A E NDIHMON TURIZMIN ANËTARËSIMI I RMV-SË NË BE?

Agjencia për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit, deklaroi për Eurothink se vitet e fundit turizmi në Maqedoninë e Veriut ka shënuar një trend pozitiv në rritjen e xhiros turistike. Nga atje thanë se agjenda për zbatimin e standardeve të qëndrueshme po përparon në mbarë botën dhe Bashkimi Evropian ka ambicien të marrë një rol udhëheqës. Nga ana tjetër, i pyetur nga Eurothink se a do i ndihmojë turizmi Maqedonisë të hyjë më shpejtë në BE apo anëtarësimi i Maqedonisë do t’i ndihmonte turizmit, Zoran Stavrevski nga organizata “Free Skopje Walking Tours” ngre alarmin se ne si vend nuk po shkojmë askund me pakujdesin ndaj bukurive natyrore që na kanë mbetur si thesar. Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit iu bën thirrje autoriteteve të angazhohen më shumë në mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore si Liqenin e Ohrit dhe Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Autore: Anëmsha Shabani

Mesatarja e qëndrimit të vizitorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut është 1.9 netë, sipas të dhënave zyrtare të fundit të Agjencisë së Promovimit dhe Mbështetjes së Turizmit. Kjo përbën një rënie nga viti 2021, kur mesatarja e qëndrimit ishte 2.3 netë.

Progresi në xhiron turistike

Institucioni i themeluar nga Qeveria – Agjencia për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit, deklaroi për Eurothink se vitet e fundit turizmi në Maqedoninë e Veriut ka shënuar një trend pozitiv në rritjen e xhiros turistike.

“Turizmi në vendin tonë ka ngritje me afërsisht 1.2 milionë turistë të huaj dhe afërsisht 3.2 milionë fjetje. Tendencë pozitive vihet re edhe në fluksin valutor të vendit tonë, i cili në vitin 2023 është 25 për qind më i lartë se në vitin 2022. Por pavarësisht kësaj, një nga sfidat bazë me të cilat përballemi është arritja e një konjukture të favorshme midis ofertës dhe kërkesës, me synimin për të rritur përqindjen e zënies së objekteve akomoduese dhe për të promovuar destinacionin”, thanë nga atje.

Turizmi i qëndrueshëm

Nga Agjencia për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit thanë se agjenda për qëndrueshmërinë dhe zbatimin e standardeve të qëndrueshme po përparon në mbarë botën dhe Bashkimi Evropian ka ambicien të marrë një rol udhëheqës.

“Harmonizimi i legjislacionit dhe praktikave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me legjislacionin e BE-së duhet të jetë në fokusin tonë të vazhdueshëm. Megjithatë, për vendin tonë, një rëndësi të madhe ka zhvillimi i turizmit bazuar në komunitetin lokal, i cili vitet e fundit është kthyer në një segment popullor të zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në mbarë botën. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të sigurojmë mirëqenien dhe fuqizimin ekonomik të komunitetit, veçanërisht sepse Maqedonia është një vend autentik, unik dhe tradicional dhe ruan vlerat dhe produktet vendore për rritje ekonomike” theksuan ata.

Ata shtojnë se turistët nga vendet evropiane po kërkojnë gjithnjë e më shumë destinacione të reja dhe janë shumë të motivuar nga përvoja autentike dhe të jashtëzakonshme nga komunitetet lokale, ku gjatë udhëtimit, ata duan të shmangin ndikimin negativ të turizmit në mjedis dhe duan të dinë se popullata vendase përfiton drejtpërdrejt nga paratë që shpenzojnë në destinacione.

“Zbatimi i standardeve të qëndrueshme brenda bizneseve apo kompanive do të rrisë përgjegjësinë dhe transparencën e tyre, do të ulë ndikimin negativ në mjedis dhe do të sigurojë stabilitet afatgjatë ekonomik duke krijuar vende të reja pune. Gjithashtu, me zbatimin e këtyre standardeve, ato do të rrisin konkurrencën në tregun evropian, por do të mund të tërheqin edhe financime dhe investime të qëndrueshme” përfundojnë nga Agjencia për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit.

Turizmi ndihmë Maqedonisë për rrugën drejtë BE-së apo e kundërta?!

Nga ana tjetër, i pyetur nga Eurothink se a do i ndihmojë turizmi Maqedonisë të hyjë më shpejtë në BE apo anëtarësimi i Maqedonisë do t’i ndihmonte turizmit, Zoran Stavrevski nga organizata “Free Skopje Walking Tours” ngre alarmin se ne si vend nuk po shkojmë askund me pakujdesin ndaj bukurive natyrore që na kanë mbetur si thesar.

“Personalisht, nuk mendoj se turizmi do ta ndihmojë Maqedoninë të hyjë më shpejt në BE, por mund të përmirësojë dukshëm imazhin e vendit. Të gjithë turistët janë të kënaqur nga mikpritja e njerëzve tanë, por të zhgënjyer nga papastërtitë që lëmë pas. Derisa të bëhemi evropianë dhe të korrigjojmë sjelljen tonë ndaj asaj që kemi si thesare natyrore dhe të tjera, nuk po shkojmë askund”, deklaroi Stavrevski.

Edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut kritikon autoritetet se nuk tregojnë kujdes të duhur ndaj objekteve të trashëgimisë kulturore të cilat përbëjnë edhe atraksione turistike.

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përforcuar reagimin institucional dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe për të parandaluar ndërtimet pa leje. Kjo përfshin mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore me “rëndësi të veçantë”, si liqeni i Ohrit dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. Trashëgimia kulturore e vendit nuk mbrohet sa duhet”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Shkupi 2014 – atraksioni i vetëm turistik

Stavrevski deklaroi se turizmi në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht pas fillimit të projektit Shkupi 2014 dhe subvencionimit të fluturimeve të lira të WizzAir, mori një zhvillim dinamik, ku ka ndikuar që një numër më i madh i turistëve të huaj të vizitojnë vendin tonë, pa qenë pjesë e tureve apo udhëtimeve të organizuara.

“Kishim një rënie drastike gjatë pandemisë, mirëpo me projektin “Shkupi 2014” menjëherë pas pandemisë, gjërat gradualisht filluan të kthehen në normalitet, kështu që në dy vitet e fundit, turizmi filloi të regjistrojë sërish shifra rekord. Megjithatë, besoj se edhe pse Qeveria dhe sektori privat janë duke ndërmarrë aktivitete për përmirësimin e ofertës turistike dhe përmirësimin e punës së subjekteve turistike, por këto aktivitete nuk janë të mjaftueshme për të shfrytëzuar plotësisht objektet tona turistike. Mendoj se thjesht po mbledhim thërrimet që kanë lënë fqinjët tanë, në radhë të parë Shqipëria, Bullgaria dhe Greqia dhe se jemi të kënaqur me rezultate të mira, por relativisht modeste në krahasim me rezultatet në rajon”, shtoi ai.

Ai bëri thirrje t’u kushtohet vëmendje turistëve individual, sepse sipas tij, turistët me organizime qëndrojnë në vendin tonë për një ose dy ditë përpara se të vazhdojnë më tej, ndërsa të ftuarit individualë në përgjithësi kanë më shumë ditë të planifikuara për vizitën e tyre, si dhe është e nevojshme të mundësohet turizëm alternativ më i madh, si: fshati, mali, adrenalina, manastiri, madje edhe turizmi mjekësor.

Ndër të tjera, Agjencia për Promovimin dhe Përkrahjen e Turizmit raporton se në vitin 2023 qarkullimi i turizmit në Maqedoninë e Veriut solli 598 milionë dollarë, një rritje prej 25 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, pavarësisht përfitimeve të mundshme financiare nga turizmi, Maqedonia e Veriut ende nuk ka zhvilluar një strategji të re turistike që nga viti 2021. Aktualisht, Ministria e Ekonomisë është duke zhvilluar një plan të ri që do të theksojë turizmin aktiv, eko-miqësor, rural, turizmin me banja dhe atë kulturor.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top