PISA NA JEP REZULTATIN, POR KUSH DUHET TA MAT DIAGNOZËN?

Autor: Enis Shaqiri

Përsëri PISA. Dhe ndoshta është e nevojshme të flasim përsëri për këtë temë.

Jo sepse një renditje ndërkombëtare duhet të përcaktojë se sa i mirë apo i keq është një sistem arsimor, por sepse rezultatet e PISA 2025 na japin një tjetër mundësi për të parë më thellë atë që po ndodh me sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut.

Në raportin e vitit 2025, nxënësit 15-vjeçarë nga vendi arritën mesatarisht 380 pikë në matematikë, 357 në lexim dhe 378 në shkencë. Në të tria fushat rezultatet mbetën nën mesataren e OECD-së. Krahasuar me vitin 2022, matematika shënoi rënie, ndërsa rezultatet në lexim dhe shkencë mbetën afërsisht në të njëjtin nivel.

Por, në vend që të ndalemi te pyetja “sa pikë kemi marrë?”, pyetja më e rëndësishme është: Pse po i marrim këto rezultate dhe kush është fajtori për këtë?

Dhe këtu fillon problemi i vërtetë.

PISA nuk na jep një fajtor të vetëm. Nuk thotë se rezultatet janë pasojë vetëm e mësuesve, vetëm e nxënësve, vetëm e prindërve, vetëm e teksteve shkollore apo vetëm e politikave arsimore. Testimi mat njohuritë dhe aftësitë e 15-vjeçarëve, por përmes pyetësorëve mbledh edhe të dhëna për mjedisin në të cilin ata mësojnë. Pikërisht këto të dhëna janë ndoshta pjesa më interesante e rezultateve për të gjetur diagnozën.

Mungesa dhe kushtet në shkolla

Sipas OECD-së, 52 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut ndjekin shkolla ku drejtorët e po atyre shkollave kanë raportuar se mungesa e materialeve arsimore, si tekstet shkollore, pajisjet IT, materialet e bibliotekës ose të laboratorit, e pengojnë mësimin, të paktën deri në një masë.

Po ashtu, 17 për qind e nxënësve janë në shkolla ku mungesa e infrastrukturës fizike, ndërtesat, hapësirat, sistemet e ngrohjes dhe ftohjes, ndriçimi apo akustika perceptohen si pengesë për mësimnxënien. Megjithatë, krahasuar me vitin 2022, këto dy tregues kanë shënuar një përmirësim të lehtë: nga 55 në 52 për qind për materialet arsimore dhe nga 23 në 17 për qind për infrastrukturën fizike.

Vetëm 13 për qind e nxënësve ndjekin shkolla ku drejtorët e po atyre shkollave raportojnë se mungesa e stafit mësimdhënës e pengon mësimin deri në një masë. Pra, në rastin e Maqedonisë së Veriut, PISA 2025 nuk na lejon që problemin ta reduktojmë thjesht në mungesën e mësuesve.

Është e lehtë të thuhet se nxënësit duhet të lexojnë më shumë, të mësojnë më shumë matematikë, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të jenë më të përgatitur për tregun e punës.

Por një sistem nuk mund t’u kërkojë vazhdimisht nxënësve rezultate më të mira pa pyetur njëkohësisht nëse u ka krijuar kushtet për t’i arritur ato rezultate.

Nuk është e mundur të presësh laboratorë më të mirë, pa laboratorë funksionalë. Nuk mund të kërkosh përdorim më të madh të teknologjisë, pa pajisje dhe infrastrukturë të përshtatshme. Dhe nuk mund të flasësh për një arsim të orientuar drejt së ardhmes nëse një pjesë e konsiderueshme e nxënësve vazhdon të mësojë në kushte ku mungojnë materialet bazë.

Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se mungesa e një teksti ose e një pajisjeje shpjegon automatikisht një rezultat të dobët në PISA. Vetë të dhënat e OECD-së tregojnë se rezultatet ndikohen nga një kombinim faktorësh, përfshirë prejardhjen socio-ekonomike, mjedisin shkollor dhe faktorë të tjerë.

Në Maqedoninë e Veriut, për shembull, nxënësit nga grupet më të favorshme socio-ekonomikisht kanë shënuar në shkencë mesatarisht 63 pikë më shumë se nxënësit nga grupet më të pafavorizuara. Pra, nuk kemi një problem me një shkak. Kemi një sistem me shumë hallka.

Një gjeneratë që mëson në dy realitete

Ka edhe një tjetër kontrast interesant në rezultatet e PISA 2025.

Në shkolla, 44 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut raportojnë se përdorin chatbotë me inteligjencë artificiale për t’i ndihmuar në të mësuar të paktën një herë në javë.

Rreth një e treta i përdor ato për kërkime fillestare, për përmbledhje tekstesh ose për hartimin e detyrave me shkrim. Vetëm 10 për qind deklarojnë se i përdorin pak ose pothuajse fare për detyrat e përfshira në anketë.

Pra kemi një situatë pothuajse paradoksale.

Teknologjia po hyn në jetën e nxënësve me një shpejtësi që sistemi arsimor mezi e ndjek, ndërsa 52 për qind e nxënësve janë në shkolla ku mungesa e materialeve arsimore ende raportohet si pengesë për mësimin.

Në njërën anë kemi inteligjencën artificiale. Në tjetrën, kemi probleme me materialet bazë.

Dhe PISA 2025 jep edhe sinjale të tjera që nuk mund të anashkalohen. Rreth 35 për qind e nxënësve raportuan se kishin munguar të paktën një ditë në shkollë gjatë dy javëve para testit, 41 për qind kishin humbur të paktën një orë mësimore, ndërsa 57 për qind kishin ardhur me vonesë. Të tre treguesit janë më të lartë se mesatarja e OECD-së.

Kjo tregon se diskutimi për arsimin nuk mund të kufizohet vetëm te programet mësimore. Duhet të flasim edhe për marrëdhënien e nxënësit me shkollën, si dhe me profesorët e tyre, pasi jemi të vetëdijshëm se një problem veçanërisht i rëndësishëm është edhe politizimi i punësimeve në arsim, kur kriteret profesionale dhe meritokracia shpesh zëvendësohen nga afërsia partiake, e cila ka pasoja jo vetëm në nivelin e menaxhimit të institucioneve, por edhe në cilësinë e mësimdhënies dhe, rrjedhimisht, në rezultatet e nxënësve.

PISA dhe Ligji i Ri për Arsimin e Lartë

Në pamje të parë, PISA dhe Ligji i Ri për Arsimin e Lartë duken si dy tema të ndryshme.

Njëra flet për 15-vjeçarët. Tjetra për universitetet.

Por në të vërtetë ato janë pjesë e të njëjtit zinxhir, pasi bëhet fjalë për nxënësin e sotëm dhe studentin e së nesërmes.

Studenti i sotëm është profesionisti, studiuesi, mësuesi, inxhinieri, mjeku, juristi apo gazetari i së ardhmes. Prandaj nuk mund të diskutojmë seriozisht për cilësinë e arsimit të lartë pa folur për bazën mbi të cilën ata ndërtohen.

Kjo është edhe arsyeja pse rezultatet e PISA duhet të hyjnë në debatin për reformën universitare. Jo si argument për të fajësuar universitetet për rezultatet e nxënësve, pasi universitetet jo domosdoshmërisht janë përgjegjëse për atë që ndodh gjatë gjithë arsimit parauniversitar.

Por ato janë pjesë e vazhdimësisë së sistemit.

Së këndejmi, nëse një nxënës përfundon arsimin e mesëm me boshllëqe të mëdha në lexim, matematikë apo shkencë, universiteti nuk e nis punën nga zero, por e merr studentin me një bagazh të caktuar arsimor.

Ligji mund të ndryshojë rregullat, por jo realitetin

Kjo është pika ku dua të rikthehem te tema për të cilën kam shkruar edhe më herët.

Propozim-ligji i ri për arsimin e lartë është paraqitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si një reformë që synon ngritjen e cilësisë akademike, forcimin e kritereve për zgjedhjen në thirrje akademike, riorganizimin e programeve studimore dhe futjen e modularitetit, dhe pritet të kalojë në Kuvend. Ministria e lidh gjithashtu reformën me praktikën, ndërkombëtarizimin, bashkëpunimin me biznesin dhe përmirësimin e pozitës së universiteteve në renditjet ndërkombëtare.

Këto janë objektiva që, në parim, tingëllojnë të arsyeshme.

Por këtu qëndron pikërisht pyetja që kemi ngritur edhe më herët: çfarë ndodh kur standardet rriten më shpejt se kapacitetet që duhet t’i mbështesin ato?

Një profesor mund të ketë kritere më të larta për avancim akademik. Por kërkimi shkencor kërkon laboratorë, literaturë, qasje në databaza ndërkombëtare, financim, kohë për kërkim dhe bashkëpunim akademik.

Një student mund të ketë program studimi më modern. Por programi duhet të shoqërohet me laborator, praktikë, pajisje dhe staf që mund ta zbatojë atë.

Një universitet mund të kërkojë më shumë publikime shkencore. Por publikimi nuk prodhohet nga një nen ligjor.

Dhe kjo është pika ku ligji duhet të matet jo vetëm me atë që shkruan, por me atë që shteti është i gatshëm të bëjë për ta zbatuar.

PISA na jep rezultatin, tani duhet ta bëjmë diagnozën

Në fund, rezultatet e PISA-s nuk duhet të shërbejnë vetëm për të konstatuar se ku renditet Maqedonia e Veriut.

Ato duhet të na detyrojnë të pyesim se çfarë po ndodh në klasë, në çfarë kushtesh mësojnë nxënësit, çfarë aftësish marrin me vete në universitet dhe nëse universitetet kanë kapacitetet për t’i përgatitur më mirë.

Në fund të fundit, ligji i ri mund të vendosë kritere, struktura dhe procedura të reja.

Por cilësia e arsimit nuk matet vetëm në tekstin e ligjit.

Matet te ajo që mëson nxënësi, te ajo që fiton studenti dhe te ajo që profesori është në gjendje të ofrojë.

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësimi për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga qeveria e zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese. 

to top