KE: TË FORCOHET ROLI I OSHC-VE NË VENDIMMARRJE

“Organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol kyç në forcimin e vetëdijes mbi rëndësinë e integrimit në BE’’, thotë Besa Kadriu, profesore e të Drejtës Administrative dhe Shërbimit Publik në Universitetin e Evropës Juglindore.Ndërkaq, sipas Gyner Basha Nebiu nga organizata ANTICO, “shoqëria civile luan një rol thelbësor në forcimin e lidhjes midis institucioneve shtetërore dhe qytetarëve gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Merita Zulfiu Alili, profesore universitare, në kuadër të angazhimit të saj në “Rrjetin e Grave në Shkencë” thekson rëndësinë e edukimit të hershëm në formësimin e interesit të vajzave të reja për shkencën. “Shoqëria civile është një aktor kyç në informimin e qytetarëve për përfitimet dhe sfidat që lidhen me integrimin në BE. Ajo realizon fushata ndërgjegjësuese dhe ofron trajnime për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë rëndësinë e këtij procesi”, thotë Abdulla Azizi, profesor dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale Bashkëkohore në Universitetin e Evropës Juglindore
Autore: Genta Abdiji
Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) në Maqedoninë e Veriut funksionojnë në një mjedis përgjithësisht mundësues, vlerëson Brukseli. Megjithatë, në raportin e Komisionit Evropian (KE) për progresin e vendit në rrugën evropiane thuhet se qeveria duhet ta integrojë shoqërinë civile në fushat prioritare dhe në aktivitetet e konsultimit.
“Kornizat ekzistuese ligjore dhe financiare duhet të ndryshohen dhe të zbatohen, veçanërisht për të siguruar mekanizma të qëndrueshëm për ofrimin e financimit publik transparent për OSHC-të. Përpjekje urgjente nevojiten për të rifilluar aktivitetet e Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Shoqërisë Civile”, rekomandon Komisioni Evropian.
OSHC-të, rol kyç në procesin integrues
“Organizatat e shoqërisë civile luajnë një rol kyç në forcimin e vetëdijes mbi rëndësinë e integrimit në BE’’, thotë Besa Kadriu, profesore e të Drejtës Administrative dhe Shërbimit Publik në Universitetin e Evropës Juglindore.
Ajo thekson se ato kontribuojnë nëpërmjet informimit, edukimit dhe mobilizimit të qytetarëve, duke organizuar fushata informuese dhe trajnime për përfitimet dhe sfidat e integrimit.
Sipas saj, këto organizata gjithashtu monitorojnë dhe vlerësojnë politikat publike për të siguruar që ato përputhen me standardet që kërkon BE-ja.
Puna e tyre për promovimin e vlerave evropiane si barazia, sundimi i ligjit dhe transparenca është thelbësore për procesin e integrimit.
OSHC-të, ndikim më të madh në ndërgjegjësimin publik
Raport i fundit i “Projektit të Drejtësisë Botërore” rendit Maqedoninë e Veriut të 67-ën nga 142 vende për respektimin e sundimit të ligjit, duke theksuar nevojën për të përmirësuar hapësirën që OSHC-të kanë për të ndikuar më fuqishëm në ndërgjegjësimin publik.
Këto të dhëna dhe raporte tregojnë qartë se shoqëria civile në Maqedoninë e Veriut luan një rol të rëndësishëm në përgatitjen e vendit për integrimin në BE, përmes avokimit, edukimit publik dhe krijimit të një kulture të qëndrueshme qytetare.
Shoqëria civile, urë lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve
Sipas Gyner Basha Nebiu nga organizata ANTICO, “Shoqëria civile luan një rol thelbësor në forcimin e lidhjes midis institucioneve shtetërore dhe qytetarëve gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian (BE).
“Në shërbejmë si lidhje mes qytetarëve dhe institucioneve duke rritur ndërgjegjësimin, promovuar transparencën dhe krijuar mundësi për pjesëmarrje demokratike. Kjo qasje siguron që procesi i integrimit të jetë më gjithëpërfshirës, i besueshëm dhe i përshtatur me standardet evropiane”, thekson Basha Nebiu.
Të fuqizohet edukimi i hershëm
Merita Zulfiu Alili, profesore universitare, në kuadër të angazhimit të saj në “Rrjetin e Grave në Shkencë” thekson rëndësinë e edukimit të hershëm në formësimin e interesit të vajzave të reja për shkencën.
“Fillimisht, është e domosdoshme të fuqizohet edukimi i hershëm, duke prezantuar shkencën si një fushë të arritshme dhe interesante përmes programeve mësimore gjithëpërfshirëse dhe aktiviteteve jashtëshkollore. Një tjetër hap kyç është promovimi i modeleve të suksesshme femërore në shkencë, përmes fushatave mediatike dhe eventeve që frymëzojnë vajzat e reja të ndjekin pasionet e tyre. Për më tepër, përmirësimi i qasjes ndaj informacionit mbi karrierat shkencore dhe ndërlidhja e mundësive lokale me ato evropiane përmes partneriteteve me BE-në mund të nxisin më shumë vajza të angazhohen në këtë fushë”, vlerëson Zulfiu Alili.
OSHC-të, monitorim i politikave publike
Abdulla Azizi, profesor dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale Bashkëkohore në Universitetin e Evropës Juglindore, shprehet se organizatat e shoqërisë civile (OSHC) kanë një rol thelbësor në rritjen e ndërgjegjësimit publik lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian.
“Shoqëria civile është një aktor kyç në informimin e qytetarëve për përfitimet dhe sfidat që lidhen me integrimin në BE. Ajo realizon fushata ndërgjegjësuese dhe ofron trajnime për të ndihmuar qytetarët të kuptojnë rëndësinë e këtij procesi,” shprehet Azizi.
Azizi vë në dukje gjithashtu se OSHC-të janë të përfshira në monitorimin dhe vlerësimin e politikave publike që ndikojnë në integrimin evropian.
“Organizatat joqeveritare gjithashtu lobojnë për reforma të nevojshme dhe promovojnë vlerat evropiane si barazia, transparenca dhe shteti i së drejtës,” thotë ai.
Përmirësimi i bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe institucioneve të administratës publike
“Përmirësimi i bashkëpunimit mund të fillojë me forcimin e mekanizmave të formalizuar për dialog, si këshillat e përbashkëta dhe forumet konsultative’’, thotë Besa Kadriu, profesore.
Sipas saj, angazhimi i organizatave në hartimin dhe zbatimin e politikave është një hap i rëndësishëm për të siguruar që zëri i qytetarëve të jetë i pranishëm në vendimmarrje.
Bashkëpunimi i ngushtë me institucionet publike ndihmon në realizimin e një politikbërjeje të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie.
Azizi ndërkaq thekson rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të shoqërisë civile për shfrytëzimin e burimeve financiare.
“OSHC-të duhet të rrisin kapacitetet e tyre për të menaxhuar projekte të financuara nga BE-ja dhe të kenë një menaxhim më të mirë të burimeve. Ky është një element kyç për të siguruar që organizatat të mund të aplikojnë për fondet e BE-së dhe të realizojnë projekte të suksesshme,” thotë ai.
Kontributi i shoqërisë civile në përmirësimin e procesit të politikëbërjes në shoqëritë multi-etnike
‘’Shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në forcimin e urave midis komuniteteve dhe në promovimin e dialogut ndër-etnik’’, thotë Besa Kadriu, profesore.
Sipas saj, shoqëria civile avokon për politika përfshirëse që respektojnë barazinë dhe të drejtat e njeriut, duke organizuar trajnime për tolerancë duke rritur vetëdijen mbi çështjet ndër-etnike. Shoqëria civile gjithashtu ndihmon në zbatimin e të drejtave të pakicave dhe identifikimin e boshllëqeve, duke mundësuar hapësira të reja për përmirësime në politikëbërje.
Qeveria, fonde buxhetore për OSHC-të
Qeveria në programin e saj për vitin 2024-2028 zotohet se do të sigurojë fonde buxhetore për të mbështetur organizatat civile me qëllim zhvillimin cilësor të shoqërisë civile.
“Qëllimi i fondit të garancisë do të jetë mbështetja financiare për organizatat civile që aplikojnë dhe janë fituese të projekteve nga fondet evropiane dhe të tjera, siç janë fondet IPA, Horizon Europe, Climate-KIC, InvestEU, Digital Europe dhe të tjera, për të cilat kërkohet një përqindje pjesëmarrjeje, pra bashkëfinancim”, thuhet në programin e qeverisë.
Sipas qeverisë, përmes futjes së mjeteve digjitale në punën dhe bashkëpunimin me sektorin e OJQ-ve, do të funksionalizohet portali për bashkëpunim me shoqërinë civile, i cili do të shërbejë si një qendër burimore online. Do të realizohet një reformë gjithëpërfshirëse e sistemit të sponsorizimeve për organizatat që kryejnë aktivitete publike, e cila do të nënkuptojë organizata civile të forcuara, si dhe mekanizma të qëndrueshëm, të hapur dhe transparentë për dhënien e donacioneve dhe sponsorizimeve.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.