MË SHUMË PARA VETËM PËR MË TË MIRËT: SI DO TË NDRYSHOJË FINANCIMI I UNIVERSITETEVE?
Nisma e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të miratuar tre ligje të reja në fushën e arsimit të lartë dhe shkencës edhe pse vlerësohet të jetë në fazën e finalizimit, megjithatë brenda kohës përsëri ka prodhuar debate, gjegjësisht kundërshtime, sidomos pas lajmit se asnjë universitet i Maqedonisë së Veriut nuk është renditur në listën më të fundit “Global 2000” të Qendrës për renditjen e universiteteve botërore. Ky lajm duket se edhe një herë ka ngritur çështjen e gjendjes së arsimit të lartë, të prodhimit shkencor dhe dukshmërisë ndërkombëtare të universiteteve të Maqedonisë së Veriut. Mediat kanë bërë të ditur se universiteti më i vjetër dhe më i madh në vend, as nuk është në listë. Në vitet e mëparshme, Universiteti i Shën Kirilit dhe Metodit ishte i vetmi përfaqësues nga Maqedonia e Veriut midis 2.000 universiteteve më të mira në botë. Në vitin 2024, UKM ishte në vendin e 1.990-të, por në vitin 2025 ra nga kjo renditje.
Ndërkohë që ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka vënë në dukje se paketa e re ligjore mbetet një përpjekje serioze për ngritjen e cilësisë akademike dhe fuqizimin e kërkimit shkencor, ish-politikani Tito Petkovski ka theksuar se për të mos mbetur në fund, është e nevojshme të bëhen ndryshime rrënjësore në arsimin e lartë, veçanërisht pasi një ligj i ri është në proces.
“Sipas mendimit tim, ligji i ri për arsimin e lartë është hartuar për t’i bërë të heshtin brezat e rinj, në mënyrë që ata të manipulohen më lehtë”, ka theksuar Tito Petkovski.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ndërkohë ka prezantuar aspektet më të rëndësishme të ligjeve të reja për arsimin e lartë, për cilësinë në arsimin e lartë dhe shkencën, si dhe për veprimtarinë kërkimoro -shkencore , nga të cilat dy të parat tashmë janë publikuar në sistemin ENER dhe janë të disponueshme për komente dhe sugjerime nga opinioni.
“Ndaj lajm të mirë për studentët që me bursë nga shteti studiojnë në 100 universitetet më të mira në botë, ose që studiojnë në Maqedoni dhe janë fitues të “ Unaza Inxhinierike” ose janë shpallur studentët më të mirë të universitetit – ata do të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore, si kuadër mësimor-shkencor. Kjo është një nga risitë e Ligjit për Arsimin e Lartë,” ka theksuar Janevska.
Ndërkohë tashmë është përcaktuar mënyrë e re e financimit të universiteteve. Parashikohet komponentë zhvillimore dhe komponentë e jashtëzakonshme për sukses, që do të thotë më shumë të holla për universitetet që arrijnë të përmbushin kritere të caktuara më të larta. Kjo, sipas ministres Janevska, do të stimulojë konkurrencën, ndërsa konkurrenca do të sjell cilësi.
“Po përforcojmë kriteret për avancimin në tituj akademikë në fakultete. Nga tani secili që aplikon për zgjedhje në titullin – docent, profesor ordinar ose profesor i rregullt varësisht nga titulli do të obligohet deri para zgjedhjes të përgatisë dhe publikojë nga 6 deri në 7 punime shkencore, nga të cilat 3-4 duhet të jenë botuar në revista me faktor ndikimi sipas bazave Web of Science ose Scopus. Kjo është e rëndësishme, sepse statistikat botërore tregojnë se, për një universitet që të renditet ndër 1000 më të mirët në listën e Shangait, duhet të publikojë të paktën 1,200 punime në revista me faktor ndikimi çdo vit. Universitetet tona publikojnë midis 300 dhe 500 punime në vit, dhe këtë duhet ta ndryshojmë”, ka theksuar ministrja Janevska.
Ajo ka bërë të ditur se për profesorët të cilët janë në proces zgjedhjeje të titullit, do të ketë lehtësime në procedurë, si dhe se ligji i ri parashikon që një profesor mund të mbetet përgjithmonë në të njëjtin titull nëse i përmbush kushtet për atë titull në çdo zgjedhje të mëtejshme.
Profesorët e rregullt të zgjedhur njëherë në të ardhmen, sipas ligjit të ri, do të rizgjedhen pas 7 vitesh. Ata që tashmë janë zgjedhur profesorë të rregullt nuk do të përfshihen nga ky ligj, ndërsa komuniteti akademik bëhet i vetëm në të gjithë territorin. Mandati i rektorëve do të jetë 4 vite në vend të 3 viteve aktuale, ndërsa ndryshohet edhe gjithashtu modeli i zgjedhjes së rektorit.
Ligji parashikon që të futen edhe studime profesionale të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë me mundësi për vazhdim në studime akademike, si dhe programe të shkurtra profesionale për përvetësimin e njohurive specialistike. Për të nxitur transparencën e punës së universiteteve shtetërore, do të aktivizohen bordet e besimit publik dhe këshillat e universiteteve, të cilat më parë nuk funksiononin. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Shkencën merr më shumë obligime.
“Pagat nuk janë më lëndë diskutimi. Јanë rritur me 14% vitin e kaluar, ndërsa është rritur edhe buxheti për mbështetjen të veprimtarisë kërkimore-shkencore nga 380 milionë denarë në vitin 2024, në 773 milionë denarë këtë vit. Më shumë se dyfish”, ka theksuar Janevska.
Gjithashtu bëhet e ditur se do të sillet edhe Ligj i ri për Cilësinë në Arsimin e Lartë dhe Veprimtarinë Kërkimore Shkencore, me të cilin parashihet riorganizimi dhe ringjallja e rolit të Agjencisë për Cilësi, e cila gjatë 5 viteve të ekzistencës, ka kryer vetëm akreditimin e programeve studimore, por jo edhe evaluimin.
“Risi është se, në vend të dy bordeve për akreditim dhe evaluim, ligji parashikon një Këshill i cili do të punojë me komisione profesionale. Definimi i procedurave për evaluim, vetëvlerësim, akreditim, mbikëqyrje mbi punën e institucioneve të arsimit të lartë dhe subjekteve kërkimore-shkencore, etj. Kemi analizuar struktura të këtij lloji institucionesh në vende të tjera dhe vlerësojmë se vendosja e re organizative e ACAL-së do të japë rezultate më të mira”, ka theksuar Janevska.
I treti është Ligji për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore, i cili parashikon llojet e institucioneve shkencore, ndarjen e mjeteve për projekte kërkimore-shkencore, financimin e instituteve shkencore dhe qendrave të ekselencës, definimin e qartë të procedurave për zgjedhjen në tituj shkencorë të hulumtuesve.
“Ligji është në korrelacion të ngushtë me dy ligjet e tjerë, prandaj pres që Kuvendi njëkohësisht t’i miratojë të gjithë, nënkuptohet pas dorëzimit paraprak të teksteve më të mira që do të dalin nga debati publik të cilin si Qeveri e filluam të hënën. Debatet do të mbahen edhe në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, ndërsa shpresoj edhe në diskutim cilësor në Kuvend”, ka theksuar Janevska.
Megjithatë, ish-kryetari i Kuvendit dhe një nga figurat e njohura të jetës politike në vend, Tito Petkovsk nuk e sheh këtë proces me optimizëm. Sipas Petkovskit, problemi nuk qëndron vetëm te kriteret e avancimit apo mekanizmat e akreditimit, por te vetë struktura e sistemit universitar.
“Maqedonia, si një vend me pak më shumë se 1.500.000 banorë, nuk ka nevojë për gjashtë universitete. Një sistem i tillë organizimi do të vazhdojë të prodhojë studentë të arsimuar dobët dhe staf mësimdhënës me cilësi të ulët”, ka theksuar ai.
Petkovski e lidhi këtë drejtpërdrejt me politikat e viteve të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. “Ky është vetëm një vazhdim i katastrofës që VMRO-DPMNE-ja e udhëhequr nga Gruevski krijoi në vitin 2007, duke hapur universitete në çdo qytet të vendit”, ka theksuar Petkovski.
Pavarësisht argumenteve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës se paketa e re ligjore do të krijojë standarde më të larta akademike, do të rrisë prodhimin shkencor dhe do të forcojë konkurrueshmërinë e universiteteve, debati i hapur tregon se kriza e arsimit të lartë nuk shihet vetëm si problem normativ. Renditja jashtë listave relevante ndërkombëtare, numri i ulët i publikimeve shkencore dhe mungesa e dukshmërisë globale kanë nxitur dilema më të thella për modelin e zhvillimit të universiteteve në vend. Në këtë kuptim, ligjet e reja paraqesin një përpjekje për të adresuar disa nga dobësitë e sistemit, por mbetet për t’u parë nëse ndryshimet ligjore do të shoqërohen edhe me reforma substanciale në praktikë.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
