KRIZA E KULTIT TË ‘SHOQËRISË SË DIJES’
“Misioni i universitetit është krijimi i një ardhmërie ku do të mbizotërojë mendimi racional dhe mënyrat e qytetëruara të vlerësimit.” – A. N. Whitehead
Shkruan: Ali Pajaziti
Arsimi përbën shtyllën kurrizore të çdo shoqërie, në veçanti të asaj moderne. Epoka në të cilën jetojmë më nuk është ajo bujqësore, as industriale, por e shoqërisë së dijes, e informacionit dhe në garën globale të shekullit XXI fitimtare dalin ato shoqëri të cilat rrokin apogjeun e të arriturave shkencore, që kanë institucione që hulumtojnë dhe prodhojnë dije inovative.
Shoqëritë në zhvillim e sipër apo të tranzicionit janë mjedise krizologjike, si në të gjitha sferat ashtu edhe në atë të edukimit; janë të prirura që të përjetojnë edhe sulme paniku arsimoro-politike (Lissman, 2012). Ato synojnë të bëhen pjesë e kultit dhe luftës për hulumtues kulmorë dhe studenë ekselentë, gjithnjë duke përpiluar agjenda nacionale që afirmojnë produktet shkencore. Në vendet pa traditë të gjatë demokratike, një segment i kohës, është prirja që arsimi të etatizohet, të vihet nën kontroll të subjekteve pushtetmbajtëse dhe të tregtohet, të komercializohet. Nga ana tjetër, Ivan Illich para më shumë se pesë dekadash, në veprën e tij Deschooling Society e ka kundërshtuar monopolizimin dhe komodifikimin apo shndërrimin e dijes në mall.
Milioneri dhe gjysëmarsimimi
Relacionin mes arsimit të komodifkuar dhe degradimit shumë bukur e përshkruan Lissman përmes metaforës së një kuizi të mirënjohur botërisht. Emisione si “Milioneri” përfaqësojnë një shfaqje tipike të pop-kulturës, duke pasqyruar mënyrën se si arsimi shpesh reduktohet në nivelin e argëtimit masiv mediatik—si një tregues i dukshëm i dobësimit të dijes dhe formimit arsimor. Meqë ky kuiz arriti sukses të madh, edhe mësuesit dhe profesorët, duke ndjekur këtë trend, nuk përdorin më metoda klasike të pyetje-përgjigjeve për të vlerësuar kuptimin real të lëndës nga nxënësit apo studentët. Në vend të kësaj, ata organizojnë forma testimi të bazuara në hamendësime apo zgjedhje të rastësishme, të cilat nuk shprehin ndonjë thellësi mendimi apo reflektim kritik.
Theodor W. Adorno në vitin 1959 – disa vite përpara ‘katastrofës arsimore’ të parë gjermane – shkroi “teorinë e tij të gjysmëarsimimit” (Theorie der Halbbildung). Në esenë e tij të njohur mbi këtë temë, Adorno argumenton se në shoqëritë moderne: Arsimi shpesh kthehet në mall (commodity); kultura reduktohet në konsum (p.sh. media, industri kulturore); Individët fitojnë “njohuri të gatshme”, por jo aftësi për të menduar në mënyrë vetjake dhe konstruktive. Pra, Halbbildung është një lloj degjenerimi i Bildung-ut (formimit të plotë kulturor dhe intelektual). Arsimi i sodit përmes pyetjeve multiple-choice, më tepër i përngjan një kuizi mediatik, sesa një vegle për të ngritur nivelin e të riut që po përgatitet për jetë.
“Dinosaurët e shkencës” dhe “vagon hulumtuesit”
Shkenca është profesionalizëm i sofistikuar që s’e bëjnë të gjithë njerëzit. Akademizmi është një sferë e veçantë ku notojnë vetëm ata që kanë prirje dhe sens ngulmimi në punë të paprerë për vetëkultivim dhe iluminim të të tjerëve, të gjeneratave. Analet e punës akademike në vendin tonë por edhe më gjerë, përveç hiperaktivëve dhe kuadrit që punon sipas parametrave të kërkuara, shënojnë edhe një profil tjetër atë të të vetëquajturve doajenë të shkencës, ligjërimit ex catedra, të mamutëve të hulumtimit që në jetën e vet shkruajnë rrallë, një libër në 20 vite dhe atë e lançojnë si “kryevepër të fushës”. Ata nuk e kanë kuptuar ndryshimin e paradigmës: nga profesori ligjërues që ka tekstin e vet, është kaluar në profesorin dinamik-hulumtues që për hir të efiçiencës akademike mund të ligjërojë edhe me artikujt e vet, por edhe me të të tjerëve, madje edhe me libra të shkruara nga autorë kulmorë të huaj.
Ekstremi tjetër janë një pjesë e jungen Lehrern -mësimdhënësve të rinj që të shtytur nga presioni për ngritje formale, si rrjedhim i rrugës së shtrirë me “pendla të rrejshme”, s’kanë kaluar mirëfilli nëpër filtrat e avancimit akademik, që të mbështetur ose nga networku i fuqishëm social , nga prindërit, farefisnia, klani politik, kanë bërë një hop marramendës në spektrin e akademizmit apo të botës universitare. Lloji i këtillë e shkollarëve me fast teza e disertacione defilojnë në botën universitare të papjekur. Të tillët botojnë deri në Gjirokastër e Mitrovicë, ndoshta deri në Sarajevë dhe jo përtej.
Një rast interesant dëgjuam nga një drejtor i shkollës së mesme lidhur me një profesor të ardhur nga fusha Baushtelle-s, ndërtimtarisë, i cili pas katër muajve të vetëmaltretimit, një ditë vjen në zyrën e drejtorit dhe rrëfehet: “Po kthehem atje ku e kam vendin, ku ndjehem zog i lirë!” Ky është një tip i sinqertë që e ka parë veten realisht në pasqyrë. Për fat të keq të tillët janë pak. Ka goxha shkollarë të katedrave universitare që s’e marrin guximin për të gjetur vendin dhe profesionin e tyre të vërtetë, duke i marrë në qafë kështu brezat.
Është për t’u çuditur se një pjesë e profesoratit në disa universitet CV-të ua gjen vetëm me të dhënat e tre cikleve të shkollimit, pa materiale shoqëruese. Disa kanë 7, 24 citime ose s’janë fare në platformat akademike si google scholar etj.
Një kategori tjetër janë edhe ata që i “bashkëngjiten urimit” në shkencë, gjegjësisht duke pasur si paravan punën ekipore, shtojnë emrin e tyre nëpër punime ku s’kanë vënë asnjë presje. Pra njëri-shkruesi është lokomotiva, ndërsa të tjerët janë vagonë të kompozicionit, vetëm dekor numerik dhe fitues pikëshakademike për avancim. Ka edhe të atillë që veprojnë sipas logjikës “më cito mua, të të citoj unë”—e njohur në literaturën akademike si kartel citimesh, rrjet citimesh ose vetë-citim strategjik—një formë e njohur e keqsjelljes akademike që përdoret për të rritur artificialisht metrikat e citimeve..
Ligji i ri për arsimin e lartë 2026: “Drejt metrikës dhe sprintit akademik”
“Me mbështetjen e mbi 60 profesorëve, institucioneve dhe enteve të prekura, përfaqësuesve të studentëve, profesionistëve dhe ekspertëve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur rregullativën e re ligjore për arsimin e lartë dhe shkencën, nga e cila pritet të sigurohet një edukim akademik më cilësor dhe të nxitet veprimtaria kërkimore-shkencore në shtet.” Kjo është deklarata e ministres së arsimit dhe shkencës Janevska publikuar më 6 shkurt 2026 në web-faqen e Ministrisë gjegjëse. Kush janë autorët, mbetet një e panjohur? Ku mbetet përgjegjësia dhe etika e autorëve që s’e marrin guximin të dalin para opinionit me emër dhe mbiemër?
Ky propozim ligj shkaktoi turbulenca në botën akademike dhe përtej si pasojë e kërkesave që thënë realisht janë mbi realitetin tonë universitar. Një vend i vogël sy yni vë si target rangimin në mesin e 1000 universiteteve, duke kërkuar 1200 punime me faktor impakti. Sipas ministres te ne kjo shifër sillet diku 300-500. Një gjë brengosëse jo vetëm për realitetin tonë është indeksimi i shkencës, veçanërisht përmes platformave si Web of Science (SCIE) dhe Scopus, që duket një “vulë cilësie” dhe tregues besueshmërie për revistat akademike, por që kritikohet gjerësisht sepse nxit kulturën “publiko ose zhduku” (Publish or perish!), barazon prestigjin e revistës me cilësinë e artikullit, neglizhon kërkimin rajonal dhe promovon manipulimin e citimeve.
Ndërkohë agjenda e re ligjit synon edhe riorganizim dhe ringjallje të Agjencionit për Cilësi që tanimë nuk do të bëjë vetëm akreditim por edhe evaluim. Në mënyrë implicite targetohet edhe reduktimi i disa universiteteve private që cilësohen si “prodhues diplomash”, që realisht janë fantom universitete, me ‘kampuse me pak frymorë dhe me një grusht “profesorë sipas nevojës”.
Ligji i ri duhej të theksonte edhe sanksionimin i mësimdhënësve të korruptuar. Dimë nga realiteti se figura të kapur me plagjiaturë dhe të korruptuar për të cilët opinioni di açëk, që s’janë ndëshkuar fare.
Problematike sipas nesh është tendenca për të shndërruar profesorët në “kërkues grantеsh” dhe “prodhues punimesh shkencore” për të siguruar buxhetin e njësisë së tyre; ajo për t’i trajtuar studentët si “klientë” ose “numra” që gjenerojnë pikë për financim dhe fakti që universiteti e humb karakterin e tij si “tempull i dijes” dhe shndërrohet në një “korporatë” që duhet të jetë fitimprurëse për të mbijetuar. Përpjekja për etatizim të universitetit që ndrydh lirinë dhe pavarësinë akademike, këtë institucion kulmor e kthen në nivelin e shkollës së mesme. Nenet 198, 199 dhe 201 që i japin ministrit mundësinë të shfuqizojë vendimet e organeve universitare janë deprimuese për akademinë. Sipas nenit 43, Këshilli Kombëtar është organi më i lartë në fushën e arsimit të lartë, ku nga gjithsej 15 anëtarë, gjashtë emërohen nga Qeveria, gjashtë janë propozim i Konferencës Ndëruniversitare, ndërsa një anëtar vjen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, një nga odat ekonomike dhe një anëtar nga radhët e studentëve, anëtarë të Konferencës Ndëruniversitare. Brenga reale është se shteti përmes anëtarëve të vet do të vë kontroll mbi universitetin. Një grusht përmes këtij ligji u jepet edhe mësimdhënësve të rinj përmes kritereve jashtëzakonisht të larta, që tejkalojnë edhe universitetet evropiane. Në këtë drejtim, vendimmarrësit në lidhje me gjithë akademinë duhet pasur parasysh ligjin e Goodhart-it, “When a measure becomes a target, it ceases to be a good measure” (Kur mjeti matës kthehet në qëllim ose objektiv, ai humbet vlerën e tij matëse.)
Për fund mund të themi se sido që të jetë, debati për ligjin e ri e ka mobilizuar akademinë. Tanimë faza e komfort zonës ka përfunduar; me këtë ligj nis një fazë e re, ajo e darvinizmit akademik, ku çdo institucion dhe aktor i arsimit të lartë duhet të rikuperohet dhe të bëhet pjesë e kompeticionit global të arsimit dhe hulumtimit. Shteti duhet të efektuojë eliminimin e entiteteve kancerogjene që e shkatërrojnë arsimin dhe kërkimin përmes platformave të hapura të pazarit akademik, shitjes së punimeve seminarike, teza të diplomës, masterit dhe të doktoratës që janë transparente nëpër webfaqe dhe rrjete sociale. Ndërkohë duhet të shtohet numri i lëndëve universitare që lidhen me etikën në mënyrë që edhe studentët edhe mësimdhënësit të jenë më të vetëdijshëm për keqësinë e shitblerjes së produkteve shkencore. Universiteti nuk duhet vetëm të arsimojë por edhe të kulturizojë.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
