PUNËSIMI I FEMRAVE NË RMV MBETET NËN NIVELIN E BE-SË

Në total në Maqedoninë e Veriut, vetëm 292 168 gra janë të punësuara, që përfaqëson rreth 15,91% të popullsisë së përgjithshme. Kjo përqindje e ulët e grave të punësuara përbën kambanë alarmi për autoritetet që të ndërmarrin masa për të rritur përfshirjen e grave në tregun e punës. Për të nxitur punësimin e grave të margjinalizuara, është thelbësore që ato të pajisen me aftësi digjitale dhe të mbështeten për t’u integruar në tregun e punës, thekson Shpresa Alija, profesore. “Në Maqedoninë e Veriut kemi një kornizë të fortë ligjore, por çështja shpesh qëndron në zbatimin e këtyre ligjeve. Ne kemi nevojë për mekanizma më të rreptë për të kontrolluar zbatimin dhe për të vlerësuar efikasitetin e tyre”, thotë Teodora Mileska, aktiviste kombëtare e OKB-së për barazinë gjinore. “Normat kulturore dhe stereotipet gjinore kanë një ndikim të ndjeshëm në vendimet dhe mundësitë që u ofrohen grave në tregun e punës. Pritshmëritë tradicionale, si roli i grave si kujdestare kryesore të familjes, i kufizojnë ato në ndjekjen e karrierës dhe zhvillimit profesionale”, thotë Lumturije Mehmedi-Sinani, lehtësuese Globale e Zhvillimit të Karrierës si dhe drejtoreshë e Qendrës së Karrierës në UEJL.
Autore: Luisa Residi
Në Maqedoninë e Veriut vetëm 37 379 gra janë regjistruar si të papuna, ndërsa një numër shumë më i madh, 440 453 gra konsiderohen joaktive në tregun e punës. Kategoria e grave joaktive përfshin ato që nuk janë as të regjistruara si të papuna në entin për punësim, gjë që sinjalizon një problem edhe më të thellë sesa papunësia.
2023- Personat e papunë dhe joaktivë sipas gjinisë – Gjinia Femërore | ||
Të papunë | Joaktive | |
Total | 37 379 | 440 453 |
Burimi:stat.gov.mk
Në total në Maqedoninë e Veriut, vetëm 292 168 gra janë të punësuara, që përfaqëson rreth 15,91% të popullsisë së përgjithshme. Kjo përqindje e ulët e grave të punësuara përbën kambanë alarmi për autoritetet që të ndërmarrin masa për të rritur përfshirjen e grave në tregun e punës.
Krahasimi me Bashkimin Evropian
Në vitin 2024, norma mesatare e papunësisë së grave është rreth 6,1% në Bashkimin Evropian dhe 6,6% në eurozonë. Megjithatë, ndryshimet midis vendeve janë të ndjeshme, me norma më të ulëta në disa vende si Zvicra (2%) dhe më të larta në të tjera, si Italia (7,5%).
Në Maqedoninë e Veriut, papunësia e grave është një problem i rëndësishëm, por normat e sakta ndryshojnë bazuar në burimet dhe periudhat kohore. Sipas të dhënave të fundit, papunësia e përgjithshme e grave në vend arrin mesatarisht rreth 15-18% për vitet e fundit. Krahasuar me burrat, gratë përballen me më shumë sfida në tregun e punës, veçanërisht në zonat rurale dhe për shkak të rolit të theksuar të kujdesit shtëpiak dhe kufizimeve shoqërore që ndikojnë në përfshirjen e tyre aktive në ekonomi.
“Gratë të pajisen me aftësi digjitale”
Për të nxitur punësimin e grave të margjinalizuara, është thelbësore që ato të pajisen me aftësi digjitale dhe të mbështeten për t’u integruar në tregun e punës, thekson Shpresa Alija, profesore.
“Përmes projekteve si Trajnerët e Mësimit Digjital Gjithëpërfshirës të Universitetit dhe Biznesit (TMDGUB), u dëshmua se një aleancë mes universitetit, biznesit dhe komunitetit mund të krijojë një ndikim të qëndrueshëm. Gratë që merren me biznes në zonat rurale, për shembull, janë fuqizuar për të rritur vizibilitetin e tyre në treg dhe për të përdorur teknologjinë në favor të tyre. Në këtë proces, mentorimi dhe krijimi i burimeve të qasshme, si videot tutoriale dhe udhëzimet praktike, kanë qenë vendimtare për të arritur këtë qëllim”, shton ajo.
Alija thekson se një tjetër aspekt kyç për të mbështetur gratë e margjinalizuara është krijimi i besimit në përdorimin e sistemeve elektronike dhe mbrojtja nga rreziqet kibernetike. Përmes trajnimeve të fokusuara dhe mentorimit, ato kanë mësuar të realizojnë pagesa elektronike, të kryejnë porosi online dhe të promovojnë bizneset e tyre në platformat digjitale.
“Këto aftësi jo vetëm që i ndihmojnë të jenë më konkurruese në treg, por gjithashtu i fuqizojnë për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për veten dhe komunitetin e tyre” shton ajo.
Masa për inkurajimin e punësimit të grave nëpërmjet uljes së diskriminimit në vendin e punës
Diskriminimi në vendin e punës shpeshherë nuk konsiderohet si një faktor tejet i rëndësishëm, por në realitet, ai ndikon drejtpërdrejt në nivelin e ulët të punësimit të grave. Shumë gra janë të detyruara të lënë vendin e tyre të punës për shkak të diskriminimit, ndërsa një pjesë tjetër hezitojnë të hyjnë në tregun e punës për shkak të frikës nga trajtimi i padrejtë. Për më tepër, hendeku i pagave përbën një pengesë shtesë, duke ndikuar negativisht në motivimin dhe pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.
“Në Maqedoninë e Veriut kemi një kornizë të fortë ligjore, por çështja shpesh qëndron në zbatimin e këtyre ligjeve. Ne kemi nevojë për mekanizma më të rreptë për të kontrolluar zbatimin dhe për të vlerësuar efikasitetin e tyre”, thotë Teodora Mileska, aktiviste kombëtare e OKB-së për barazinë gjinore.
Ajo thekson gjithashtu se është thelbësore që gratë të edukohen për të drejtat e tyre në vendin e punës.
“Shpesh, ata nuk janë të vetëdijshëm se disa praktika gjatë procesit të punësimit ose në vendin e punës mund të konsiderohen diskriminuese, kështu që ofrimi i kësaj njohurie është çelësi për fuqizimin e tyre,” shton ajo.
Masa konkrete që BE ka ndërmarrë për të nxitur punësimin e grave
Disa masa që BE-ja ka aplikuar në nxitjen e punësimit të grave janë:
- Direktiva për Lejen Prindërore dhe Kujdesin Familjar
U miratua në vitin 2019 dhe kërkon që çdo prind të ketë të drejtë për të paktën 4 muaj leje prindërore, nga të cilët 2 muaj janë të patransferueshëm. Kjo nxit burrat të marrin pjesë në kujdesin familjar, duke lehtësuar kthimin e grave në punë.
- Programi Horizon Europe
Financimi për gratë në kërkime dhe inovacion, duke përfshirë grante për projekte të drejtuara nga gra shkencëtare.
- Platforma “EURES” për Punësim Ndërkufitar
Siguron informacione dhe mundësi punësimi për gratë në të gjithë BE-në.
- Fondi i BE-së për Kujdesin e Fëmijëve
Financim për ndërtimin e qendrave të kujdesit për fëmijët dhe përmirësimin e cilësisë së tyre në vendet anëtare. Objektivi i BE-së është që të sigurohet kujdes për të paktën 33% të fëmijëve nën moshën 3 vjeç dhe 90% të atyre nga 3 deri në moshën e shkollës.
- Programi për Gratë Sipërmarrëse (ËEgate)
Një platformë online që ofron burime, mentorim dhe financim për gratë që duan të fillojnë ose zhvillojnë biznese.
- Transparenca e Pagave
BE ka vendosur që kompanitë me më shumë se 250 punonjës të raportojnë publikisht mbi diferencat gjinore në paga, duke nxitur barazinë në vendin e punës.
- Projekti “Skills Agenda”
Mbështet gratë në përvetësimin e aftësive të reja, veçanërisht në sektorët digjitalë dhe të gjelbër.
- Iniciativa për Gratë në Bujqësi
Financim për gratë që duan të krijojnë biznese bujqësore ose të zhvillojnë aktivitete ekonomike në zonat rurale si dhe trajnime dhe asistencë teknike për gratë në sektorin bujqësor.
Faktori kryesor i papunësisë së grave në RMV
Gjatë dy dekadave të fundit, përparimi i dukshëm i grave në arritjet arsimore në nivel global nuk është reflektuar në mënyrë të barabartë në përmirësimin e pozitës së tyre në tregun e punës. Në shumë rajone të botës, gratë, krahasuar me burrat, kanë më shumë gjasa të mbeten të papuna dhe përballen me më pak mundësi për t’u punësuar. Edhe kur u jepet rasti për të hyrë në tregun e punës, shpesh ato janë të detyruara të pranojnë punë me cilësi më të ulët, shpesh të paguara më pak dhe me më pak siguri ekonomike.
Një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon në këtë pabarazi është shpërndarja e pabarabartë e përkujdesjes dhe punëve të shtëpisë, të cilat në shumicën e rasteve mbeten përgjegjësi kryesisht e grave. Këto detyra, të cilat zakonisht nuk paguhen, krijojnë një barrë të madhe që ndikon negativisht në pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës dhe në përparimin profesional.
“Normat kulturore dhe stereotipet gjinore kanë një ndikim të ndjeshëm në vendimet dhe mundësitë që u ofrohen grave në tregun e punës. Pritshmëritë tradicionale, si roli i grave si kujdestare kryesore të familjes, i kufizojnë ato në ndjekjen e karrierës dhe zhvillimit profesional. Për më tepër, mungesa e strukturave mbështetëse, si shërbimet për kujdesin ndaj fëmijëve, e bën të vështirë balancimin e përgjegjësive familjare dhe profesionale”, thotë Lumturije Mehmedi-Sinani, lehtësuese Globale e Zhvillimit të Karrierës si dhe drejtoreshë e Qendrës së Karrierës në UEJL.
Ajo shton se shoqëria jonë ende përballet me paragjykime që i shohin disa profesione si ‘role burrash’, duke e bërë të vështirë për gratë hyrjen dhe avancimin në fusha si teknologjia, inxhinieria apo pozitat menaxheriale të larta.
“Edhe kur gratë arrijnë të hyjnë në këto profesione, shpesh përballen me skepticizëm për aftësitë e tyre, gjë që ndikon negativisht në vetëbesimin e tyre dhe në mënyrën se si perceptohen nga punëdhënësit”, thotë Mehmedi-Sinani.
“Megjithatë, kemi filluar të shohim përparime të rëndësishme. Gjithnjë e më shumë gra po sfidojnë këto stereotipe, duke u bërë modele frymëzimi për brezat e ardhshëm. Shembujt e tyre jo vetëm që ndryshojnë perceptimet shoqërore, por gjithashtu hapin rrugën për një mjedis më të barabartë dhe të drejtë për të gjithë”, shton ajo.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.