“DREJTËSIA ONLINE” VONON NË MAQEDONINË E VERIUT
Sistemi AKMIS për shpërndarjen automatike të lëndëve gjyqësore mbetet një ndër arritjet kryesore të procesit të digjitalizimit të gjyqësorit. Megjithatë, sistemi AKMIS nuk arrin të përmbushë plotësisht nevojën e funksionimit efikas të punës në gjyqësor, pasi ai duhet të avancohet vazhdimisht. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut thekson nevojën për përditësim dhe avancim të sistemit. Gjykata digjitale pranë Burgut të Idrizovës është e vetmja në Maqedoninë e Veriut që është plotësisht e pajisur me infrastrukturën teknologjike të nevojshme për mbajtjen e seancave gjyqësore online
Autore: Semran Murtezani
Çështja e digjitalizimit të gjykatave është një temë që ka ngritur diskutime të gjera që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Me vendosjen e masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit, edhe gjykatat u detyruan të përshtateshin me këto kushte. Kjo nxori në pah sfidat dhe mangësitë e sistemit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut në raport me dixhitalizimin, pasi gjykatat u detyruan të ndryshonin mënyrën e zhvillimit të seancave gjyqësore, duke ngritur pyetje mbi garantimin e të drejtave të palëve në proces. Përtej kësaj, dispozitat pozitive gjyqësore ku detyrojnë palët të jenë me prezencë fizike në gjykatë e vendosin në shqyrtim tjetër mbajtjten e seancave gjyqësore. Për pasojë, kjo situatë riktheu në vëmendje dilemën kryesore: sa është investuar deri më tani në dixhitalizimin e sistemit gjyqësor dhe a ka potencial sistemi për të funksionuar nëpërmjet teknologjisë?
Strategjia për TIK-un në gjyqësor dhe ndërveprueshmëria si sfidë kryesore
Në përputhje me nenin 99 të Ligjit për Gjykatat, në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut është krijuar Qendra për Koordinimin e Teknologjisë Informatike dhe Komunikimit në organet gjyqësore, e cila administron një bazë të të dhënash për të gjitha gjykatat e vendit. Kjo qendër është përgjegjëse për administrimin, monitorimin dhe rezervimin e bazave të dhënash të centralizuara, ku të gjitha gjykatat e Maqedonisë së Veriut regjistrojnë dhe azhurnojnë të dhënat e tyre.
Sipas raportit të Strategjisë për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), e cila implementohet në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, gjendja aktuale e pajisjeve harduerike në gjykata është shumë e vjetruar dhe shpesh herë jashtë funksionit. Pajisjet (hardueri dhe infrastruktura rrjetore) në të gjitha institucionet gjyqësore janë të papërshtatshme dhe të vjetruara. Mungesa e stacioneve të punës dhe pamundësia e tyre për të mbështetur zgjidhjet softuerike të përdorura në gjykata çojnë në funksionim joefikas të institucioneve gjyqësore. Strategjia thekson nevojën për punësime të reja në sektorin e teknologjisë informative, zhvillimin e mëtejshëm të stafit ekzistues dhe trajnime të vazhdueshme për specialistët e IT-së në të gjitha institucionet e sistemit gjyqësor.
Sistemi AKMIS për shpërndarjen automatike të lëndëve gjyqësore mbetet një ndër arritjet kryesore të procesit të digjitalizimit të gjyqësorit. Megjithatë, sistemi AKMIS nuk arrin të përmbushë plotësisht nevojën e funksionimit efikas të punës në gjyqësor, pasi ai duhet të avancohet vazhdimisht. Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut thekson nevojën për përditësim dhe avancim të sistemit.
“Sistemi për menaxhim automatik të lëndëve gjyqësore (AKMIS) duhet të përditësohet në përputhje me ndryshimet ligjore dhe softueri duhet të përshtatet me masat e reja për rastet komplekse”, theskohet në raprotin e Komisionit Evropian për progresin e vendit.
Portali gjyqësor dhe webfaqet e gjykatave, ku shpërndahen informacione rreth aktivitetit të gjykatave, si mbajtja e seancave gjyqësore, publikimi i vendimeve gjyqësore dhe këmbimi i të dhënave ndërmjet gjykatave dhe prokurorive, si dhe ndërmjet gjykatave dhe Gazetës Zyrtare të Maqedonisë së Veriut, përmenden si zhvillime të rëndësishme në kuadër të procesit të digjitalizimit. Vendimet gjyqësore publikohen në webfaqe nëpërmjet sistemit të automatizuar për anonimizimin e tyre. Megjithatë, ky sistem nuk është plotësisht funksional, pasi vendimet që janë anonimizuar duhet të rishikohen nga bashkëpunëtorët profesionalë, pasi sistemi nuk është në gjendje të detektojë dhe anonimizojë të dhënat personale të të gjitha palëve në procedurë.
Një nga sfidat kryesore mbetet sigurimi i ndërveprimit të zgjeruar ndërmjet sistemeve informatike të gjykatave dhe institucioneve të tjera, për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme. Avokati Aleksandër Goxho, autor i dokumentit për politika publike me titull “Digjitalizimi i gjyqësorit dhe mbrojtja e të dhënave personale”, në publikimin nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike dhe Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë së Veriut, thekson:
“Kur flasim për ndërveprim, nënkuptojmë aftësinë e dy institucioneve relativisht të ndryshme për të përdorur sisteme kompatibile që mund të komunikojnë ndërmjet tyre për nevojat e këtyre institucioneve. Për shembull, Prokuroria me Gjykatat, Oda e Gjykatësve të RMV-së, e tjerë. Mungesa e vëmendjes për këtë aspekt në drejtësinë tonë krijon sfida të mëdha në të ardhmen që duhet adresuar.”
Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike, Facebook
“Ndërveprimi duhet të planifikohet në nivel të një strategjie kombëtare përpara se të fillojë procesi i dixhitalizimit praktik. Kjo strategji duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe ndër-institucionale,” shton Goxho.
“Për sa i përket ndërveprimit institucional, presim që ajo të vihet në funksion deri në fund të vitit dhe për momentin po kryhen testime ndërinstitucionale për funksionalitetin e platformës”, thekson Teuta Berisha, sekretare e Këshillit të TIK-ut në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
“Tashmë ka nisur lëshimi dixhital i certifikatave për evidencë penale dhe evidenca e të dënuarve. Digjitalizimi është plotësisht funksional në Shkup por edhe në qytetet tjera të RMV-së dhe aktualisht gabimet dhe mangësitë e konstatuara në gjykata të caktuara janë duke u hequr, në mënyrë që ky mjet digjital të mund të përdoret në të gjithë territorin e RMV-së”, shton ajo.
Gjykatorja digjitale në burgun e Idrizovës: një shembull unik në nivel kombëtar
Gjykata digjitale pranë Burgut të Idrizovës është e vetmja në Maqedoninë e Veriut që është plotësisht e pajisur me infrastrukturën teknologjike të nevojshme për mbajtjen e seancave gjyqësore online. Kjo gjykatore ka filluar funksionimin në nëntor të vitit 2022 dhe është krijuar për arsye praktike, konkretisht për të reduktuar kostot e transportit të të akuzuarve deri te gjykatat kompetente. Ky model i integruar i digjitalizimit mund të shërbejë si një shembull për përparimin e mëtejshëm të digjitalizimit të sistemit gjyqësor në nivel kombëtar. Gjykata është e pajisur me sisteme për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, mundësi për intervistim online, si dhe me hapësira të sigurta, kamera dhe monitorë, duke siguruar kushte të përshtatshme për zhvillimin e seancave gjyqësore në mënyrë të sigurt dhe efikase. Ky model përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit gjyqësor dhe mund të kontribuojë në përshpejtimin dhe përmirësimin e procedurave gjyqësore në të gjithë vendin.
Gjykatorja online në Idrizovë; Ministria e Drejtësisë
Digjitalizimi i sistemit gjyqësor në Unionin Evropian
Shumë shtete evropiane kanë inkorporuar programe kombëtare të digjitalizimit të sistemeve gjyqësore. Edhe pse ka dallime të rëndësishme midis shteteve, në përgjithësi, të gjitha këto shtete kanë ndërtuar një infrastrukturë teknologjike që lehtëson procedurat gjyqësore dhe komunikimin e palëve me gjykatat. Këto sisteme mundësojnë dërgimin e dokumenteve përmes platformave elektronike të gjykatave, mundësinë për të ndjekur statusin e lëndëve, si dhe ofrojnë mundësi të tjera për rritjen e efikasitetit dhe transparencës në procedurat gjyqësore. Një nga modelet më të suksesshme të digjitalizimit në sistemin gjyqësor është ai i Kroacisë, ku është implementuar një program gjithëpërfshirës dhe efikas, si pjesë e përpjekjeve të gjera për digjitalizimin e shërbimeve publike. e-OVRHA, si pjesë e këtij programi, ka kontribuar në rritjen e aksesueshmërisë, uljen e kostove dhe rritjen e saktësisë dhe përgjegjshmërisë në sistemin gjyqësor. Ky sistem ka arritur të ulë vonesat, të zvogëlojë kostot dhe të rrisë transparencën. Për më tepër, një dispozitë e rëndësishme është se të gjitha dorëzimet nga autoritetet shtetërore, Zyra e Prokurorit Publik, avokatët, noterët, dëshmitarët ekspertë dhe palët e tjera që janë të angazhuara në aktivitete të regjistruara, duhet t’i dorëzojnë të gjitha dokumentet e tyre në formë elektronike. Kjo kërkesë është një hap i rëndësishëm drejt automatizimit të proceseve dhe sigurimit të një komunikimi të shpejtë dhe efikas në sistemin gjyqësor.
Avancimi i ndërveprueshmërisë dhe domosdoshmëria e progresit në procesin e digjitalizimit të sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut
Hatixhe Kadrija, magjistre e të drejtës penale, thekson rëndësinë e investimit në aspektin e avancimit të sistemeve të teknologjisë informative në gjykata.
“Për të rritur efikasitetin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, është e rëndësishme të fokusohemi në investime të zgjeruara në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Gjykatat duhet të pajisen me infrastrukturën e nevojshme për të mundësuar përdorimin efektiv të teknologjisë në proceset e tyre. Kjo do të ndihmonte në thjeshtimin e procedurave gjyqësore, duke përshpejtuar shqyrtimin e çështjeve, duke ulur nevojën për dorëzim fizik të dokumenteve dhe duke përmirësuar komunikimin nëpërmjet teknologjisë ndërmjet palëve dhe gjykatave”, thekson Kadrija.
Sipas saj, megjithëse gjyqësori aktualisht përballet me një sërë sfidash, aspekti i digjitalizimit duhet të ketë përparësi për gjyqësorin me qëllim të përshtatjes me sistemet evropiane dhe funksionimit më efikas të gjyqësorit nëpërmjet teknologjisë.
“Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut përballet ende me sfida të konsiderueshme që kufizojnë përparimin e tij drejt efikasitetit të plotë. Ndërsa dixhitalizimi mbetet një prioritet, ai shpesh lihet pas për shkak të nevojave më emergjente, si mungesa e burimeve njerëzore dhe përmirësimet në aspektet bazike të funksionimit të gjykatave. Për këtë arsye, një qasje e mirëbalancuar është thelbësore për të adresuar jo vetëm dixhitalizimin, por edhe problemet strukturore që pengojnë performancën e duhur të sistemit gjyqësor”,vlerëson Kadrija.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.