MAQEDONIA E VERIUT E (PA)PËRGATITUR PËR TRANZICIONIN E GJELBËR

“Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e energjisë. Pak progres është bërë sa i përket energjisë së rinovueshme përmes investimeve në impiantet diellore dhe interkonektorët e gazit”, theksohet në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit. Ekspertët theksojnë se mbështetja e institucioneve evropiane, sikurse e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), ka qenë thelbësore për nxitjen e projekteve të gjelbra dhe zhvillimin e kapaciteteve për menaxhimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike. Sipas tyre, tranzicioni i gjelbër jo vetëm që i afron standardet kombëtare me ato evropiane, por gjithashtu kontribuon në një ekonomi më të qëndrueshme dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të vendit

Autore: Genta Abdiji

Tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër është një ndër sfidat më të mëdha për Maqedoninë e Veriut, në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Vendi ka ende shumë punë për të bërë në këtë proces, i cili përfshin promovimin e burimeve të rinovueshme, mbrojtjen e mjedisit si dhe zbutjen e ndikimeve negative ndaj ndryshimeve klimatike.

“Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e energjisë. Pak progres është bërë sa i përket energjisë së rinovueshme përmes investimeve në impiantet diellore dhe interkonektorët e gazit”, theksohet në raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit.

Komisioni Evropian rekomandon që vendi të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe ulë varësinë nga qymyri dhe gazi.

Përputhshmëria me prioritetet e BE-së

Sipas Albinota Nuredini, asistente kërkimore në Institutin “Max van der Stoel” mbështetja e institucioneve evropiane, sikurse Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), ka qenë thelbësore për nxitjen e projekteve të gjelbra dhe zhvillimin e kapaciteteve për menaxhimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike.

Nuredini shton se BEI ndihmon në përmbushjen e objektivave për uljen e emetimeve të gazrave serrë me 82% deri në vitin 2030.

Në këtë kuadër, Fortesa Asani, asistente kërkimore në Institutin “Max van der Stoel” thekson se Maqedonia e Veriut ka përmirësuar kornizën rregullatore për të inkurajuar investimet në energji të rinovueshme, sikurse energjia diellore dhe ajo nga era.

“Ky zhvillim ndihmon në përmbushjen e standardeve mjedisore të BE-së dhe kontribuon në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, duke adresuar nevojat socio-ekonomike lokale,” thotë Asani.

Sfida socio-ekonomike në tranzicion

Një ndër pengesat më të mëdha për tranzicionin mbetet varësia nga linjiti, veçanërisht në rajonet e Pelagonisë dhe Jugperëndimit. Fortesa Asani thekson se këto zona përballen me një “kurth të të ardhurave nga qymyri,” ku punësimi është i lidhur ngushtë me industrinë e linjitit.

Asani thekson se kalimi nga linjiti dhe mbyllja e termocentraleve, si TEC Manastir dhe TEC Oslomej, mund të krijojnë pasiguri sociale dhe të rrisin papunësinë.

“Kufizimet ekonomike përbëjnë një tjetër pengesë të rëndësishme. Burimet e kufizuara fiskale, të përkeqësuara nga produktiviteti i ulët dhe një sektor privat i pazhvilluar, krijojnë vështirësi në adoptimin e teknologjive të gjelbra. Sektori energjetik, i cili dominohet nga karburantet fosile, varet shumë nga importet (60% e konsumit të përgjithshëm të energjisë), duke kërkuar investime të mëdha në energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik’’.

“Maqedonia e Veriut përballet me sfida të shumta në përmbushjen e standardeve mjedisore të BE-së, veçanërisht në kontekstin e zhvillimit socio-ekonomik. Një nga strategjitë kryesore është integrimi i politikave mjedisore me ato ekonomike. Kjo do të thotë se çdo investim në infrastrukturë duhet të marrë parasysh ndikimin mjedisor dhe zbatojë masa zbutëse’’, shton Albinota Nuredini.

Roli i OJQ-ve në avancimin e tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër

Veland Ramadani, profesor i Sipërmarrjes dhe Biznesit të Familjes thotë se organizatat e shoqërisë civile mund të veprojnë si ndërmjetëse midis institucioneve publike, komuniteteve lokale dhe sektorit privat, duke promovuar ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ekonomisë së gjelbër dhe përfitimet afatgjata të saj.

“Ato mund të organizojnë fushata edukative dhe informuese për qytetarët dhe bizneset mbi praktikat miqësore me mjedisin, si riciklimi, përdorimi i energjisë së rinovueshme dhe ulja e mbetjeve’’, thekson Ramadani.

Megjithatë, Fortesa Asani shton se hulumtimet tregojnë një mungesë transparence në përfshirjen e organizatave joqeveritare, autoriteteve lokale, sektorit privat, si dhe të rinjve. Këto grupe shpesh nuk janë pjesë e strukturave qeverisëse dhe rrallë përfshihen në fazat e identifikimit dhe prioritizimit të projekteve.

“Është thelbësore përfshirja e gjithë aktorëve të shoqërisë, veçanërisht e sektorit të organizatave joqeveritare, për të përshpejtuar procesin e tranzicionit dhe për të siguruar përputhshmërinë me kërkesat e BE-së’’.

Përfitimet nga trazicioni i gjelbër

Veland Ramadani, thotë se tranzicioni i gjelbër jo vetëm që i afron standardet kombëtare me ato evropiane, por gjithashtu kontribuon në një ekonomi më të qëndrueshme dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të vendit.

‘’Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e bazuar në Green Deal të BE-së, ofron një udhërrëfyes për Maqedoninë e Veriut në tranzicionin drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Kjo agjendë fokusohet te dekarbonizimi, përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe ujit, ekonomia rrethore dhe mbrojtja e biodiversitetit. Si pjesë e këtyre përpjekjeve, vendi ka miratuar strategji kombëtare që synojnë reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe rritjen e efikasitetit energjetik deri në vitin 2040’’, shton ai.

“Pjesëmarrja në programet financiare të BE-së, si IPA III dhe Horizon Europe, ka qenë thelbësore për të mbështetur projektet e gjelbra në Maqedoninë e Veriut,” thotë Ramadani.

Çfarë mund të bëjë Maqedonia e Veriut?

Disa nga programet dhe projektet e suksesshme të BE-së që mund të ndihmojnë në tranzcionin e gjelbër dhe që mund të zbatohen edhe në Maqedoninë e Veriut përfshijnë:

  • Programi LIFE, i cili ka të bëjë me menaxhimin e mbetjeve. Promovon riciklimin dhe ripërdorimin, veçanërisht në sektorët e bujqësisë dhe industrisë.
  • Platforma e Qymyrit për Rajonet në Tranzicion: Kjo platformë mbështet rajonet që varen nga industria e qymyrit në kalimin drejt burimeve të rinovueshme.
  • EuroVelo (Rrjeti i Biçikletave Evropiane): BE-ja ka krijuar një rrjet të shtigjeve të biçikletave që lidhin qytete dhe rajone, duke promovuar turizmin dhe transportin e qëndrueshëm. Maqedonia e Veriut ka potencialin për të zhvilluar infrastrukturë të ngjashme.
  • Air Quality Management Plans (BE): Ky program mbështet teknologjitë për monitorimin e ajrit dhe zhvillimin e planeve lokale për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Maqedonia mund të shtrijë monitorimin në rajone si Kërçova, ku ndotja është një sfidë shumë e madhe.
  • Green Capital Award (BE): Ky çmim nxit qytetet të marrin iniciativa për qëndrueshmëri. Maqedonia mund të krijojë një version lokal të këtij çmimi për promovimin e praktikave mjedisore.
  • European Climate Pact: Një platformë që angazhon qytetarët për veprime lidhur me energjinë, mbetjet dhe transportin. Zhvillimi i një platforme të ngjashme do të nxiste edukimin dhe pjesëmarrjen publike.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top