KUR SHTETI ËSHTË PUNËDHËNËSI MË I MADH: PROBLEME DHE SFIDA TË ADMINISTRATËS NË MAQEDONINË E VERIUT

“Reforma e administratës publike” është togfjalëshi që zë vend të veçantë në Raportet e përvitshme të Progresit të Komisionit Evropian. Si e këtillë, flet për probleme dhe sfida të cilat janë shpërfaqur si rezultat i punësimeve me e pa kritere, vetëm për të siguruar “rehatinë sociale” nga njëra anë, dhe pse jo, edhe për vendosjen e klientelizmit të llojit të vet edhe në këtë dikaster, në rrafshin lokal e atë qendror. Raporti i fundit, për vitin e kaluar i KE-së,  konstaton zvarritjen e miratimit të paketës së ligjeve për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore  dhe të kuadrit të ri ligjor  për menaxhimin e resurseve njerëzore që nga njëra anë synon  përmirësimin e këtij menaxhimi , sigurimin e numrit më të madh të punësimeve dhe avancimeve, ndërsa nga ana tjetër  mbanë llogari edhe për lëshimin nga puna  në bazë të meritave, përfshirë këtu edhe nivelet drejtuese.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, thotë për KDP-në se tash më është implementuar rekomandimi i Progres Raportit për ngritjen e sektorit të ekipuar për administratën publike  me qëllim të shtytjes së reformave në rrafshin teknik, pa anashkaluar as përgjegjësinë drejtuese.

Ministri Aliu pranon se aktualisht, në Maqedoninë e Veriut, shteti është punëdhënësi më i madh dhe konform kësaj edhe sfidat, për të mos thënë problemet janë – më të mëdha:

“Mjerisht, Maqedonia e Veriut është institucioni i parë i cili, le të themi, rehaton qytetarët në aspekt të sigurimit të vendeve të punës që nuk është mirë sepse profilizimi i apo përshkrimi i punës nuk është shumë i qartë në nivel të punëtorit, në administratën shtetërore. Prandaj, synimi ynë është  vendosja e një administrate optimale, funksionale  në mënyrë që të jemi në shërbim të qytetarit. Ligji për menaxhim të lartë në administratën publike, fjala vjen, përjashton mundësinë që një drejtor të emërohet vetëm e vetëm pse është pjesëtar i një partie politike, por do të duhej të kalojë një varg filtrash, kriteresh, për t’u bërë menaxher i mirë i një institucioni. Ligji tjetër është ai për optimizmin dhe funksionalizimin e administratës publike i cili mëton analizën funksionale të institucioneve. Miratimi i këtyre akteve ligjore imponohet si domosdoshmëri për shkak se në të kundërtën nuk do të mund të kemi qasje në më shumë fonde evropiane. Ndaj jemi të përkushtuar që reformave t’u shkojmë deri në fund. Në përpjekje për të mundësuar që institucionet të jenë sa më afër qytetarit. Kemi caktuar tri ministri si pilot projekte dhe njëra prej tyre është edhe Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë. Synimi është që të ofrojmë një pasqyrë-shembull për mirëfunksionimin e një institucioni. Kjo nënkupton një riorganizim të brendshëm serioz, si në aspekt të strukturës dhe funksionalitetit, ashtu edhe të kapaciteteve njerëzore. Në këtë rrafsh, mbetet sfidë organizimi i administratës publike në rrafshin horizontal,” – thotë ministri A. Aliu.

Struktura e administratës publike

Sipas tij, administrata në Maqedoninë e Veriut është si vijon:

“Administrata publike në Maqedoni numëron mbi 129 mijë veta të shpërndarë në 1.435 institucione. Prej tyre, 60.7 për qind janë të nivelit lokal, ndërsa 39.3 për qind të nivelit qendror. Më tej, 553 institucione lidhen me arsimin, 111 me shëndetësinë, 121 me Kulturën, 117 me Drejtësinë, 113 institucione lidhen me ofrimin e shërbimeve komunale, për shërbime sociale janë 125 institucione, 81 për komunat me institucionet brenda tyre dhe 14 për drejtësinë. Marrë në përqindje, 34% janë nga fusha e arsimit, 5% nga komunat, 3%  në kulturë, punë lokale 9%, shëndetësia 18%, pylltaria 2%, 13% administrata e përgjithshme, 7% për ofrim të shërbimeve sociale, në transport 3%, drejtësi 2% dhe 4% të tjera”.  

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, thotë për KDP-në se tash më është konkretizuar rekomandimi i Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, për vitin e kaluar, për ngritjen e sektorit të ekipuar për administratën publike me qëllim të shtytjes së reformave në rrafshin teknik, pa anashkaluar as përgjegjësinë drejtuese.

“Ndonëse kemi shumë të punësuar në administratën publike, nuk janë të rralla rastet kur shumë ministri dhe institucione kyçe për shtetin thuajse nuk kanë kapacitete njerëzore brenda. Sa për ilustrim, kemi dikastere që kanë një apo dy të punësuar që janë shumë të rëndësishëm për institucionin dhe kjo flet për menaxhimin jo optimal në nivel të institucioneve shtetërore. Shi për këtë, në Ministrinë që unë e drejtoj kemi ngritur një akademi për vlerësimin e të punësuarve në sensin që një i punësuar i cili nuk i përgjigjet vendit të caktuar të punës, të trajnohet e aftësohet për të ofruar shërbime në një dikaster tjetër. Pra, në aspektin horizontal, institucionet do të duhet të optimalizohen për të vendosur një administratë më funksionale për t’u ofruar shërbime sa më të mira e të lehta qytetarëve,” nënvizon ministri Aliu duke shtuar se kërkesën e BE-së  për reforma në administratë duhet kuptuar si kërkesë për përgjegjësi nëpër institucione  e jo për flakje nga puna.

“Problemi i optimizimit të administratës publike nuk është numri, por sistemimi i brendshëm. Nëse sot keni pesë persona që kanë të njëjtin përshkrim të vendit të punës, atëherë nuk ju duhen ata pesë dhe ndoshta pre prej tyre do t’ju duhet t’ju jepni të punojnë diçka tjetër,” thotë Aliu.

S’duhet pasur frikë nga digjitalizimi

I Pyetur se cili ka për të qenë “çmimi” i digjitalizimit në dikasterin që ai drejton; se a ka për të pasur “shkurtime” për shkak të tepricave, si rezultat i tij, ai përgjigjet:

“Është e vërtetë se digjitalizimi bën një shtytje të profileve të reja dhe, le të themi, pasivizim të punëve apo të profileve që momentalisht ekzistojnë. Në fakt, digjitalizimi është një trend botëror dhe ne do të duhet t’i bashkangjitemi e jo të jemi indiferent dhe t’i frikësohemi. BE-ja ka hartuar një strategji për digjitalizimin e Evropës (digital europe programme2030), ku një ndër shtyllat kryesore, përveç arsimit formal është edhe arsimi joformal.  Me këtë të fundit, ju shumë shpejt mund të bëni riorganizimin apo riprofilizimin e një të punësuari: nga një administrator, fjala vjen, që është marrë me një punë, përmes arsimimit joformal, ju mund ta aftësoni atë për t’u marrë me diçka tjetër. Në këtë rrafsh mund të ndihmojnë edhe universitetet me qëllim që t’u dilet në ndihmë nevojave të tregut të punës”, shprehet numri një i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Përse ngecim në raport me Evropën?

Në një publikim të paradokohshëm të “Asociacionit për Iniciativa Demokratike”  thuhet se “reformat e administratës publike, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe shërbimeve elektronike, të filluara më shumë se një dekadë e gjysmë më parë po përshpejtohen, por për shkak të një sërë sfidash, vendi ka mbetur dukshëm prapa në zbatimin e këtyre shërbimeve në krahasim me vendet tjera evropiane. Në fakt, sipas një hulumtimi, performanca e e-shërbimeve të siguruara në Maqedoninë e Veriut është në nivel më të ulët se mesatarja e BE-së. Megjithëse sofistikimi i shërbimeve elektronike po rritet në mënyrë eksponenciale, ky progres nuk shkon paralelisht me zhvillimin në shtetet anëtare të BE-së, duke zgjeruar kështu hendekun në sigurimin e këtyre shërbimeve.20 Mosekzistimi i bazës së unifikuar të e-shërbimeve, si dhe aksesit të unifikuar në portalet e ndryshme të e-shërbimeve, e vështirëson aksesin dhe shfrytëzimin e këtyre shërbimeve. Një problem shtesë është ofrimi i shërbimeve elektronike cilësore në nivel lokal. Gjegjësisht, në domenin e vetëqeverisjes lokale ka shumë pak shërbime të disponueshme në mënyrë elektronike. Këto janë zakonisht të disponueshme me një nivel të ulët të sofistikimit dhe nuk mirëmbahen rregullisht. Aprovimi i Portalit Kombëtar për e-shërbimet dhe shërbimet shtesë elektronike mbetet i pashfrytëzuar për disa arsye – një arsye relevante është hendeku dixhital, pra qasja dhe njohuria e qytetarëve për të përdorur teknologjitë digjitale për të marrë shërbime nga institucionet publike… Problemi i tejkalimit të hendekut midis nevojave dhe disponueshmërisë së resurseve njerëzore profesionale kërkon një qasje dhe strategji sistematike për të adresuar këtë problem në afat të gjatë”.

Natyrisht se problemet dhe shqetësimet e sipërngritura, si dhe deri tani, pritet të jenë edhe pjesë e fushatës për zgjedhjet e radhës. U mor vesh, nga e thëna në të bërë, ka një det të tërë, por vendosja e shtetit të së drejtës dhe ajo që quhet meritokraci, në kuptimin që punës t’i sigurohet njeri e jo njeriut punë, edhe çështjen e mirëfunksionimit të administratës do ta bënte më pak të mprehtë!

 

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top