A PO PËRSHTATEN PROGRAMET STUDIMORE ME NEVOJAT E EKONOMISË?
Në Maqedoninë e Veriut, ndryshimet e shpejta në ekonomi dhe teknologji kanë ngritur pyetjen nëse sistemi i arsimit të lartë po arrin të përgatisë kuadro që përputhen me kërkesat e tregut të punës. Edhe pse në vitet e fundit janë hapur universitete dhe programe të reja studimore, ekspertët vlerësojnë se ende ekziston një hendek mes aftësive që fitojnë studentët gjatë studimeve dhe kompetencave që kërkojnë punëdhënësit.
Gazetari dhe drejtuesi i Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP, Goran Lefkov, thotë se një pjesë e madhe e programeve universitare vazhdojnë të mbështeten në modele të vjetra, të krijuara për një periudhë kur ekonomia dhe nevojat e tregut ishin të ndryshme.
“Programet universitare në Maqedoninë e Veriut, sipas mendimit tim, janë mjaft të vjetruara. Ende mbështeten në një model të kohëve të mëparshme, kur specializimi profesional ishte i orientuar ndryshe dhe nevojat përcaktoheshin nga ekonomia e planifikuar që kishim në vitet ’90”, thotë Lefkov, në një video analizë për Institutin BIRC.
Sipas tij, gjatë viteve janë ndërmarrë ndryshime në sistemin e arsimit të lartë, përfshirë hapjen e universiteteve private dhe krijimin e programeve të reja studimore. Megjithatë, ai vlerëson se mungesa e një qasjeje afatgjatë dhe sistematike ka bërë që rezultatet e këtyre reformave të mos jenë ato që priteshin.
Lefkov thekson se, edhe pse sot ekzistojnë universitete të reja dhe programe të ndryshme studimore, ende ka situata që tregojnë mungesë koordinimi mes institucioneve arsimore dhe sektorit ekonomik.
“Sot kemi universitete të reja, programe të reja studimore dhe prodhim të kuadrove të reja, por gjithashtu kemi edhe shumë situata paradoksale që tregojnë mungesën e koordinimit mes universiteteve dhe sektorit ekonomik”, shprehet ai.
Si shembull, ai përmend sektorin e shëndetësisë, ku, sipas tij, ekziston një mospërputhje mes numrit të të diplomuarve dhe nevojave reale të sistemit.

“Çdo vit Maqedonia e Veriut prodhon 1000, 1500, apo edhe 2000 mjekë, por si asnjëherë më parë nuk ka pasur mungesë kaq të madhe të mjekëve në sistemin shëndetësor sa ka sot. Madje edhe në vitet ’50 dhe ’60, kur kishte shumë më pak mjekë, mungesa nuk ka qenë kaq e theksuar sa është sot”, thotë Lefkov.
Një analizë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për Maqedoninë e Veriut ka vlerësuar se programet e arsimit të lartë nuk reflektojnë gjithmonë nevojat e tregut të punës. Sipas këtij raporti, kompanitë në vend kanë vështirësi në gjetjen e punëtorëve me aftësi teknike dhe praktike, ndërsa një pjesë e të diplomuarve punojnë në vende pune që nuk përputhen me kualifikimet e tyre.
Hulumtimi thekson se një nga problemet kryesore mbetet mospërputhja mes njohurive të fituara në arsim dhe aftësive që kërkon tregu i punës. OECD ka theksuar se rreth një e treta e të diplomuarve që gjejnë punë kanë kualifikime që nuk përputhen mirë me vendin e tyre të punës, ndërsa një pjesë tjetër janë të mbikualifikuar për pozicionet ku punojnë.
Në anën tjetër, Lefkov, duke folur për reformat që do t’u ndihmonin studentëve të integrohen më lehtë në tregun e punës, thotë se universitetet duhet të vendosin më shumë theks te aftësitë praktike dhe specializimet e ngushta, pasi zhvillimi i shpejtë teknologjik bën që njohuritë teorike të vjetrohen shumë shpejt.
“Duhet të shkohet shumë më tepër drejt njohurive praktike dhe specializimeve të ngushta, sesa të jepen njohuri të gjera, sepse ndërkohë që studentët janë ende në universitet, një pjesë e njohurive të tyre tashmë janë vjetruar për nevojat e tregut të punës”, thotë ai.
Sipas Lefkovit, kjo është veçanërisht e dukshme në fushat që lidhen me inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja, ku ndryshimet janë aq të shpejta sa kërkojnë përditësim të vazhdueshëm të njohurive.
Ai vlerëson se reformat nuk duhet të kufizohen vetëm në arsimin e lartë, por duhet të përfshijnë edhe arsimin e mesëm profesional. Sipas tij, është e nevojshme të riorganizohen drejtimet që nuk i përgjigjen më nevojave të ekonomisë, të forcohet mësimi praktik dhe të krijohen mundësi që të rinjtë të fitojnë përvojë profesionale gjatë procesit arsimor, në mënyrë që pas diplomimit të jenë më të përgatitur për tregun e punës.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

