INTEGRIMET EUROPIANE: NARRATIVAT DHE KUNDËR-NARRATIVAT EKZISTUESE NË MAQEDONINË E VERIUT

Procesi i integrimit evropian në Maqedoninë e Veriut vazhdon, e bashkë me të edhe debatet rreth narrativave dhe kundër-narrativave. Një gjë është e sigurt: komunikimi dhe edukimi duhet të përdoren për të mbështetur ndërgjegjësimin e publikut dhe për të lehtësuar vendimmarrjen që do të ndikojë në të ardhmen e vendit. Është e rëndësishme të vazhdohet hulumtimi dhe dialogu rreth këtyre narrativave dhe kundër-narrativave, si dhe të dëgjohen zërat e palëve të ndryshme të interesit. Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm hyrja në Bashkimin Evropian, por edhe ndërtimi i vetëdijes qytetare të përgjegjshme dhe të informuar.

Shkruan: Katica Janeva

Maqedonia e Veriut si shtet është në një proces të vazhdueshëm transformimi dhe ndryshimi në lidhje me çështjen e integrimeve evropiane. Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991, shteti ka punuar në mënyrë aktive për harmonizimin me vlerat dhe institucionet evropiane si pjesë e strategjisë për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik. Ky proces i afrimit me Bashkimin Evropian bashkoi shtetin dhe qytetarët rreth një vizioni të përbashkët për përmirësimin e standardeve të jetesës. Maqedonia e Veriut filloi procesin e integrimit evropian në vitin 2005, kur mori statusin e vendit kandidatit. Gjatë këtyre viteve, vendi ka punuar për reforma dhe ndryshime në shumë drejtime për të përmbushur standardet dhe kriteret e Bashkimit Evropian.

Pothuajse dy dekada më vonë, një nga sfidat më serioze dhe më të mëdha për ne si vend ende ka të bëjë me integrimet evropiane dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian si synim përfundimtar.

Vëmendjen e qytetarëve dhe opinionit politik e tërheqin narrativat alternative që sjell me vete procesi i integrimit europian. Një narrativë fokusohet në mundësitë që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian, si përmirësimi i situatës ekonomike, infrastrukturës dhe statusit ndërkombëtar të vendit. Ky rrëfim optimist inkurajon një mbështetje të madhe te disa qytetarë. Megjithatë, ka kundër-narrativa që shprehin aspektet negative të integrimit evropian. Disa prej tyre theksojnë humbjen e sovranitetit dhe pavarësisë së shtetit, ndikimin në ekonominë lokale dhe përshtatjen me standardet e reja. Ka edhe çështje që lidhen me aspektet ekonomike të anëtarësimit, siç janë kushtet për stabilitet financiar dhe kontrolli i marrëdhënieve tregtare të jashtme. Këto kundër-narrativa mund të shkaktojnë mosbesim dhe rezerva te disa qytetarë.

Besueshmëria dhe perspektivat europiane

Besueshmëria e ulët e perspektivave për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian në dekadën e fundit ka kontribuar veçanërisht në uljen e vazhdueshme të mbështetjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vend. Tendencat e rënies së mbështetjes për anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë kryesisht rezultat i mosmarrëveshjes së gjatë me Greqinë për përdorimin e emrit. Mosmarrëveshja për emrin ka vazhduar për gati tre dekada të plota dhe ka penguar procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kjo kontravrsë diplomatike dhe bllokadë afatgjatë e procesit të integrimit evropian ka ulur përgjithmonë perspektivën dhe motivimin e qytetarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mosmarrëveshja për emrin me Greqinë fqinje ishte e gjatë dhe komplekse dhe u zgjidh me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në vitin 2019. Marrëveshja e Prespës konsiderohet një sukses historik, duke i hapur rrugën një stabiliteti më të mirë rajonal dhe integrimit të vendit në bashkësinë ndërkombëtare.

Megjithatë, mosmarrëveshjet me vendet fqinje nuk përfunduan me kaq. Mosmarrëveshja me Bullgarinë, e cila i referohet dallimeve historike dhe gjuhësore mes dy kombeve fqinje, vazhdon të ngadalësojë procesin e integrimit evropian. Bullgaria ka një histori të gjatë të mohimit të gjuhës dhe kulturës maqedonase dhe përpjekjes për ta portretizuar gjuhën maqedonase si një dialekt të bullgarishtes. Për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje, dy vendet fqinje nënshkruan një Marrëveshje historike të miqësisë, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në vitin 2017. Kjo marrëveshje synonte të përmirësonte marrëdhëniet mes dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.

Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidatit zyrtar për anëtarësim në Bashkimin Evropian për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Megjithatë, pengesa dhe vështirësi të reja në negociatat e anëtarësimit janë shfaqur gjatë viteve të fundit duke përfshirë miratimin e metodologjisë së re për zgjerimin e Bashkimit Evropian të miratuar në mars 2020 nga Këshilli Evropian. Në fund të të njëjtit vit, vjen vetoja bullgare për kornizën negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Presidenca franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian në qershor 2022 ofroi një dokument të diskutueshëm të quajtur Propozimi francez si zgjidhje për këtë mosmarrëveshje. Propozimi, si bazë për heqjen e vetos bullgare, kërkon përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Bullgaria vazhdimisht e përfshin procesin e anëtarësimit në mosmarrëveshjen për historinë, gjuhën dhe identitetin e maqedonasve, gjë që rezulton me padurim shtesë te qytetarët dhe mosbesim ndaj Bashkimit Evropian.

Pasi qeveria pranoi Propozimin francez në korrik të vitit 2022, ai shkaktoi një sërë ankesash dhe kritikash nga partitë politike opozitare, ekspertët dhe qytetarët. E gjithë kjo u karakterizua nga një sërë tubimesh publike kundër propozimit dhe ndryshimeve kushtetuese. Partitë opozitare refuzojnë të japin votat e nevojshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, pavarësisht presionit në rritje të komunitetit ndërkombëtar. Pavarësisht se pothuajse të gjitha partitë politike konfirmojnë publikisht se janë të përkushtuara në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe dialogut, kur bëhet fjalë për bashkëpunim praktik për të ecur përpara, nuk është kështu.

Të gjitha këto zhvillime kanë një efekt negativ në mbështetjen qytetare për negociatat e anëtarësimit dhe rrisin hapësirën publike me kundër-narrativa. Sfida më e madhe në komunikimin për integrimin evropian është gjetja e një ekuilibri midis narrativave dhe kundër-narrativave. Në këtë fushë, identiteti maqedonas luan një rol të rëndësishëm. Procesi aktual i ndryshimit të narrativave historike dhe i mbështetjes së natyrës multietnike të vendit janë pjesë e strategjive integruese. Është e nevojshme të ketë një debat të hapur në të cilin të gjithë pjesëmarrësit do të sillen me përgjegjësi dhe transparencë. Narrativa ndërkombëtare konsideron se futja e një pakice tjetër dmth. bullgarët në Kushtetutë është forcimi i marrëdhënieve tashmë të mira ndëretnike në vend dhe nuk cenon identitetin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Përkundrazi, një pjesë e ekspertëve dhe partive opozitare, e me këtë edhe qytetarët, konsiderojnë se është kundër interesit kombëtar dhe fshirjes së identitetit maqedonas. Ky lloj diskursi evropian dhe mungesa e progresit në metodologjinë evropiane për zgjerim kontribuon në një humbje reale të besueshmërisë së Bashkimit Evropian dhe idesë që ai përfaqëson. Shkelja e vazhdueshme e vlerave që përfaqëson Unioni krijon një perceptim hipokrizie në sytë e qytetarëve.

Pavarësisht se statistikat e shumta tregojnë një dinamikë negative dhe të reduktuar të mbështetjes qytetare për procesin e integrimit, ajo ende mbetet e lartë. Kjo do të thotë se dëshira e qytetarëve për anëtarësim në Union dhe për të ndërtuar një shtet demokratik mbetet. Është me rëndësi të përmendet se përkrahja publike për integrimet evropiane është më e theksuar dhe pozitive tek bashkësitë tjera etnike në vend sesa te maqedonasit. Me shumë mundësi, skepticizmi dhe pasiguria janë rezultat i një procesi të gjatë dhe kompleks që kërkon reforma dhe rezultate strukturore.

Nga ana tjetër, përvojat e vendeve të tjera evropiane tregojnë se fillimi i negociatave shoqërohet gjithmonë me çështje të hapura dypalëshe dhe bllokime. Por, përmes zgjidhjes së tyre, fokusi drejtohet drejt zbatimit të reformave dhe zhvillimit të vendit.

Afirimimi i narrativave europiane

Shumica e qytetarëve, veçanërisht të rinjtë, e shohin Bashkimin Evropian si një bashkëpunëtor dhe partner ekonomik natyror me avantazhe dhe mundësi të panumërta. Të rinjtë e shohin Bashkimin Evropian si një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe të përkushtuar, me mundësi për punë, arsim dhe shkëmbim kulturor. Ata mbështesin konceptin e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve të ofruara nga Bashkimi Evropian, duke e parë atë si një mundësi për të fituar përvojë dhe bashkëpunim me njerëz nga kultura dhe kombësi të ndryshme.

Ky mund të shihet si një afirmim i fortë i narrativave evropiane dhe një moment reduktimi i kundër-narrativave.

Pamja e madhe gjeopolitike dhe zhvillimet botërore kanë një ndikim të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në interesin e tyre të përbashkët për përparim të shpejtë në negociatat me Bashkimin Evropian. Një nga shembujt më të spikatur të ndikimit të politikës globale në procesin rajonal të integrimit evropian është lufta ukrainase-ruse. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo krizë na kujton nevojën për stabilitet dhe paqe në rajonet ku ka konflikte gjeopolitike dhe se zgjidhjet paqësore dhe vlerat demokratike, të cilat promovohen nga Bashkimi Evropian, mund të arrihen vetëm përmes anëtarësimit evropian.

Në të njëjtën kohë, modeli i anëtarësimit në skenë mbetet i vetmi propozim gjithëpërfshirës që hap rrugën për anëtarësimin e anëtarëve të rinj paralelisht me reformat e brendshme që synojnë forcimin e kuadrit institucional dhe funksionimin pa probleme të Unionit të zgjeruar. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kohët e fundit propozoi rritje të mundësive të financimit për Ballkanin Perëndimor që do të ishin të disponueshme të kushtëzuara vetëm me reformat e nevojshme politike dhe ekonomike.

Procesi i integrimit evropian në Maqedoninë e Veriut vazhdon, e bashkë me të edhe debatet rreth narrativave dhe kundër-narrativave. Një gjë është e sigurt: komunikimi dhe edukimi duhet të përdoren për të mbështetur ndërgjegjësimin e publikut dhe për të lehtësuar vendimmarrjen që do të ndikojë në të ardhmen e vendit.

Është e rëndësishme të vazhdohet kërkimi dhe dialogu rreth këtyre narrativave dhe kundër-narrativave, si dhe të dëgjohen zërat e palëve të ndryshme të interesit. Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm hyrja në Bashkimin Evropian, por edhe ndërtimi i vetëdijes qytetare të përgjegjshme dhe të informuar.

(Autorja është udhëheqëse e Asociacionit Europian për Demokraci Lokale për Ballkanin Perëndimor)

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top