UNIVERSITETET DHE TREGU I PUNËS: A PO ARRIN ARSIMI I LARTË T’U PËRGJIGJET NEVOJAVE TË REJA TË EKONOMISË?
Përshtatja e programeve universitare me nevojat e tregut të punës vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. Prej vitesh, ekspertë të arsimit dhe përfaqësues të sektorit privat kanë ngritur shqetësimin se një pjesë e programeve studimore nuk ndryshojnë me të njëjtin ritëm me zhvillimet në tregun e punës, i cili kërkon gjithnjë e më shumë aftësi praktike, kompetenca teknike dhe njohuri në fusha të reja si teknologjia dhe analiza e të dhënave.
Përballë këtyre ndryshimeve, disa universitete kanë nisur të përshtatin ofertën e tyre akademike duke krijuar programe të reja që synojnë t’u përgjigjen kërkesave të ekonomisë digjitale.
Universiteti i Evropës Juglindore është një prej institucioneve që ka hapur programe të reja në këtë drejtim, përfshirë programin “Biznes Analitikë dhe Inteligjencë Artificiale”, i cili synon të kombinojë njohuritë e biznesit me aftësitë analitike dhe teknologjitë e reja.
Por, sipas dekanes së Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë në këtë universitet, Blerta Abazi, sfida kryesore mbetet ritmi i ndryshimit të universiteteve krahasuar me atë të tregut të punës.
“Tregu ndryshon në muaj, ndërsa universitetet, të cilat janë të akredituara, ndryshojnë në vite”, thotë Abazi.
Ajo vlerëson se universitetet kanë një problem strukturor në përshtatjen e shpejtë të programeve studimore, për shkak të procedurave dhe kërkesave të akreditimit. Megjithatë, sipas saj, kjo nuk do të thotë se institucionet e arsimit të lartë nuk po ndërmarrin hapa për t’iu përshtatur nevojave të reja.
Abazi thekson se disa universitete tashmë po krijojnë programe që jo vetëm adresojnë kërkesat aktuale të tregut, por synojnë edhe të parashikojnë profesionet e së ardhmes.
“Jo të gjitha universitetet janë duke prodhuar kuadro të cilët nuk u përshtaten nevojave të tregut. Ka universitete, madje shumica e universiteteve dalin me programe të reja studimore të cilat janë atraktive për tregun e punës”, shprehet ajo.
Sipas saj, një shembull konkret janë programet në fushën e biznes analitikës dhe inteligjencës artificiale, të cilat synojnë të përgatisin studentët për një treg pune ku përdorimi i teknologjisë dhe analizës së të dhënave po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Megjithatë, Abazi konsideron se vetëm ndryshimi i programeve universitare nuk është i mjaftueshëm. Sipas saj, nevojitet një bashkëpunim më i thellë mes universiteteve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore, në mënyrë që studentët të kenë më shumë mundësi për përvojë praktike gjatë studimeve.
Ajo propozon që në arsimin e lartë të forcohen edhe format e studimit dual, ku një pjesë e procesit arsimor zhvillohet në kompani, ndërsa pjesa tjetër në universitet.
“Do të ishte mirë të bëhen programe duale, në drejtim të asaj që një pjesë e studimit të realizohet në kompani dhe pjesa tjetër në bankat universitare. Kjo ndoshta do të kishte thyer disa barriera mes akademisë dhe komunitetit të biznesit apo tregut të punës”, thotë Abazi.
Sipas saj, universitetet duhet të fokusohen më shumë në zhvillimin e aftësive praktike dhe teknike, pasi studentët kanë nevojë për njohuri që mund t’i përdorin drejtpërdrejt në vendin e punës.
Abazi shton se përfshirja më e madhe e kompanive përmes mentorimit dhe programeve të praktikës profesionale do t’u mundësonte studentëve të fitojnë përvojë që gjatë studimeve dhe do ta lehtësonte kalimin e tyre nga universiteti në tregun e punës.
Të dhënat e fundit tregojnë se mbi 8.000 persona me arsim të lartë në Maqedoninë e Veriut janë në pritje të një vendi pune, ndërsa punëdhënësit raportojnë mungesë të kuadrove me aftësi praktike dhe teknike në fusha si teknologjia e informacionit, analiza e të dhënave dhe biznesi.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

