FILLOI ME NJË PROFIL TË RREMË NË INSTAGRAM, PËRFUNDOI ME PËRNDJEKJE NË JETËN REALE: GRATË NË MAQEDONINË E VERIUT PËRBALLEN ME DHUNËN QË NUK NDALET NË EKRAN

Një profil i rremë në Instagram, fotografi të manipuluara, kërcënime seksuale dhe përndjekje deri në jetën e përditshme. Dhuna ndaj grave nuk ndalet te ekrani i telefonit. Në Maqedoninë e Veriut, përvojat e grave dhe vajzave të reja, zbulojnë përmasat e këtij fenomeni: 44% e tyre ndihen të pasigurta në hapësirën digjitale, ndërsa 86% e grave dhe vajzave që kanë përjetuar ose dëshmuar dhunë apo ngacmim online nuk e kanë raportuar rastin. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme nuk i kategorizon veçmas rastet e ngacmimeve online.

Autor: Enis Shaqiri

Një lugë me të cilën kishte përzier kafenë. Një gotë nga e cila kishte pirë ujë. Sende të zakonshme nga një dalje në kafene, që për shumicën do të mbeteshin thjesht pjesë e një dite normale. Por jo për Erën, 23-vjeçaren nga Shkupi, emri i së cilës është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj.

Për gjashtë muaj,  ajo u përball me kërcënime, fotografi të manipuluara dhe përndjekje që nuk u kufizuan vetëm në rrjetet sociale, por kaluan edhe në jetën e përditshme.

“Ndihesha aq keq, sa isha në prag të humbjes së shpresës për jetë. Ai më shihte thjesht si një objekt seksual dhe më kërcënonte në çdo moment, duke më thënë: ‘Do të të kisha mbyllur në një bodrum, ku do të të jepja vetëm ujë dhe marrëdhënie seksuale’”, rrëfen studentja Era për Institutin BIRC.

“Gjithçka filloi në Instagram”

Sipas Erës, gjithçka nisi kur një person rreth të dyzetave krijoi një llogari të rreme në Instagram, duke përdorur emrin e vërtet të saj.

“Ai përdorte një llogari në emrin tim, e më pas edhe disa fotografi personale të modifikuara me ‘Photoshop’ apo ‘AI’ (inteligjencë artificiale), nuk e di saktë, të cilat i shërbenin si mjet kërcënimi”, shpjegon ajo.

Në fillim, ajo tentoi disa herë të mbyllte llogarinë, por personi vazhdonte të hapte të reja.

Duke parë se kjo nuk po e ndalte, Era, u përpoq të arrinte një marrëveshje me të, me shpresën se fotografitë do të fshiheshin. Për këtë arsye, siç shpjegon ajo, komunikimi mes tyre nuk ishte fillimisht shumë agresiv. Megjithatë, situata ndryshoi pasi ajo refuzoi disa nga kërkesat e tij.

“Kërkonte të zhvishesha në kamerë apo të shkoja në takim me të. Pas këtyre refuzimeve, historia mori një drejtim tjetër dhe u shndërrua në përndjekje nga ky person. Ai dinte shumë gjëra për mua, prej vitesh më ndiqte në Instagram, Facebook së fundmi edhe në Snapchat, madje edhe në jetën e përditshme”, thotë studentja, e cila punon edhe si reklamuese e bizhuterive.

Përndjekja, sipas saj, nuk mbeti vetëm te monitorimi i llogarive dhe komunikimi në rrjetet sociale. Personi kishte grumbulluar edhe sende që ajo i kishte përdorur, ndërsa kishte blerë produkte që ajo edhe i reklamonte përmes punës së saj.

“Imagjino, ai e kishte ruajtur edhe lugën e kafesë ku unë kisha pirë kafe dhe gotën ku kisha pirë ujë, në një kafene. Çdo parfum apo rroba që vishen, dhe unë e reklamoja përmes marketingut, ai i kishte blerë”, rrëfen ajo.

Rasti i saj nxjerr në pah një tjetër problem të evidentuar. Një hulumtim i realizuar gjatë vitit 2025 dhe i publikuar në korrik 2026, nga Misioni i OSBE-së në Shkup tregon se 44% e grave dhe vajzave të moshës 18 deri në 29 vjeç ndihen të pasigurta në hapësirën digjitale.

Hulumtimi është realizuar me një mostër reprezentative prej 600 të anketuarash nga të gjitha rajonet planifikuese të vendit.

Rreth një në dhjetë nga të anketuarat kanë përjetuar personalisht një formë të dhunës me bazë gjinore në hapësirën digjitale, ndërsa 15% kanë qenë dëshmitare të një rasti të tillë.

Sipas hulumtimit, ndër format më të shpeshta të raportuara nga viktimat janë:

Burimi: OSBE, infografika: Enis Shaqiri

Një nga gjetjet më shqetësuese të hulumtimit është niveli i ulët i raportimit. 86% e grave dhe vajzave të reja që kishin përjetuar ose dëshmuar një rast të dhunës me bazë gjinore ose ngacmimit në hapësirën digjitale nuk e kishin raportuar incidentin. Vetëm 10% thanë se e kishin raportuar. Më së shpeshti, raportimi ishte bërë në polici ose në vetë rrjetin social ku kishte ndodhur abuzimi.

“Të jesh vajzë nuk është e lehtë”

Këtë ndjesi kishte patur edhe Era. Ajo nuk tregoi nëse rastin e kishte paraqitur në polici, por thotë se bisedat, pasi situata doli nga kontrolli, ia tregoi familjes, dhe më vonë i publikoi në rrjetin e saj privat, në Instagram.

“Mbështetje kam pasur edhe në rrjetet sociale, sepse pata guximin t’ua tregoja të gjithëve se çka më bëri ai mua, për gjashtë muaj, pa ndalur“.

“Pas një kohe, ata e kuptuan situatën. Kam diskutuar shumë për këtë çështje. Një pjesë e madhe e vajzave e kuptojnë se këto raste ndodhin shpesh, pasi shumë meshkuj nuk e kuptojnë dhe nuk e respektojnë refuzimin e një femre. Kam marrë mbështetje më të madhe nga shoqëria e ngushtë. Familja nuk e ka kuptuar se si është të jesh vajzë dhe të përballesh me një person që të përndjek dhe që çdo ditë të shton stresin dhe mendimet e errëta”, përfundon ajo.

Frika, mosbesimi dhe mungesa e informacionit

Raporti identifikon edhe disa nga pengesat kryesore që i dekurajojnë gratë të raportojnë dhunën, ku mungesa e informacionit dhe mosbesimi ndaj institucioneve zënë vendin kryesor:

Burimi: OSBE, infografika: Enis Shaqiri

Edhe perceptimi për institucionet është i përzier. Besimi është më i lartë te institucionet arsimore dhe shëndetësore, ndërsa më i ulët te gjyqësori dhe prokuroria.

Burimi: OSBE, infografika: Enis Shaqiri

Sipas studimit, ndër dobësitë kryesore të identifikuara nga viktimat dhe dëshmitaret janë ndëshkimi i pamjaftueshëm i autorëve – 65%, mbrojtja dhe mbështetja e pamjaftueshme e viktimave – 56%, si dhe reagimi i ngadaltë institucional – 55%.

Gjetjet cilësore të raportit tregojnë gjithashtu se disa viktima, pasi kërkojnë ndihmë, këshillohen t’i injorojnë fyerjet. Mungesa e mekanizmave të qartë të raportimit, reagimi i ngadalshëm i policisë, procedurat e gjata dhe vështirësitë në sigurimin e provave e bëjnë më të vështirë ndjekjen e rasteve.

MPB nuk i kategorizon veçmas rastet e ngacmimeve online

 Përkundër ekspozimit të vazhdueshëm të këtij problemi, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut nuk i paraqet veçmas rastet e ngacmimeve përmes teknologjisë në statistikat e saj.

Megjithatë, të dhënat për dhunën në familje, që BIRC arriti t`i siguroj nga MPB-ja, tregojnë një rritje të numrit të rasteve të raportuara gjatë periudhës janar-qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 528 raste, krahasuar me 517 një vit më parë, që paraqet një rritje prej rreth 2,1%. Numri i viktimave ka arritur në 555, nga 540 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 2,8%.

Të dhënat tregojnë se 490 nga autorët e regjistruar ishin burra dhe 43 gra. Sa i përket lidhjes familjare, në 209 raste autorët ishin bashkëshortë, ndërsa në 11 raste bashkëshorte.

Mungesa e të dhënave të ndara e vështirëson edhe vlerësimin e mënyrës se si trajtohen këto raste: sa prej tyre hetohen, nën cilat vepra penale klasifikohen, sa arrijnë deri te prokuroria dhe çfarë mbrojtjeje u ofrohet viktimave.

“Teknologjia ndikon tek ‘shoqëritë kanunore’” 

Për sociologun dhe profesorin universitar Ali Pajaziti, dhuna ndaj grave në hapësirën digjitale nuk mund të shkëputet nga normat dhe marrëdhëniet e pushtetit që vazhdojnë të jenë të pranishme në shoqëri.

Ai për Institutin BIRC thotë se bindjet patriarkale dhe ideja e dominimit të burrit mbi gruan vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si perceptohen marrëdhëniet mes gjinive.

Ali Pajaziti, profesor dhe sociolog – Foto: Private

“Kjo për fat të keq është trend që vazhdon sot e kësaj dite, edhe në shoqërinë e vades së drejt ku femra ballkanike, dhe ajo shqiptare është në të qenurit shënjestër e trysnive, shtypjeve apo edhe violentës kibernetike, që e pret sedrën, psikologjinë apo avansimin e saj në rrjedhat shoqërore “, thotë Pajaziti.

Sipas tij, teknologjia u ka dhënë autorëve mundësi të reja për të ushtruar presion, kontroll dhe kërcënime ndaj grave, edhe kur nuk ndodhen fizikisht pranë tyre.

“Mashkulli, i ndjerë si më i fortë, sot e ka edhe femrën më të largët në pëllëmbë të dorës, përmes teknologjisë – celularëve dhe mjeteve të tjera, ku ka qasje, dhe mund të jap porosi destruktive ndaj një femre, që ai ka zgjedhur për ta shënjestruar”, shton ai.

“Ekziston ende ai mendim konvencional që mashkulli është më i fortë, më i fuqishëm, dhe se gruaja duhet t’i nënshtrohet dëshirave të tij, kur ai do“, përfundon ai, duke theksuar se është e nevojshme që të bëhet një apologji për gratë dhe për çdo individ që ka të cënuar privatësinë e tij.

Problemi i prek edhe fëmijët

Fenomeni nuk prek vetëm gratë e reja. Një studim i Safe Online, i publikuar në gusht 2026, me mbështetje të UNICEF, vlerëson se 11.727 fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç që përdorin internetin në Maqedoninë e Veriut, ose 9,4% e kësaj popullate, kanë përjetuar të paktën një formë të eksploatimit ose abuzimit seksual të lehtësuar nga teknologjia.

Burimi: Safeonline global, infografika: Enis Shaqiri
Burimi: Safeonline global, infografika: Enis Shaqiri

Në analizën krahasuese të nëntë vendeve të përfshira në raundin e dytë të studimit, Maqedonia e Veriut kishte përqindjen më të lartë të fëmijëve që raportuan se ishin kërcënuar ose shantazhuar për t’u përfshirë në aktivitete seksuale.

“Mungesa e raportimeve nuk do të thotë mungesë e dhunës”

Në shkurt të vitit 2026, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi se gjatë vitit shkollor ishin pranuar 34 raportime për dhunë, por asnjëra nuk ishte kategorizuar si dhunë përmes internetit.

Janevska theksoi se mungesa e rasteve të raportuara nuk nënkupton se dhuna online nuk është e pranishme, ndaj u bëri thirrje të rinjve që të raportojnë çdo rast të tillë.

“Si Ministri i inkurajojmë të gjithë nxënësit dhe nxënëset që të denoncojnë dhunën në çfarëdo forme dhe këtë mund ta bëjnë në email adresën [email protected], drejtpërdrejt në Shërbimin Pedagogjik ose në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit”, deklaroi Janevska.

Nga deklarata e vitit 2024 te masat e vitit 2026

Ky fenomen i dhunës digjitale nuk është i ri dhe institucionet prej vitesh kanë paralajmëruar masa.

Në dhjetor të vitit 2024, Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, Ministria e Arsimit, organizata rinore dhe organizata të shoqërisë civile nënshkruan një Deklaratë Qëllimi me dhjetë pika veprimi kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave të reja. Ajo parashikonte ndërgjegjësim, edukim, trajnime, mbledhje të të dhënave, shërbime mbështetëse, përfshirjen e të rinjve dhe ndryshime institucionale e ligjore.

Ndërkohë, në vitin 2026, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve publikoi versionin e punës të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna me Bazë Gjinore ndaj Grave dhe Dhuna në Familje 2026–2033, së bashku me Planin e Veprimit 2026–2029.

Strategjia synon të krijojë një kornizë më të koordinuar për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe përgjegjësinë institucionale. Megjithatë, rëndësi vendimtare, sipas ekspertëve, do të ketë zbatim të masave konkrete, përfshirë identifikimin dhe trajtimin e dhunës që lehtësohet përmes teknologjisë.

Raportimi dhe mbështetja e viktimave

Për rastet e krimit kompjuterik, Ministria e Punëve të Brendshme publikon mundësinë e raportimit pranë Sektorit për Krim Ekonomik dhe Kompjuterik në Shkup, në objektin e MRTV-së, ose në njësinë më të afërt policore, që trajton këtë fushë.

Rastet mund të paraqiten edhe përmes adresës elektronike [email protected], por që nuk kategorizohen më pas si “dhunë online”.

Në rast rreziku të menjëhershëm, qytetarët mund të kontaktojnë policinë në numrin 192.

Sipas MPB-së, është e rëndësishme që viktimat të ruajnë provat digjitale: fotografitë e ekranit, adresat e profileve dhe publikimeve, mesazhet, datat dhe orët e komunikimit, si dhe çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e personit përgjegjës. Para fshirjes së një profili ose bllokimit të llogarisë, duhet të ruhen materialet që mund të shërbejnë si prova.

Nga ekrani në jetën reale

Historia e Erës tregon se dhuna digjitale mund të mos mbetet vetëm brenda një platforme online. Një llogari e rreme në Instagram u pasua me kërcënime, përdorimin e fotografive të manipuluara dhe përndjekje që, sipas saj, vazhdoi edhe në jetën e përditshme.

Rasti i saj vjen në një kohë kur Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2025, gjithashtu, evidenton sfida në zbatimin e Konventës së Stambollit, instrumentit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Komisioni vëren boshllëqe ligjore, financim të pamjaftueshëm të shërbimeve dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve të institucioneve.

 

to top