PËRVOJA EUROPIANE PËR PAMJE TJETËR MBI UNIVERSITETIN

Studimet jashtë vendit, veçanërisht në një periudhë kur mundësitë për studentët nga Maqedonia e Veriut ishin ende të kufizuara, mund të bëhen një përvojë që ndryshon jo vetëm perspektivën akademike, por edhe mënyrën se si shihet sistemi arsimor në vend. Katica Janeva, drejtoreshë e ALDA Balkan totë se vendimin për të studiuar jashtë e mori në vitin 2009, në një kohë kur vendi ishte ende më i izoluar dhe udhëtimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian kërkonte viza.

Duke kujtuar periudhën kur vendosi të largohej për studime, ajo thekson se konteksti ishte krejtësisht ndryshe nga ai i sotmi.

“Unë kam studiuar jashtë vendit shumë vite më parë, në vitin 2009, në një kontekst krejtësisht ndryshe nga ai i sotmi”.

Në atë periudhë, sipas saj, mundësitë për të studiuar jashtë vendit sapo kishin filluar të hapeshin për studentët nga Maqedonia.

“Në atë kohë, Maqedonia ishte ende një vend shumë i mbyllur dhe ne kishim nevojë për viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Janeva.

Ajo kujton se pikërisht në atë periudhë filluan të krijoheshin mundësi të reja përmes bursave të ofruara nga ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare.

“Studimet jashtë vendit sapo po bëheshin një mundësi për studentët maqedonas, pasi në atë periudhë shumë ambasada dhe organizata ndërkombëtare filluan të ofronin bursa për studime jashtë vendit”, thotë ajo.

Një nga arsyet kryesore që e bëri të veçantë përvojën e saj ishte vetë programi i studimit. Ajo thotë se universiteti ku studioi ofronte një profil që në atë kohë nuk gjendej në universitetet e vendit.

“Ai ofronte programe studimi që në atë kohë nuk ekzistonin fare këtu. Për të qenë e sinqertë, nuk e di nëse ekzistojnë as sot”, thotë ajo.

Bëhej fjalë për një program të specializuar në menaxhimin e programeve evropiane, ndërsa një tjetër element i rëndësishëm ishte mundësia për të studiuar në një gjuhë të huaj.

“Ishin studime të specializuara për menaxhimin e programeve evropiane. Gjithashtu ofronte mundësinë për të studiuar në një gjuhë tjetër”, thekson Janeva.

Sipas saj, studimet në gjuhë të huaja sot mund të jenë më të pranishme edhe në universitetet e vendit, por në atë periudhë një mundësi e tillë ishte pothuajse e padisponueshme.

“Mendoj se koncepti i studimeve në gjuhë të huaja ndoshta ka filluar të zhvillohet edhe në disa universitete të vendit, por në atë kohë nuk ishte aspak një opsion”, thekson ajo.

Në program ligjëronin profesorë jo vetëm nga Franca, por edhe nga Belgjika dhe Kanadaja. “Vetë programi, përveç profesorëve universitarë që vinin jo vetëm nga Franca, por edhe nga Belgjika dhe Kanadaja, përfshinte edhe ligjërata nga profesionistë me përvojë”, thotë ajo.

Një nga shembujt që ajo veçon tregon pikërisht këtë ndërthurje mes akademisë dhe përvojës profesionale.

“Në një nga ligjëratat tona ishte drejtuesi që kishte punuar së bashku me ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy në zbatimin e reformës së madhe të administratës publike në Francë”, thotë Janeva.

Kjo përvojë, sipas saj, e bëri studimin jashtë vendit jo vetëm një mundësi për të marrë një diplomë, por edhe një mënyrë për të parë nga afër modele, programe dhe përvoja profesionale që në atë kohë mungonin në vend.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top