AUTONOMIA UNIVERSITARE DHE KUFIJTË E REFORMËS NË ARSIMIN E LARTË

Që në nenin 1 të draft-ligjit përcaktohet se ligji rregullon “parimet themelore të arsimit të lartë, autonominë universitare, liritë akademike, organizimin, financimin dhe të drejtat e studentëve”. Ndonëse kjo tingëllon shumë mirë, po ashtu kemi edhe shumë nene të tjera që janë aq mirë të formuluara, saqë nëse një i huaj do t’i lexonte, do të habitej për nivelin e lartë të formulimit të këtyre dispozitave ligjore.

Shkruan: Luisa RESIDI

Ndryshimet më të reja që kanë ndodhur në Ligjin për Arsimin e Lartë në RMV mendohet se vetëm nga politikbërësit janë perceptuar si reformë në arsim dhe askush tjetër, përveç tyre, nuk pajtohet me to.

Arsimi i cilitdo qoftë nivel duhet patjetër të fillojë të bëjë reforma për t’iu bashkuar BE-së, apo së paku për t’iu afruar standardeve evropiane. Mirëpo ndryshimet që janë sjellë, me sa duket, e çojnë pas zhvillimin e bërë në arsim për shekuj të tërë.

Ndoshta një kritikë e tillë mund të duket e ashpër, por asnjëherë nuk kam dëgjuar se Ministria duhet të ketë pushtetin suprem mbi universitetet, në mënyrë që ato të funksionojnë më së mbari, kur vetë Ministria dhe ministrat vazhdimisht bëjnë jo vetëm shkelje ligjesh, por edhe të Kushtetutës.

Si studente, reformat do të sugjeroja të mos fillonin nga koka te këpucët, por nga këpucët te koka. Disa mund të pyesin madje çfarë do të thotë kjo. Nëse koka është truri i vendit, ai do të shkojë dëm nëse këmbët nuk e dërgojnë në vendin e duhur… e neve ku po na dërgojnë këmbët?

Pra, mospajtueshmëria mes institucioneve arsimore dhe ministrisë nuk gjendet në hendekun e jotransparencës, por në mosgjetjen e fillit.

Megjithatë, po i rikthehem draft-ligjit, i cili pretendon të rrisë cilësinë, të forcojë meritokracinë dhe të modernizojë universitetet.

Normat ligjor dhe hendeku mes teorisë dhe praktikës

Që në nenin 1 të draft-ligjit përcaktohet se ligji rregullon “parimet themelore të arsimit të lartë, autonominë universitare, liritë akademike, organizimin, financimin dhe të drejtat e studentëve”. Ndonëse kjo tingëllon shumë mirë, po ashtu kemi edhe shumë nene të tjera që janë aq mirë të formuluara, saqë nëse një i huaj do t’i lexonte, do të habitej për nivelin e lartë të formulimit të këtyre dispozitave ligjore.

Hipotetikisht, do të duhej të ishim diku në nivel evropian zhvillimi. Por këtu teoria vendoset në piedestal, ndërsa praktika, e cila mund të monitorohet vetëm pjesërisht gjatë implementimit, lihet anash. Kështu krijohet një mospërputhje mes “lirive dhe të drejtave të studentëve” dhe realitetit.

Nepotizmi dhe rreziku i riprodhimit institucional

Për të agravuar tensionin ekzistues veçmë, tentativa e deritanishme për të luftuar nepotizmin bie poshtë, pasi me këtë ligj, nepotizmi mund të mbështetet përmes kushteve të caktuara. Nuk po them se prindërit dhe fëmijët nuk mund të ndajnë të njëjtin pasion për akademinë apo të punojnë krah njëri-tjetrit me produktivitet të lartë, por le të jemi të sinqertë: a ekziston një mirësi kaq naive në vendin tonë? Natyrisht që jo. Kjo do të keqpërdorej në atë masë sa do të kalonte çdo kufi të pritshëm.

Për vëmendje të veçantë është edhe neni 5, paragrafi 3, i cili thotë se “profesorët e rregullt mbeten anëtarë të komunitetit akademik edhe pas pensionimit”.

Në disa raste ata mund të mentorojnë çdo vit deri në tre doktorantë, gjë që deri diku mund të konsiderohet pozitive, sidomos nëse je në pension. Por kjo bëhet problematike kur krahasohet me arsyen pse po bëhen reformat ligjore: modernizim, inovacion dhe zhvillim i kapitalit njerëzor. Në këtë rast, krijohet një paradoks, ku me pretekstin e ruajtjes së kuadrove të specializuara, në praktikë penalizohen gjeneratat e reja të akademikëve.

Balanca mes përvojës dhe produktivitetit shkencor

Nuk them që nuk ka nevojë për përvojën akademike të tyre, por kjo nuk arsyetohet në asnjë mënyrë me shtimin e mekanizmave të zgjedhjes së kuadrove universitare vetëm e vetëm që të bëhet pothuajse e pamundur ripërtëritja e kuadrit shkencor dhe akademik.

Në gjendjen në të cilën po e përjetojmë ne tash si shtet, e fundit nga opsionet do të ishte që pensionistëve t’u ofrohen vende pune, kur të rinjtë po luftojnë për të gjetur punë me paga minimale, madje edhe po ikin fare drejt një shteti i cili të paktën ato ligje të cilat i ka të formuluara, po i zbaton.

Përvoja akademike në arsimin e lartë po vlerësohet shumë herë më shumë sesa produktiviteti shkencor që posedojnë gjeneratat e reja, ku me burime prej më të ndryshmeve dhe shfrytëzim efikas të resurseve, nën mentorimin dhe vlerësimin e duhur, janë në gjendje që të bëjnë me dhjetëra punime në kohë rekord. Ky produktivitet është ai që e vlerësojnë standardet evropiane, por jo demotivimi total i tyre.

Neni 24 dhe pabarazitë strukturore

Një tjetër aspekt shumë i ndjeshëm lexohet në nenin 24, ku vendosen kushte të caktuara për realizimin e studimeve të ciklit të tretë dhe bashkëpunimin ndëruniversitar. Edhe pse në pamje të parë këto kritere duken si standarde neutrale akademike, në praktikë prodhojnë pabarazi strukturore ndërmjet universiteteve.

Universitete si Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Tetovës nuk kanë të njëjtat kapacitete historike, financiare dhe institucionale si universitetet më të vjetra shtetërore. Për këtë arsye, kriteret shumë të larta për zhvillimin e doktoraturave dhe kërkimit shkencor do të ndikojnë negativisht në avancimin e tyre akademik.

Kjo pjesë prek drejtpërdrejt barazinë etnike dhe gjuhësore në sistemin arsimor të vendit. Nëse universitetet shqiptare kufizohen në zhvillimin e ciklit të tretë të studimeve, atëherë kufizohet edhe mundësia për krijimin e elitës së re akademike shqiptare brenda vendit. Kjo mund të ndikojë afatgjatë në përfaqësimin akademik, në zhvillimin shkencor në gjuhën shqipe dhe në autonominë reale të këtyre institucioneve.

Autonomia universitare dhe ndikimi politik

Pastaj, në nenet 7 dhe 8, ligji garanton autonominë universitare dhe lirinë akademike, duke përfshirë lirinë e mendimit kritik, organizimit të brendshëm dhe zgjedhjes së programeve studimore. Megjithatë, sa autonomi kanë universitetet publike është për t’u diskutuar, për arsye se janë më së tepërmi të ndikuara nga partitë politike.

Dhe tash, ky mekanizëm edhe më i lartë kontrollues, mendoj që ka synime të qarta, dhe atë që gjithçka që do të vazhdojë të bëhet në akademi do të varet nga elitat partiake, prej zgjedhjes së kuadrove e deri te akreditimi i programeve. Kështu që parimi i barazisë dhe transparencës bie totalisht poshtë që në momentin që ky ligj hyn në fuqi, dhe rruga për në BE largohet për qindra e qindra muaj të tjerë.

Po nëse ky mekanizëm shihet nga një aspekt më pozitiv? Megjithatë, në akademi nuk duhet të vendosin faktorë eksternë, përpos kuvendeve studentore dhe senateve.

Por sa këto organe do të jenë drejtësisht funksionale, edhe kjo është një pikëpyetje e madhe, pasi që edhe këto do të jenë të ndikuara drejtpërdrejt në vendimet e tyre nga ministria.

Mungesa e besimit publik dhe lidhja me politikën

Mungesa e madhe e këtij besimi publik se ky mekanizëm do të funksionojë vjen si pasojë e asaj që vetë akademia duhet të jetë e përfshirë në politikë vetëm si angazhim qytetar, e jo si pjesëtare e elitave partiake që arrijnë të krijojnë pasuri miliarda denarëshe në krah të studentëve.

Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me vetë studentët. Në nenin 28, ligji garanton të drejtën për arsim cilësor, mbrojtje nga diskriminimi, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe mbështetje për shëndetin fizik dhe mendor të studentëve. Por sa i përket këtij aspekti, qendrat për konsulencë psikologjike funksionale për studentë nuk i kanë madje as universitetet më të mira në vend. Andaj vëmendje e madhe duhet t’i kushtohet këtij aspekti. Nga ana tjetër, kur ky ligj mbron nga diskriminimi, duhet pasur parasysh se pala shqiptare has vështirësi të dalluara në avancimin profesional për arsye të testimit të aftësive gjuhësore më shumë sesa përvojës akademike shumëvjeçare kur vjen çështja te avancimi me licenca apo edhe provime shtetërore, gjë që është një diskriminim në bazë etnie. Përderisa një fakultet akrediton programin në gjuhën amtare të studentëve, pastaj duhet të japë edhe mundësi për implementim.

Pasi që tek ne gjithçka është perfekte, por vetëm në teori

Kushtet infrastrukturore dhe tregu i punës

Përveç këtyre, studentët në vende të ndryshme hasin kushte jo të përshtatshme infrastrukturore, përballen me mungesë literature, laboratorë të denjë, si dhe hendek mes kërkesës së tregut dhe programeve studimore të akredituara.

Kurse sa i përket punës profesionale, është diçka për të cilën duhet t’i kushtohet vëmendje jo vetëm në arsimin e lartë, por kryesisht në atë të mesëm, me qëllim të avancimit dhe motivimit të studentëve drejt lëndëve më profesionale, për të cilat hasim mungesë në treg.

Përmirësimi i këtyre pikave në pjesën e studentëve do të ndikonte në përmirësimin e cilësisë së jetës studimore.

Çfarë po ndërmerr sinqerisht ministria ndaj fenomenit të “ikjes së trurit”, apo bën gjithçka të mundur që ky fenomen të thellohet?

Fshehtësia në këto reforma është ajo që të mbetemi aty ku nuk kemi qenë, por të kthehemi pak pas, ku një njeri vendos dhe të tjerët s’mund të bëjnë gjë veçse të duartrokasin.

Kjo reformë ka edhe efekte pozitive edhe negative.

Pozitivet nuk dua t’i përmend për arsye se janë pak relevante në detin e aspekteve të tjera negative.

Por të paktën jemi drejt realizimit të ëndrrës evropiane, apo jo? Përderisa standardet evropiane studentëve ua realizojnë ëndrrat e tyre, duke u ofruar studime të paharrueshme, shteti ynë ka ngatërruar diçka gjatë krijimit të strategjisë së tij dhe është duke ua realizuar studentëve tanë diçka… por neve vetëm zhgënjime.

Dhe e gjithë kjo pse vjen? Vjen sepse asgjë nuk është krijuar në dialog.

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top