KUR DIJA NUK SHNDËRROHET NË INOVACION, KUADROT LARGOHEN

Universitetet duhet të jenë më të hapura ndaj bashkëpunimit me sektorin civil dhe ekonominë, ndërsa arsimi i lartë duhet të krijojë më shumë hapësira për kërkim, zhvillim të prototipeve dhe inovacion. Pa një sistem të tillë, është e vështirë të ndërtohet një ekonomi konkurruese dhe të ndalet largimi i kuadrove. Kështu vlerëson Irina Janevska, drejtoreshë ekzekutive e ARNO-s, duke folur për inovacionin, arsimin universitar dhe sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut.

Janevska thekson se ARNO, organizata ku punon, prej 13 vitesh mbështet bizneset sociale dhe të gjelbra dhe se, nga përvoja e saj, niveli i inovacionit në vend mbetet shumë i ulët.

Një pjesë e problemit, sipas Janevskës, lidhet drejtpërdrejt me arsimin. Universitetet, vlerëson ajo, duhet të jenë shumë më të hapura ndaj bashkëpunimit me sektorin civil dhe me aktorët e tjerë të shoqërisë.

Në këtë drejtim, ajo propozon krijimin e më shumë qendrave kërkimore-shkencore, por edhe hapësirave praktike ku idetë mund të shndërrohen në produkte konkrete.

“Jo vetëm qendra kërkimore, por edhe hapësira ku mund të zhvillohen prototipe dhe të organizohen hakatone”, thekson Janevska.

Sipas saj, universiteti nuk duhet të kufizohet vetëm në prodhimin e njohurive teorike, por duhet të krijojë kushte që studentët, studiuesit dhe inovatorët të mund t’i testojnë idetë e tyre dhe t’i zhvillojnë ato deri në produkte ose zgjidhje të zbatueshme.

Janevska e sheh rolin e universiteteve në rritjen ekonomike si të padiskutueshëm.  “Universitetet përgatisin kuadro që më pas hyjnë në tregun e punës dhe këto duhet të jenë kuadro cilësore, e jo vetëm diploma që nuk kanë asnjë vlerë”, thotë ajo.

Megjithatë, ajo vë në dukje mospërputhjen ndërmjet arsimit universitar dhe nevojave reale të tregut të punës.

Sipas Janevskës, hulumtimet dhe testimet që realizon organizata ku ajo punon tregojnë se ekziston një hendek ndërmjet asaj që ofron arsimi universitar dhe asaj që kërkohet realisht nga tregu i punës.

Kjo mospërputhje, sipas saj, e dobëson rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik dhe e bën më të vështirë kalimin e të diplomuarve nga arsimi në punësim të qëndrueshëm.

Sipas saj, nga Maqedonia e Veriut po largohen njerëzit që kanë aftësi dhe profesione të kërkuara. “Absolutisht po, dhe jo vetëm të rinjtë. Kushdo që ka ndonjë aftësi po largohet”, thekson ajo.

Si shembull konkret ajo përmend edhe profesionet e zanateve. ARNO punon me një Qendër Riparimesh dhe, sipas Janevskës, edhe këtu është gjithnjë e më e vështirë të gjenden mjeshtër të kualifikuar.

“Ne punojmë në një Qendër Riparimesh dhe është shumë e vështirë të gjejmë mjeshtër. Kushdo që ka një aftësi të tillë ndodhet jashtë Maqedonisë”, thotë Janevska.

Në vizionin e Janevskës, universiteti i vitit 2035 duhet të jetë një hapësirë shumë më dinamike, praktike dhe e orientuar drejt studentit.

“Universiteti në vitin 2035, sipas meje, duhet të jetë një hapësirë e madhe ku në qendër të gjithçkaje është studenti”, thekson ajo.

Përveç programeve cilësore studimore, universitetet e së ardhmes, sipas saj, duhet të kenë hapësira ku zhvillohen prototipe, ku studentët punojnë me mentorë dhe ku funksionojnë qendra kërkimore.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top