LIGJI I RI I ARSIMIT TË LARTË: MES PREMTIMEVE PËR CILËSI DHE FRIKËS NGA KONTROLLI POLITIK
“Reformë” – ky përkufizim, që në letër tingëllon si premtim për përmirësim, por në realitet shpesh shndërrohet në testin më të fortë të seriozitetit të shtetit ndaj një problematike, nisme, ligji apo sistemi të tërë. Pikërisht këtu nis edhe debati për propozim-ligjin e ri për arsimin e lartë, i cili aktualisht po shoqërohet me shumë bujë.
Shkruan: Enis SHAQIRI
Qeveria ka miratuar versionin përfundimtar të Ligjit për Arsimin e Lartë, ndërkohë që pritet të kalojë për shqyrtim në parlament. Në deklaratat zyrtare, përfaqësuesit e Qeverisë, si dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, vlerësojnë se ligji i ri synon “përmirësimin e cilësisë, transparencën, financimin me performancë dhe rritjen e mundësive për studentët dhe profesorët”. Nga ana tjetër, një pjesë e komunitetit akademik, organizatave studentore dhe sektorit joqeveritar argumentojnë për “cenim të autonomisë universitare, kritere të pamjaftueshme për avancim shkencor, diskriminim të universiteteve shqiptare dhe ndërhyrje politike në sistemin arsimor”. Megjithatë, për ta kuptuar se ku qëndron realisht problemi, duhet t’i marrim me radhë pikat më të debatueshme të këtij propozim-ligji.
Autonomia universitare dhe problemi i transparencës
Pika e parë lidhet me autonominë universitare dhe me transparencën e procesit. Një ligj që predikon llogaridhënie, por nuk tregon qartë autorët e tij, e vendos veten në pozitë të vështirë që në fillim. Këtë e vërteton më mirë edhe deklarata e ministres, se nuk mund t’i zbulojë hartuesit e draftit “nëse nuk garantohet se nuk do të paditet”. Kjo deklaratë duhet lexuar jo si shpjegim, por si simptomë e një mënyre të mbyllur vendimmarrjeje. Dhe pikërisht këtu nis dyshimi: si mund të kërkosh besim për një reformë, kur procesi i hartimit të saj mbetet i paqartë? Një ligj që flet për transparencë dhe llogaridhënie, por që lë në mjegull autorët e tij, të paktën publikisht, e humb menjëherë pjesën më të rëndësishme, atë të besueshmërisë.
Kriteret akademike dhe standardet që rriten vetëm në letër
Pika e dytë lidhet me kriteret për avancim akademik dhe me idenë e “cilësisë” që ligji pretendon të vendosë.
Në parim, pajtohemi të gjithë se rritja e standardeve shkencore është e nevojshme dhe askush nuk e kundërshton nevojën që universitetet të prodhojnë më shumë kërkim, publikime dhe konkurrencë akademike. Por problemi që ngrihet këtu, sipas një pjese të përfaqësuesve të komunitetit akademik është shumë më praktik. Ata theksojnë se standardet po rriten në letër, ndërsa kushtet për t’i përmbushur ato mbeten pothuajse të njëjta. Kërkimi shkencor nuk prodhohet me nen ligjor, por kërkon laboratorë funksionalë, qasje në baza ndërkombëtare të të dhënave, fonde për projekte, kohë për hulumtim dhe një sistem që e mbështet realisht punën akademike. Kur këto mungojnë, ose të paktën nuk janë funksionale, çdo kriter i ri për publikime, indekse shkencore apo avancim profesional rrezikon të shihet si barrë shtesë dhe jo si stimulim për cilësi. Prandaj edhe kërkesat e draftit për publikime në WoS para mbrojtjes së magjistraturës, si dhe standardet e rritura për doktoraturën, u panë si tepër të ashpra dhe të shkëputura nga realiteti. Fakti që disa prej tyre më pas u zbutën ose u tërhoqën tregon se presioni publik nuk ishte i paarsyeshëm, përkundrazi, ai nxori në pah se drafti fillestar kishte probleme serioze në raport me zbatueshmërinë.
Së këndejmi, kur jemi te fondet për hulumtim dhe shkencë, duhet ta pranojmë dhe theksojmë se një ligj që flet për cilësi, konkurrencë dhe performancë nuk mund të merret seriozisht nëse nuk sqaron edhe një pyetje shumë të thjeshtë. Si po shpërndahen fondet dhe mbi çfarë kriteresh? Nëse e marrim dhe e analizojmë periudhën nga viti 2021–2023, por edhe më herët, tabloja bëhet edhe më e qartë dhe shumë më e vështirë për t’u anashkaluar. Gjatë këtyre viteve, dy universitetet publike në gjuhën shqipe: Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza”, nuk kanë përfituar asnjë fond për shkencë. Zero. Ngjashëm edhe në vitin 2025, kur u kuptua se nga 40 projekte hulumtuese të financuara, 29 iu ndanë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, ndërsa vetëm tre universiteteve shqiptare. Dhe pikërisht këtu lind kontradikta më e madhe. Shteti kërkon rezultate më të larta shkencore, por nuk krijon kushte të barabarta për t’i prodhuar ato! Pra, modeli i ri financiar, sipas propozim-ligjit, në thelb e lidh një pjesë të buxhetit me performancën, duke e shndërruar financimin në një mekanizëm që, sipas kritikëve, favorizon universitetet më të mëdha dhe më të konsoliduara. Problemi nuk është vetëm në logjikën e performancës, por në faktin se ajo nuk nis nga kushte të barabarta. Një sistem që i jep më shumë atij që tashmë ka më shumë, dhe më pak atij që është historikisht i nënfinancuar, nuk po korrigjon pabarazinë, por po e institucionalizon atë. Dhe pastaj e quan “reformë”.
Çfarë fiton studenti?
Studentët, sipas disa organizatave studentore, përmenden si përfituesit kryesorë të reformës, por rrallë trajtohen si subjekt real i saj. Çfarë fiton një student nga një sistem që rrit kriteret, por nuk garanton kushte më të mira studimi, laboratorë funksionalë, programe më cilësore dhe më shumë mundësi mobiliteti? Pa këto elemente, reforma rrezikon të bëhet barrë e re mbi studentin, jo mbështetje për të. Po ashtu, edhe struktura e re e këshillit të universiteteve punlike ka nxitur debate. Kritikët kërkojnë që aty të përfshihen më shumë studentë, pasi në trupin studentor universitar parashihet vetëm një përfaqësues nga 11 anëtarë, që sipas studentëve përbën vetëm 9 për qind të ndikimit në vendimmarrje. Ata argumentojnë se një organ i tillë nuk mund të funksionojë si hapësirë e ngushtë kontrolli, por duhet të pasqyrojë interesin e gjerë publik. Nëse përbërja e tij nuk është e balancuar, atëherë ligji rrezikon të bëhet instrument i ndikimit institucional dhe jo mekanizëm i pavarur mbikëqyrjeje.
Lidhja e munguar me tregun e punës
Një tjetër dimension i munguar në debat është lidhja mes arsimit të lartë dhe tregut të punës. Një ligj i mirë nuk matet vetëm me sa publikime kërkon, por edhe me sa e afron universitetin me nevojat reale të shoqërisë dhe ekonomisë. Nëse programet prodhojnë diploma, por jo aftësi të kërkuara, arsimi i lartë mbetet i shkëputur nga realiteti.
Reformë apo seleksionim?
Në fund, pyetja nuk është nëse duhet reforma. Natyrisht që duhet. Pyetja është çfarë lloj reforme po ndërtohet. A po krijohet një sistem më i drejtë, më i hapur dhe më funksional, apo thjesht një version më i ashpër i të njëjtit centralizim të vjetër? Një shtet që kërkon rezultate më të larta, por nuk krijon kushte të barabarta për t’i arritur ato, nuk prodhon reformë. Prodhon seleksionim. Dhe aty ndahet reforma e vërtetë nga propaganda institucionale.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
