DILEMAT E NJË STUDENTEJE AMBICIOZE

Shkruan: Maida Halimi

Arsimi i lartë është një gur themel i zhvillimit të çdo vendi, duke formësuar jo vetëm kapacitetet intelektuale dhe profesionale të qytetarëve, por edhe të ardhmen e tyre ekonomike dhe sociale. Për Maqedoninë e Veriut, një shtet i vogël në Ballkan pa dalje në det, arsimi i lartë ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në tranzicionin e saj nga një pjesë e ish-republikës jugosllave në një shtet të pavarur dhe demokratik. Megjithatë, sistemi i arsimit të lartë në vend përballet me sfida të shumta që pengojnë potencialin e tij të plotë, këto sfida mund të shihen edhe si mundësi unike për përparim.

E ardhmja e Maqedonisë së Veriut varet shumë nga aftësia e saj për të zhvilluar kapacitetin e saj kërkimor. Për universitetet, kërkimi përfaqëson jo vetëm një aktivitet thelbësor akademik, por edhe një aktivitet jetik për zgjidhjen e sfidave të jetës reale dhe zgjerimin e njohurive dhe konkurrencës rajonale dhe globale. Aftësia e tyre për ta bërë këtë varet nga mbështetja që ata marrin, si nga qeveria ashtu edhe nga rrjetet ndërkombëtare të bashkëpunimit. Megjithatë, për të shfrytëzuar plotësisht potencialin kërkimor, universitetet duhet të kapërcejnë pengesa të shumta të cilat lidhen me implementimin e strategjive ekzistuese.

Disa sfida e pengojnë rritjen e një ekosistemi të fuqishëm kërkimor në Maqedoninë e Veriut, shumica e të cilave rrjedhin nga çështjet sistematike në financimin, infrastrukturën dhe kapitalin njerëzor. Një nga sfidat më urgjente me të cilat përballen universitetet është mungesa e fondeve adekuate për kërkimin shkencor. Shpenzimet qeveritare për kërkim dhe zhvillim (R&D) në Maqedoninë e Veriut janë të ulëta në krahasim me standardet e BE-së. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Maqedonia e Veriut investon rreth 0.38% të BPV-së në kërkim dhe zhvillim, një nivel që është shumë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila arrin rreth 2% të BPV-së (Banka Botërore, 20 nëntor, 2022). Kjo mungesë e mbështetjes financiare zvogëlon aftësinë e universiteteve për të tërhequr studentë dhe hulumtues të talentuar, të investojnë në pajisje moderne dhe të financojnë projekte në prëmasa të mëdha.

Një sfidë tjetër e madhe, që ndërlidhet me të parën, është çështja aktuale e “ikjes së trurit”. Shumë shkencëtar të talentuar dhe studentë të diplomuar kërkojnë mundësi më të mira jashtë vendit për shkak të perspektivave të kufizuara për karrierë dhe pagave të ulëta në Maqedoninë e Veriut. Sipas një raporti të Bankës Botërore, pothuajse 40% e qytetarëve me arsim të lartë kanë emigruar jashtë vendi (Grupi i Bankës Botërore, Migracioni dhe ikja e trurit, 2019). Kjo ikje e kapitalit intelektual e minon kapacitetin kërkimor afatgjatë të vendit dhe e dobëson më tej mjedisin tashmë të ngushtuar akademik. Ky fenomen ka ndikim edhe në pjesëmarrjen e Maqedonisë në programet ndërkombëtare kërkimore, si Horizont Evropa, ku konkurrenca është e ashpër dhe nga institucionet kërkimore kërkohet të kenë ekspertizë dhe kapacitete të larta për të konkuruar për fonde.

Paga mesatare e një profesori universitar në Maqedoninë e Veriut është shumë më e ulët (39,956 denarë paga mesatare) në krahasim me vendet e BE-së, vendet e rajonit dhe vendet fqinje. (Enti Shtetëror i Statistikave, 22 tetor, 2024). Kjo pagë e ulët, së bashku me mundësitë e kufizuara për avancim në karrierë dhe infrastruktura kërkimore e pasigurtë, i detyron shumë akademikë të ikin në shtete ku mund të ofrohen mundësi më të mira.

Përvoja ime e drejtpërdrejtë më ka bërë të kuptoj se këto pengesa nuk janë thjesht teori, por janë pjesë e realitetit të kërkimeve dhe studimeve në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kohës së studimeve kam inicuar një kërkim në fushën time në kuadër të grupit të shkencave shoqërore gjë që mund të jepte kontribut të rëndësishëm, por hasa në pengesa nga mungesa e resurseve financiare që janë të disponueshme për kërkime që janë shumë të kufizuara dhe shpesh nuk mjaftojnë për të mbuluar as bazat e nevojshme për të realizuar një eksplorim të suksesshëm. Nëse investimet në kërkime janë të pamjaftueshme, a mund të themi se universitetet dhe profesorët tanë janë në një pozicion të pafavorshëm për të mbështetur zhvillimin e aftësive kërkimore të studentëve, dhe a është kjo një barrë që më shumë i pengon sesa i ndihmon ata të përparojnë në karrierën akademike?

Edhe pse kam dashuri të madhe për vendin tim dhe kjo ndjenjë është gjithmonë prezente, ekziston një pjesë e mendjes time që e shqyrton me racionalitet se sa mund të zhvillohem si individ nëse do të kisha pasur mundësi të studioja në një universitet cilësor dhe të njohur ndërkombëtarisht. Kur i krahasoj universitetet dhe mundësitë që ato ofrojnë, vërej se në shumë shtete të zhvilluara, qasja ndaj arsimit është e diferencuar dhe e orientuar drejt praktikës. Universitetet atje kanë infrastrukturë të avancuar, mundësi për t’u lidhur me profesionistë dhe ekspertë, si dhe mundësi më të mira për t’u angazhuar në kërkime shkencore. Po ashtu, universitetet e vendeve të zhvilluara shpesh ofrojnë mundësi për resurse të mëdha financiare dhe akademike, të cilat mund të ndihmojnë shumë në zhvillimin e karrierës.

Meqenëse ndodhem në prag të përfundimit të studimeve deridiplomike, koha e karrierës sime të ardhshme akademike është një pikë kyçe reflektimi për hapat që do të ndërmarr në të ardhmen. Dëshira për të prëparuar më tej në fushën e arsimit të lartë më ka shtyrë të mendoj seriozisht për mundësinë për të studiuar jashtë vendit. Ky vendim, edhe pse është e lidhur ngushtë me ambiciet e mia profesionale, është gjithashtu një mundësi për të përfituar eksperiencë dhe ekspertizë në kërkimet shkencore, të cilat vështirë mund të arrihen në sistemin e arsimit të Maqedonisë së Veriut ku ka pak investime dhe mbështetje për projektet kërkimore dhe mundësi për punë praktikanti.

Pra, motivi që e bën tërheqëse studimet jashtë vendit është mundësia për të qenë pjesë e një kulture akademike që inkurajon dhe mbështet hulumtimin dhe zhvillimin e ideve të reja. Në universitetet e zhvilluara, shpesh ekziston një lidhje shumë më e ngushtë mes kërkimit dhe industrisë, kurse studentët kanë mundësi të punojnë drejtpërdrejt me kompani dhe organizata ndërkombëtare për të zhvilluar projekte dhe për t’i aplikuar teoritë shkencore në praktikë. Ky është një aspekt që më intereson, pasi kërkimi shkencor nuk është vetëm një aktivitet akademik, por duhet të ketë gjithashtu një impakt konkret dhe të matshëm në botën reale, në industrinë dhe shoqërinë.

Pyetja që ia bëj vetes vazhdimisht, por para së gjithash duhet ta parashtrojë shteti: a do të dëshiroj të kthehem në Maqedoni, pasi të shkoj për përsosje akademike jashtë vendit, dhe të ofroj njohuritë e mia këtu? Më besoni, pothuajse të gjithë studentët që shkojnë jashtë bendit, ia bëjnë vetes të njëjtën pyetje. Dhe megjithëse nuk kam të dhëna të sakta, supozoj se e kuptoni se shumica e studentëve të tillë nuk duan të kthehen. Shteti, institucionet, elitat politike duhet t’ia bëjnë vetes këtë pyetje: ku po shkon shteti kur studentët po ikin prej tij?!?

Si përfundim, disa nga mundësitë për përparim mund të përfshijnë rritjen e buxhetit shtetëror për kërkime dhe zhvillim (R&D), duke arritur të paktën nivelin e mesatares së BE-së prej 2% të BPV-së. Rritja e mbështetjes financiare për kërkime shkencore do të mundësojë zhvillimin e projekteve më të mëdha kërkimore dhe do të nxisë krijimin e mundësive të reja për punësim të kërkuesve të talentuar.

E dyta, të hartohet një plan i veçantë për të nxitur studentët dhe profesorët që arrijnë rezultate të shkëlqyera akademike dhe kërkimore. Ky plan duhet të përfshijë përfitime të drejtpërdrejta, si subvencione për kërkime, mundësi për publikime shkencore ndërkombëtare dhe mundësi për avancim në karrierë për ata që kontribuojnë dukshëm në fushat akademike dhe kërkimore.

Kontrolli i pavarur dhe efikas i cilësisë në arsimin e lartë është një komponent thelbësor për të garantuar një arsim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm në Maqedoninë e Veriut. Edhe krahas faktit se ekzistojnë institucione dhe organe të ngarkuara me përgjegjësinë për monitorimin e arsimit të lartë, aktualisht ato nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një vlerësim të plotë dhe efikas të cilësisë. Ndaj për ta përmirësuar kontrollin, duhet të vendoset në funksion Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë e cila deri më tani nuk ka bërë asnjë vlerësim dhe të implementohet sistemi pavarur dhe transparent i evalvimit.

Maida Halimi, studente në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore, Universiteti i Evropës Juglindore.

Kolumna është punuar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i zbatuar nga Forumi për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC, dhe i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit/es dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave që e zbatojnë atë.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top