DËSHTIMI I “SHPORTËS SË VITIT TË RI” – MASHTRIMI I SUPERMARKETEVE APO PAAFTËSIA E QEVERISË

Zinxhirët e supermarketeve në kapitalizëm po shfaqen si shfrytëzues më të pamëshirshëm, veçanërisht në vendet pa një ekonomi tregu të konsoliduar. Ata keqpërdorin edhe atë që prodhon, edhe atë që konsumon. Bujqit dhe prodhuesit rrisin produktivitetin, ndërsa punëtorët prapëseprapë ngelin të uritur.

Shkruan: Xhelal Neziri

Maqedonia e Veriut me kushtetutë është shtet social. Kjo do të thotë se shteti obligohet të mbajë barazi sociale midis shtresave të ndryshme. Me fjalë tjera – dallimi midis të pasurve dhe të varfërve të jetë minimal. Për t’u arritur kjo, shteti social obligohet të sigurojë shpërndarje të drejtë të të mirave dhe kapitalit. Kështu shkruhet në letrën e quajtur Kushtetutë, e që duhej të shërbente si kontratë e përgjithshme shoqërore. Realiteti na shfaq një kapitalizëm të egër – nga të ardhurat totale të qytetarëve prej 3.4 miliardë eurosh, 470 milionë euro shkojnë te vetëm 1% e përfituesve.

Shporta e konsumatorëve, që nënkupton shpenzimet e përgjithshme minimale për një familje katëranëtarshe (ushqim, veshmbathje, udhëtim…), në muajin e fundit kanë shkuar në 63 mijë denarë, kurse shpenzimet vetëm për produktet ushqimore bazë – në 24 mijë denarë. Ndërkohë, paga minimale është vetëm afër 22 mijë denarë.

Masat qeveritare për të zbutur këtë hendek të madh midis të pasurve dhe të varfërve deri më tash janë treguar pa rezultatet e dëshirueshme. E tillë ishte edhe “marrëveshja xhentëlmene” midis Qeverisë dhe supermarketeve për të krijuar të ashtuquajturën “Shporta e Vitit të Ri”, ku do të lirohen afër 60 prodhime bazike ushqimore në periudhën e festive të fundvitit. Por, kreativiteti i supermarketeve u shfaq në sytë e klientëve: kishin ulur çmimet e ushqimeve bazike, por kishin rritur çmimet e prodhimeve tjera.

Kryeministri Hristijan Mickoski i qortoi publikisht zinxhirët e supermarketeve, me fjalët “turp të kenë”. A mjafton kjo? Natyrisht se jo.

Shembulli i shteteve të zhvilluara

Njëjtë si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, edhe sektori i ushqimit në shtetet serioze shihet si interes shtetëror. Biznesi me ushqimin po krijon një elitë të vogël të njerëzve të pasur, duke përfitua nga nevoja më bazike e njerëzve – nevoja për të ngrënë. Në këtë proces të sjelljes së ushqimit nga prodhuesi e deri te tavolina e njerëzve, më shumë fitime realizojnë ndërmjetësit – zinxhirët e mëdha të supermarketeve. Ata përfitojnë edhe nga prodhuesit (sidomos bujqit) edhe nga blerësit, duke numëruar fitime marramendëse në kurriz të tyre. Në botën moderne, këto supermarkete bëjnë eksploatime klasike duke përdorur mungesën e zbatimit të njëmendtë të shtetit social.

Madje edhe në Norvegji, pra në shtetin më të pasur të Evropës, ka kohë që zhvillohet debati i nacionalizimit të supermarketeve. Me fjalë tjera kërkohet që, – njëjtë si në arsim, shëndetësi, transport, energji…- të ketë edhe supermarkete që do të jenë në pronë shtetërore. Pra, përskaj atyre private, të themelohen supermarkete që do të menaxhoheshin nga shteti pikërisht për të mbrojtur prodhuesit dhe blerësit nga eksploatimi magnatëve të supermarketeve.

Argumenti për nacionalizimin e gjërave ushqimore bazike në Norvegji ka të bëjë me mbajtjen e një përgjegjësie morale, e jo me rregullimin e çekuilibrimeve sociale.  Ekspertët atje thonë se ushqimi duhet të lidhet vetëm me nevojën e njeriut, e jo të shndërrohet në mjet për akumulimin e pasurisë në kurriz të të tjerëve. Sipas tyre,  supermarketet shtetërore, në fakt, janë rimendim i shpërndarjes së ushqimit si nevojë dhe e drejtë universale e njeriut. Do të ishin nxitja për një shoqërie të barabartë, ku nevojat bazë si ushqimi janë të arritshme për të gjithë.

Jo vetëm në Norvegji, por edhe në shtete tjera të zhvilluara ka ndërhyrë përnjëmend shteti me zgjidhje që mund të duken edhe radikale, por që mbrojnë qytetarin e rëndomtë. Autoritetet në SHBA nuk kanë ngurruar të përdorin nacionalizimin e ndërmarrjeve apo veprimtarive private në rast të krizave që kanë rrezikuar pjesën më të madhe të njerëzve që jetojnë atje. Për shembull: demokrati Woodrow Wilson  nacionalizoi hekurudhat, industrinë e telefonisë, telegrafit dhe radios. Republikanin Ronald Reagan, ndërkaq, nacionalizoi një bankë kombëtare të madhe. Demokrati Franklin D. Roosevelt nacionalizoi dhjetëra objekte minierash dhe prodhimi, kurse republikani George W. Bush nacionalizoi sigurinë në aeroporte dhe disa institucione të mëdha financiare. Një anketë e vitit 2020 tregon se 63% e amerikanëve mbështesin një sistem të nacionalizuar të kujdesit shëndetësor.

Në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar qeveria britanike nacionalizoi kompaninë British Leyland, një prodhues i madh automobilash. Ky veprim u ndërmor për të ruajtur industrinë kombëtare të prodhimit të makinave, që ishte një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveria franceze nën udhëheqjen e Çarls de Golle nacionalizoi disa kompani të rëndësishme në industrinë e energjisë, automobilave dhe sektorin bankar.

Në vitin 2008, qeveria argjentinase nën udhëheqjen e Kristina Fernandez de Kirshner nacionalizoi kompaninë e madhe pensioneve private (AFJP). Ndërhyrjet qeveritare në Argjentinë prekën gjithashtu sektorë që përfshinin konsum të gjerë, si prodhimin e produkteve ushqimore dhe të energjisë.

Të “lidhur” nga “zinxhirët” e elitave  

Zinxhirët e supermarketeve në kapitalizëm po shfaqen si shfrytëzues më të pamëshirshëm, veçanërisht në vendet pa një ekonomi tregu të konsoliduar. Ata keqpërdorin edhe atë që prodhon, edhe atë që konsumon. Bujqit dhe prodhuesit rrisin produktivitetin, ndërsa punëtorët prapëseprapë ngelin të uritur.  Rregullimi i padrejtësive të sistemit ushqimor duhet të jetë një prioritet i lartë për shtetet sociale, si Maqedonia e Veriut.  Supermarketet shtetërore, të menaxhuara në interes të prodhuesve, punëtorëve dhe blerësve mund të jetë një masë më e mirë që do përmirësojë jetën e qytetarëve, sesa masat që ngrijnë çmimet përkohësisht apo i zvogëlojnë për një gamë produktesh ushqimore vetëm para festave.

Kjo çështje nuk duhet parë bardh e zi.  Ky problem përfshin dimensionet ekonomike, etike dhe shoqërore. Obligimi kushtetues për barazi shoqërore, të drejtat universale të njeriut (liria nga skllavërimi, nga tortura, e drejta për jetë, punë, ushqim, shërim…) dhe vlerat e rrënjosura thellë për mirëqenie dhe barazi, duhet të jenë shtytës për të gjetur zgjidhjen e duhur ndaj këtyre padrejtësive.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top