SA NA KUSHTON ARSIMI QË NUK PO FUNKSIONON?

Autor: Enis Shaqiri
Flasim shumë për arsimin: për reforma, ligje të reja, investime në shkolla, bursa dhe digjitalizim. Sa herë hapet një debat për të ardhmen e sistemit arsimor, një nga përgjigjet e para është se duhet të investojmë më shumë.
Por para se të kërkojmë edhe më shumë para, ndoshta duhet të pyesim diçka më të thjeshtë: çfarë po marrim në këmbim të asaj që tashmë po shpenzojmë?
Në buxhetin për vitin 2026, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i janë planifikuar rreth 45,8 miliardë denarë, ose afërsisht 744 milionë euro. Një pjesë e rëndësishme e këtyre mjeteve shkon edhe për arsimin e lartë.
Ndërkohë, numri i nxënësve nuk po rritet. Përkundrazi. Në fund të vitit shkollor 2024/2025, në arsimin fillor kishte 178.918 nxënës, 1,3 për qind më pak se një vit më parë, ndërsa në arsimin e mesëm 65.476, ose 0,8 për qind më pak. Në vitin akademik 2025/2026, në ciklin e parë të arsimit të lartë u regjistruan 55.036 studentë.
Në pamje të parë, më pak nxënës, student, mund të nënkuptojë edhe një mundësi “për një sistem më të mirë”: më shumë hapësirë, më shumë vëmendje për secilin nxënës dhe më pak presion mbi shkollat. Por realiteti është më i ndërlikuar.
Sipas UNICEF-it, 90 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut mësojnë në vetëm 30 për qind të ndërtesave shkollore. Kjo do të thotë se një pjesë e objekteve janë të mbingarkuara, ndërsa të tjerat kanë shumë pak nxënës. Dy të tretat e shkollave qendrore funksionojnë me dy ndërrime dhe disa edhe me tre, kurse deri në moshën 14-vjeçare, nxënësit në Maqedoninë e Veriut kanë marrë gati 900 orë më pak mësim krahasuar me mesataren e OECD-së.
Kjo tregon se problemi nuk është vetëm numri i shkollave, por mënyra se si është organizuar i gjithë rrjeti. Mbyllja e një shkolle rurale nuk është thjesht mbyllje e një objekti. Për një familje mund të nënkuptojë kilometra shtesë çdo ditë, transport, kohë të humbur dhe, në disa raste, më pak mundësi që fëmija të ketë të njëjtën qasje në arsim si një bashkëmoshatar i tij nga qyteti.
Prandaj, riorganizimi i rrjetit shkollor nuk mund të bëhet vetëm duke parë tabelat e numrit të nxënësve. Duhet parë edhe se çfarë ndodh me fëmijën pasi shkolla mbyllet apo kur ai duhet të udhëtojë më larg për të mësuar.
Por kostoja e arsimit nuk mbaron aty.
Ndërsa shteti llogarit miliarda denarë për arsimin, një pjesë e kostos qëndron jashtë buxhetit publik dhe bie drejtpërdrejt mbi familjet.
Një studim i Friedrich-Ebert-Stiftung për kostot e rritjes së fëmijëve në Maqedoninë e Veriut llogarit një shpenzim mesatar vjetor prej 196.833 denarësh për një fëmijë të moshës 15–18 vjeç, pra për një nxënës të arsimit të mesëm. Shifra është një vlerësim indikativ, i bazuar në familjet e përfshira në hulumtim, dhe nuk mund të interpretohet si kosto zyrtare për çdo familje në vend.
Brenda kësaj shume hyjnë edhe shpenzime që shpesh i harrojmë kur themi se arsimi publik është falas: furnizimet shkollore, ushqimi, materialet mësimore, transporti, aktivitetet shkollore, mësimet private dhe kurset e gjuhëve. Sipas studimit, vetëm këto kategori arrijnë në rreth 103.600 denarë në vit.
Por barra financiare vazhdon edhe pas arsimit të mesëm. Për studentët që duhet të udhëtojnë drejt universiteteve, transporti mund të bëhet një tjetër shpenzim i rëndësishëm për familjen.
Në disa modele të transportit studentor në Evropë, kostoja që paguan studenti është dukshëm më e ulët. Në Gjermani, për shembull, Deutschland-Semesterticket në disa universitete kushton rreth 37,80 euro në muaj dhe vlen për transportin lokal dhe rajonal në të gjithë vendin. Në Slloveni, bileta mujore e subvencionuar për studentët varion nga 25 në 55 euro, në varësi të distancës, ndërsa diferenca subvencionohet nga shteti.
Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, një student nga Tetova mund të paguajë mbi 105 euro në muaj vetëm për të udhëtuar drejt Shkupit. Nga Kumanova, rreth 100 euro, ndërsa nga Gostivari, rreth 130 euro. Pra, në një vend ku standardi i jetesës dhe pagat janë dukshëm më të ulëta, kostoja e arritjes deri te universiteti mund të jetë disa herë më e lartë se ajo që përballon një student në disa sisteme evropiane.
Kjo është arsyeja pse kostoja e arsimit nuk matet vetëm me tarifën e shkollës apo universitetit. Ajo përfshin edhe rrugën deri te institucioni arsimor, kohën e kaluar në udhëtim dhe shpenzimet që duhet t’i përballojë familja në mënyrë të vazhdueshme.
Studimi i FES-it gjen gjithashtu një shpenzim mesatar prej 19.516 denarësh për blerjen e një pajisjeje digjitale. Prindërit e përfshirë në fokus-grupe kanë theksuar se laptopët dhe kompjuterët janë bërë pjesë e nevojave të zakonshme për detyra, prezantime dhe qasje në materialet online.
Pra, kur themi se arsimi publik është falas, kjo është e vërtetë në kuptimin formal të shërbimit publik, por jo domosdoshmërisht në kuptimin e kostos reale që e përballon një familje.
Dhe këtu kthehemi te vetë sistemi.
UNICEF-i e lidh kohën e humbur të mësimit me mënyrën se si është organizuar rrjeti shkollor dhe me përhapjen e mësimit me turne. Kur 90 për qind e nxënësve janë të përqendruar në vetëm 30 për qind të objekteve, sistemi nuk po përdor domosdoshmërisht në mënyrë efikase as hapësirat, as personelin, as kohën e nxënësve.
Kur pastaj shohim rezultatet e të nxënit, problemi bëhet edhe më i dukshëm.
Në PISA 2025, 15-vjeçarët nga Maqedonia e Veriut morën mesatarisht 380 pikë në matematikë, 357 në lexim dhe 378 në shkencë. Mesatarja e OECD-së ishte 463 në matematikë, 461 në lexim dhe 482 në shkencë. Në shkencë, 64,3 për qind e nxënësve u konsideruan me performancë të ulët, pra nuk arritën nivelin bazë të kompetencës, Nivelin 2.
PISA nuk e përshkruan të gjithë arsimin dhe nuk mund të përdoret si matës i vetëm i një sistemi. Por rezultatet tregojnë se një pjesë shumë e madhe e 15-vjeçarëve nuk po arrin nivelin bazë të njohurive dhe aftësive që duhet t’i përdorin në situata reale. Vetëm 36 për qind arritën të paktën Nivelin 2 në shkencë, krahasuar me 74 për qind në OECD. Në matematikë, kjo përqindje ishte 32 për qind, ndërsa në lexim 26 për qind.
Edhe kushtet në të cilat mësojnë mbeten problem. Në PISA 2025, drejtuesit e shkollave raportuan se për 52 për qind të nxënësve mungesa e materialeve arsimore, përfshirë tekstet, pajisjet IT, bibliotekat ose materialet laboratorike, pengonte mësimin të paktën deri në një masë. Për 17 për qind të nxënësve, problem ishte edhe infrastruktura fizike.
Por problemi nuk mbaron me arsimin parauniversitar.
Pastaj vjen universiteti, ku kostoja për familjen bëhet edhe më konkrete. Në vitin 2023, vetëm 62,3 për qind e të diplomuarve të rinj të moshës 20–34 vjeç në Maqedoninë e Veriut ishin të punësuar, krahasuar me 82,4 për qind në BE. Ky tregues mat të diplomuarit e rinj që kanë përfunduar arsimin e tyre brenda një deri në tre viteve të fundit dhe nuk janë më në arsim ose trajnim. Universiteti nuk është, sigurisht, faktori i vetëm që përcakton punësimin, por një hendek i tillë ngre një pyetje të arsyeshme për lidhjen mes asaj që mësohet dhe asaj që kërkohet në tregun e punës.
Për familjen, diploma nuk është vetëm një dokument. Janë vite të tëra shpenzimesh për transport, materiale, pajisje, banim për ata që studiojnë larg shtëpisë dhe, shpesh, mbështetje financiare deri në përfundimin e studimeve.
Për shtetin, ndërkohë, arsimi është edhe më shumë se kaq: janë shkollat, universitetet, pagat, infrastruktura, financimi publik dhe koha e administratës. Pra, kostoja reale është më e madhe se ajo që shohim në një rresht të buxhetit.
Dhe nëse pas gjithë kësaj një pjesë e të rinjve përfundojnë jashtë arsimit dhe tregut të punës, kostoja vazhdon.
Në vitin 2024, rreth 22,6 për qind e të rinjve 15–29 vjeç në Maqedoninë e Veriut nuk ishin as në punë, as në arsim apo trajnim. Të dhënat e Kombeve të Bashkuara për vendin e paraqesin këtë si një nga treguesit e rëndësishëm të gjendjes sociale dhe ekonomike të të rinjve.
Prandaj, debati për arsimin nuk duhet të mbetet vetëm te pyetja nëse duhet të japim më shumë para.
Sigurisht që shkollat duhet të rinovohen, mësuesit duhet të paguhen, universitetet duhet të financohen dhe nxënësit duhet të kenë pajisjet dhe kushtet që u nevojiten. Por paratë janë vetëm mjeti. Ajo që ka rëndësi në fund është se çfarë arrijnë të bëjnë nxënësit dhe studentët me mundësitë që u krijon sistemi.
Në fund, sa po na kushton arsimi?
Nuk është vetëm shifra në buxhet.
Është edhe ajo që paguan familja, koha që humbet një nxënës, orët e mësimit që mungojnë, njohuritë që nuk përvetësohen, diploma që nuk përkthehet lehtë në punësim dhe vitet e një të riu që mbetet jashtë arsimit dhe tregut të punës.
Prandaj, pyetja më e rëndësishme ndoshta nuk është vetëm sa po investojmë në arsim, por sa nga ajo që investojmë po shndërrohet realisht në dije, aftësi dhe mundësi për të rinjtë tanë.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
