PROGRAMET UNIVERSITARE NËN LUPËN E REFORMAVE: ÇFARË DUHET TË NDRYSHOJË NË ARSIMIN E LARTË?
Sistemi aktual i akreditimit të programeve universitare në Maqedoninë e Veriut nuk arrin gjithmonë të vlerësojë cilësinë dhe relevancën e arsimit të lartë, pasi fokusohet më shumë në përmbushjen e kritereve teknike sesa në atë nëse programet studimore u përgjigjen nevojave reale të shoqërisë dhe ekonomisë.
Kështu vlerëson drejtori i Institutit për Shkenca Shoqërore dhe Humaniste (IOHN-S), Marjan Bojaxhiev, i cili thotë se mungesa e fleksibilitetit në sistemin e akreditimit e vështirëson përshtatjen e shpejtë të universiteteve me ndryshimet në tregun e punës.
Sipas tij, programet universitare prej vitesh kanë pasur një harmonizim të pamjaftueshëm me nevojat reale, ndërsa procesi i riakreditimit shpesh mbetet i përqendruar në elemente teknike.

“Problemi është se sistemi aktual i akreditimit është shumë i ngadalshëm. Riakreditimi bazohet në përmbushjen e disa kushteve teknike, si numri i tualeteve, metrave katrorë e kështu me radhë. Askush nuk e sheh thelbin – nëse ato programe u përgjigjen nevojave të komunitetit apo sa efektive kanë qenë në periudhën e kaluar”, thotë Bojaxhiev.
Ai vlerëson se paketa e re e ligjeve për arsimin e lartë paraqet një hap pozitiv, pasi krijon më shumë mundësi për universitetet që të reagojnë më shpejt ndaj ndryshimeve dhe të fusin lëndë e kurrikula të reja.
“Paketa e re e ligjeve për arsimin e lartë, de facto, e zgjidh edhe këtë problem, sepse është shumë më fleksibile në aspektin e futjes së lëndëve dhe kurrikulave të reja”, shprehet Bojaxhiev.
Sipas tij, përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë kërkon edhe një lidhje më të fortë mes universiteteve dhe sektorit privat. Ai thekson se ekspertët nga praktika dhe përfaqësuesit e biznesit duhet të kenë rol më të madh në vlerësimin e studentëve, përfshirë proceset e mbrojtjes së diplomave dhe punimeve të magjistraturës.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas Bojaxhievit, është zhvillimi i arsimit dual edhe në nivelin universitar. Ai kujton se ky model tashmë është bërë standard në arsimin e mesëm profesional, ndërsa Oda Ekonomike prej kohësh angazhohet që ai të zbatohet edhe në arsimin e lartë.
“Arsimi dual tani është bërë standard në arsimin e mesëm. Oda Ekonomike prej kohësh angazhohet për zbatimin e tij edhe në arsimin e lartë. Me gjasë, do të ecet në atë drejtim”, thotë ai.
Bojaxhiev vlerëson se reformat në arsim, ndryshimi i mënyrës së financimit dhe zbatimi i paketës së re ligjore, veçanërisht në pjesën e cilësisë së arsimit të lartë, mund të kenë ndikim pozitiv në përmirësimin e sistemit.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

