ARSIMI JOFORMAL FUQIZON TË RINJTË NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Bujar Sinani, koordinator i Erasmus+ në Universitetin e Evropës Juglindore thekson se arsimi joformal ofron aftësi që shpesh mungojnë në kurrikulat e shkollave dhe universiteteve. Lana Nacev, nxënëse e gjimnazit “Orce Nikollov” në Shkup ndan përvojën e saj me Erasmus+, të cilën e përshkruan si transformuese. “Erasmus më nxiti të dal nga zona ime e rehatisë dhe të ndërveproj me njerëz nga kultura të ndryshme,” thotë Nacev. Gentina Abdiji, studente e shkencave mjedisore thekson se Erasmus jo vetëm që ndihmon për zhvillimin personal, por edhe nxit një ndjenjë të identitetit evropian. Për Çlirime Saitin, studente e komunikimit ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore, Erasmus+ ka qenë çelësi për të kuptuar më mirë mundësitë që ofron Bashkimi Evropian. Ramanda Shehu, Ambasadore e Re Evropiane nënvizon se edukimi joformal ndihmon të rinjtë jo vetëm të fitojnë aftësi, por edhe të integrohen më mirë në një komunitet të përbashkët evropian.

Autore: Genta Abdiji

Arsimi joformal është shndërruar në një nga mjetet më të rëndësishme për fuqizimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, duke plotësuar boshllëqet e sistemit tradicional të arsimit dhe duke ndihmuar të rinjtë të përfitojnë aftësi praktike dhe ndërkulturore.

Përmes programit të Bashkimit Evropian, Erasmus+, të rinjtë nga rajoni po ndërtojnë ura lidhëse me bashkëmoshatarët evropianë, duke zhvilluar aftësi që i ndihmojnë për sfidat e së ardhmes.

Përfitimet dhe sfidat e arsimit joformal

Bujar Sinani, koordinator i Erasmus+ në Universitetin e Evropës Juglindore thekson se arsimi joformal ofron aftësi që shpesh mungojnë në kurrikulat e shkollave dhe universiteteve.

“Edukimi joformal është thelbësor për zhvillimin personal dhe profesional të të rinjve,” thekson Sinani.

Megjithatë, ai tërheq vëmendjen edhe ndaj sfidave sikurse mungesa e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes financiare si pengesa kryesore.

“Shumë studentë nuk janë të informuar për këto mundësi, dhe për ata që janë, pengesat financiare mund ta bëjnë të vështirë pjesëmarrjen,” shton ai.

Transformimi përmes Erasmus+: Përvoja e pjesëmarrësve

Lana Nacev, nxënëse e gjimnazit “Orce Nikollov” në Shkup ndan përvojën e saj me Erasmus+, të cilën e përshkruan si transformuese.

“Erasmus më nxiti të dal nga zona ime e rehatisë dhe të ndërveproj me njerëz nga kultura të ndryshme,” thotë Nacev.

Gentina Abdiji, studente e shkencave mjedisore thekson se Erasmus jo vetëm që ndihmon për zhvillimin personal, por edhe nxit një ndjenjë të identitetit evropian.

“Përvoja ime e shkëmbimit studentor në Bamberg të Gjermanisë, më ka treguar se sa shumë kemi të përbashkëta si evropianë, pavarësisht dallimeve kulturore. Kjo më bën të ndihem pjesë e një vizioni më të madh evropian,” thekson Abdiji.

Edukimi joformal si udhërrëfyes për mundësitë evropiane

Për Çlirime Saitin, studente e komunikimit ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore, Erasmus+ ka qenë çelësi për të kuptuar më mirë mundësitë që ofron Bashkimi Evropian.

“Pjesëmarrësit në Erasmus janë më të vetëdijshëm për mundësitë që BE-ja ofron, qoftë për edukim, punësim apo shkëmbime kulturore,” thotë Saiti.

Përvoja e saj semestrale në Heidelberg të Gjermanisë, e ka bërë më të qartë se si të rinjtë mund të lëvizin lirshëm dhe të zhvillojnë karrierën e tyre në një treg më të gjerë evropian.

Ramanda Shehu, Ambasadore e Re Evropiane nënvizon se edukimi joformal ndihmon të rinjtë jo vetëm të fitojnë aftësi, por edhe të integrohen më mirë në një komunitet të përbashkët evropian.

“Programet si Erasmus+ dhe European Solidarity Corps ndihmojnë në tejkalimin e ndasive politike dhe etnike në Ballkan, duke krijuar një platformë të përbashkët për bashkëpunim dhe inovacion,” shprehet ajo.

Rruga Përpara: Rëndësia e integrimit të arsimit joformal

Ndërsa programet si Erasmus+ vazhdojnë të luajnë një rol vendimtar në fuqizimin e të rinjve, Sinani dhe pjesëmarrësit e tjerë bien dakord se është e nevojshme të kapërcehen disa sfida. Këto përfshijnë promovimin më të mirë të mundësive të arsimit joformal, sigurimin e mbështetjes financiare dhe integrimin më të mirë të aftësive të fituara në tregun e punës.

Maqedonia e Veriut: Një angazhim aktiv

Bazuar në Raportin e Komisionit Evropian të vitit 2024, Maqedonia e Veriut mbetet një anëtar aktiv i Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë në kuadër të Procesit të Bolonjës. Në vitin 2023, vendi mori pjesë në 828 projekte Erasmus+ dhe Korpusit Evropian të Solidaritetit duke siguruar fonde prej 7.05 milionë eurosh. Maqedonia e Veriut gjithashtu vazhdon angazhimin e saj në grupet e punës të Zonës Evropiane të Arsimit për periudhën 2021-2025, duke u përshtatur më tej me standardet arsimore të BE-së.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top