VETMIA DHE IZOLIMI, FRIKA MË E MADHE E TË RINJVE

Në bazë të të dhënave të Strategjisë Kombëtare për Shëndetin Mendor të të Rinjve frika më e madhe me të cilën përballen 40% e të rinjve në vend është vetmia, frika nga refuzimi 33%, izolimi nga miqtë 27%. Psikologia Lirie Aliti thekson se ndjenja e izolimit te të rinjtë është në rritje. Sipas psikologes Sabrie Tefiki kujdesi mbi shëndetin mendor duhet të nisë që në moshë të re me edukimin mbi rëndësinë e mirëqenies emocionale dhe strategjive për t’u përballur me sfidat mendore. Rihana Azizi, psikologe thekson se psikoterapia luan rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e kohezionit social.
Genta Abdiji
Një në katër persona në Maqedoninë e Veriut në një periudhë të caktuar të jetës, do të përballen me probleme të shëndetit mendor, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Sipas saj, të rinjtë janë më të prirur të preken nga problemet e shëndetit mendor për shkak të sfidave dhe presioneve me të cilat përballen gjatë kësaj periudhe të jetës.
Në bazë të të dhënave të Strategjisë Kombëtare për Shëndetin Mendor të të Rinjve frika më e madhe me të cilën përballen 40% e të rinjve në vend është vetmia, frika nga refuzimi 33%, izolimi nga miqtë 27%.
Ndenja e izolimit te të rinjtë, në rritje
Psikologia Lirie Aliti thekson se ndjenja e izolimit te të rinjtë është në rritje.
“Duke adresuar vështirësitë që kanë të bëjnë me shëndetin mental, reduktohet izolimi social që tek ne është e prekshme dhe aktuale, rritet ndjenja e përkatësisë dhe krijohet një kulturë më e hapur e mirëqenies kolektive”, thekson Aliti.
Sipas një hulumtimi të Fakultetit të Filozofisë nga viti 2021, sfidat më të mëdha që lidhen me shëndetin mendor te të rinjtë janë: depresioni (64%), stresi (55%), ankthi (58%), vetëvrasjet (56%) dhe përgjithësisht kujdesi dhe mbështetja për shëndetin mendor (67%).
Psikologia Aliti vlerëson se Maqedonia e Veriut duhet të angazhohet në mënyrë serioze në adresimin e çështjes së shëndetit mendor.
“Maqedonia e Veriut mund të ndërmarrë disa hapa duke filluar nga integrimi i tij në politikat e përgjithshme shëndetësore, zgjerimi i shërbimeve të shëndetit mendor në nivel komuniteti, duke i bërë ato më të aksesueshme dhe të pranueshme për të gjithë. Duhet të punohet shumë në trajtimin e stigmës që rrethon çështjet e shëndetit mendor përmes edukimit publik dhe fushatave për ndërgjegjësim. Dhe së fundmi, bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare dhe shkëmbimi i përvojave me vende që kanë sisteme më të zhvilluara në këtë fushë, duke marrë modele që mund të përshtaten sipas nevojave tona”, thekson Aliti.
Vetëvrasja, arsyeja e katërt për vdekjen e të rinjve nga mosha 15-19 vjeçare
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë vetëvrasja është arsyeja e katërt për vdekjen e të rinjve nga mosha 15 deri 19-vjeçare. Ndërkaq shqetësuese janë të dhënat lidhur me numrin e vogël të të rinjve që kërkojnë ndihmë.
Sipas hulumtimit të Fakultetit të Filozofisë, 50% e të rinjve të anketuar nuk kërkojnë ndihmë pasi ndihen të turpëruar, 47% nuk kërkojnë ndihmë për shkak të harxhimeve, 47% vlerësojnë se problemet e tyre nuk janë aq të mëdha, 47% nuk dëshirojnë të paragjykohen, 45% ndihen të frikësuar ndërsa 39% nuk dinë me kë të bisedojnë. Sipas publikimit të “Të Rinjtë Munden”, vetëm rreth 20% e të rinjve marrin trajtimin e duhur në kohë.
Kujdesi mbi shëndetin mendor të nisë në moshë të re
Sipas psikologes Sabrie Tefiki kujdesi mbi shëndetin mendor duhet të nisë që në moshë të re me edukimin mbi rëndësinë e mirëqenies emocionale dhe strategjive për t’u përballur me sfidat mendore.
“Të krijohen hapësira të sigurta ku individët mund të ndajnë përvojat e tyre pa u gjykuar qoftë nëpër seminare, punëtori. Psikologët, mësuesit dhe figura me ndikim në komunitet mund të ndihmojnë në zbutjen e stigmës duke folur hapur për çështjet e shëndetit mendor. Përdorimi i platformave sociale duhet të jetë një sferë që assesi nuk duhet të anashkalohet, ku mund të targetojmë audiencën për të shpërndarë informacion mbi shëndetin mendor dhe shërbimet ekzistuese”, thekson Tefiki.
Ajo shton se shëndeti mendor është një shtyllë kryesore për ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm dhe më të bashkuar.
“Individët që ndihen të mbështetur emocionalisht dhe kanë qasje në ndihmën psikologjike janë më të prirur të kontribuojnë pozitivisht në mjediset ku jetojnë dhe punojnë”, thekson Tefiki.
Sipas saj, shëndeti mendor ndikon drejtpërdrejt në ndjenjën e përkatësisë dhe bashkëpunimit brenda një grupi.
“Për shembull, kur njerëzit ndihen mirë emocionalisht, ata janë më të gatshëm të tregojnë empati, të ndërmarrin iniciativa dhe të zgjidhin konfliktet me mënyra konstruktive, duke forcuar kështu kohezionin dhe harmoninë”, shton Tefiki.
Psikoterapia dhe ndikimi i saj
Rihana Azizi, psikologe thekson se psikoterapia luan rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e kohezionit social.
“Ajo ndihmon individët të zhvillojnë aftësi emocionale dhe të menaxhojnë stresin, të përmirësojnë marrëdhëniet dhe të realizojnë qëllimet personale dhe profesionale. Kur njerëzit arrijnë të menaxhojnë traumat ose trazirat emocionale përmes psikoterapisë, ata bëhen më të angazhuar dhe më bashkëpunues në shoqëri, duke forcuar kështu kohezionin social,” thekson Azizi.
Ajo shton se në një vend si Maqedonia e Veriut, me shumëllojshmëri etnike dhe kulturore, psikoterapia mund të ndihmojë në kapërcimin e paragjykimeve dhe ndërtimin e marrëdhënieve më bashkëpunuese.
Thuajse gjysma e evropianëve përballen me probleme të shëndetit mendor
Çështja e trajtimit të shëndetit mendor nuk është sfidë vetëm për vendin por edhe Bashkimin Evropian. Në bazë të të dhënave të Eurobarometrit për vitin 2023, 46% e të anketuarve kanë përjetuar ndonjë problem emocional ose psiko-social, siç është ndjenja e depresionit ose ankthit. 54% e të anketuarve që kanë pasur probleme me shëndetin mendor nuk kanë marrë ndihmë profesionale.
Të dhënat e Eurobarometrit gjithashtu nxjerrin në pah se 62% e qytetarëve të BE-së janë ndikuar “disi” ose “në një masë të madhe” nga pandemia e COVID-19, agresioni rus ndaj Ukrainës, kriza klimatike, papunësia dhe kostot e ushqimit dhe energjisë.
Forcimi i sistemeve shëndetësore përmes EU4Health
Bashkimi Evropian prej vitesh ka vendosur si prioritet adresimin e problemeve që ndikojnë te shëndeti mendor i qytetarëve. Një sërë projektesh realizohen përmes programit EU4Health, Horizon 2020 dhe Horizon Europe, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe dhe UNICEF.
Aktualisht parashikohen 20 nisma kryesore me mundësi financimi në nivel të BE-së me vlerë prej 1.23 miliardë euro. Këto nisma kryesore trajtojnë fusha kyçe që lidhen me promovimin e një shëndeti të mirë mendor, parandalimin e problemeve të shëndetit mendor, ndihmën për ata që kanë më shumë nevojë dhe mbështetjen e grupeve të cenueshme, reformat kombëtare për shëndetin mendor, luftimin e stigmës dhe diskriminimit, si dhe gamën e gjerë të faktorëve socio-ekonomikë që ndikojnë në shëndetin mendor.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.