TREGU I PUNËS DHE NEVOJA E MBINTËRTIMIT TË ARSIMIT PROFESIONAL   

Sipas shumë ekspertëve është koha për një mbindërtim të sistemit arsimor të deritashëm, që në shumicën e rasteve është skematik dhe jokreativ. Nevojitet një riformatim i kuadrit mësimdhënës, ndryshim i kurrikulave dhe programeve mësimore, të cilat nuk do të jenë një lloj improvizimi, por një suazë e vërtetë reformash dhe zhvillimi i bazuar në studime socio-kulturore dhe modele që vijnë nga përvoja të ngjashme të suksesshme. Është koha të bëhet një hap përpara për të ndryshuar qasjen përgjithësisht të konceptit dhe sistemit arsimor, sidomos të ndryshojë qasja ndaj shkollave profesionale

Shkruan: Lorik Idrizi

Sa janë politikat e arsimit të lartë dhe drejtimet në universitete në përputhje me tregun e punës. Sa realisht universitet janë në shërbim të studentëve dhe bashkë me këtë në shërbim të dinamikave të tregut të punës? Sa përgjithësisht institucionet arsimore janë në shërbim të krijimit të qytetarëve që nesër mund të gjejnë një vend pune në suazën e madhe dhe diverse të tregut të punës? Janë këto disa nga pyetjet që hapin dilemën e madhe, sfidën për t’i performuar institucionet arsimore, shkolla, universitetet në dobi të tregut të punës, që realisht është në dobi të zhvillimit dhe progresit ekonomik dhe bashkë me këtë në dobi të qytetarëve.

Një dimension i cili e ka dalluar rajonin e Ballkanit Perëndimor me pjesën e Evropës Lindore ka qenë aspekti socio-ekonomik dhe progresi shoqëror. Shumë nga këto vende janë në pozitat më të volitshme të rrugëtimit të tyre historik, si në progresin  shoqëror poashtu edhe në zhvillimin ekonomik dhe rrjedhimisht kjo pozitë ua ka mundësuar edhe anëtarësimin e natyrshëm në Bashkimin Europian.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në mënyrë kaq të natyrshme me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë pasur shumë vështirësi si në periudhën e gjatë dhe me shumë turbulenca të tranzicionit, njësoj edhe në procesin e integrime, gjegjësisht në përpjekjet për arritjen e standardeve të BE-së. Indikatori i parë që e shfaq këtë trend është GDP– ja per capita ( Bruto Prodhimi  Brendshëm për kokë banori), e cila është shumë më e ulët nga vendet e Evropës Lindore dhe sidomos asaj qendrore.  Poashtu vendet e Ballkanit Perëndimor qëndrojnë shumë më poshtë edhe nga mesatarja e GDP- së të vendeve anëtare të Organizatës Ekonomike për Bashkëpunim  dhe Zhvillim OECD[1].

Përveç dimensionit ekonomik dhe mirëqenies sociale, arsimi në vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet një nga fushat në fokusin e reformave, gjithnjë duke pasur parasysh se dija konceptuale dhe njerëzit me aftësi profesionale do jenë vendimtarë për ndërtimin e ekonomive dinamike dhe shoqërive funksionale.

Për t’iu kundërpërgjigjur këtij trendi vendet e rajonit kanë marrë masa përkatëse. Ato kanë filluar të miratojnë kurrikula të reja përkatëse me standarde profesionale në sistemet e tyre arsimore, duke krijuar korniza të reja evaluimi me qëllim që të tentohet modernizimi i sistemit të mësimdhënies dhe të rinjtë të marrin shkathtësitë e duhura për t’u zhvilluar dhe të jenë të gatshëm për vazhdimin e shkollimit apo për të qenë të gatshëm për tregun e punës. Megjithatë, me këto reforma, megjithëse ndonjëherë kanë kontribuuar në përmirësimin e përgjithshëm, nuk po përfitojnë të gjithë grupet e popullsisë në mënyrë të barabartë, ndërkohë që një pjesë e madhe e nxënësve vazhdojnë të marrin diploma pa zotërim të dijeve bazike. Adresimi i këtyre sfidave do të jetë vendimtar për zhvillimin e ekonomisë rajonit, prosperitetit social dhe më në fundit  integrimin në Bashkimin Evropian.

Pjesëmarrja në testimet PISA

Testimet PISA janë një testim trevjeçar që realizohen me nxënësit 15-vjeçarë në mbarë botën. Ky testim vlerëson shkallën në të cilën ata kanë marrë njohuritë dhe aftësitë në lexim, matematikë dhe shkencë që janë thelbësore për pjesëmarrje e  tyre të plotë në jetën sociale dhe ekonomike. Vlerësimet e PISA-s nuk konstatojnë vetëm nëse nxënësit mund ta riprodhojnë dijen të cilën e kanë mësuar, por konstatojnë se atë lloj dije të fituar a mund ta funksionalizojnë në jetën shoqërore dhe ekonomike. Nëpërmjet pyetësorëve dhe testimeve, PISA grumbullon informacione rreth konteksteve arsimore dhe substancës autentike të modeleve të dijes në vendet  përkatëse, të cilat kur analizohen, krahas performancës së nxënësve, japin fakte  të dobishme për rrjedhën në mësimin e nxënësve në mbarë botën.

Pjesëmarrja në testimet PISA, Maqedonia e Veriut

Vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë tërë kohës, në të gjitha ciklet e mbajtura të testit PISA kanë treguar rezultate të dobëta. Maqedonia e Veriut gjatë testimit të vitit 2018 ishte renditur në vendin e 67-të nga gjithsej 79 vende pjesëmarrëse.

 

Testimet PISA në matematikë, lexim dhe shkencë

Në tabelë më poshtë shohim rezultate e fundit të testimit PISA, në matematikë, lexim dhe shkencë në vendet e rajonit dhe mesataret e  Bashkimit Europian dhe vendeve OECD. Edhe në ndarjen e këtyre 3 kategorizimeve vendet e Ballkanit kanë një ngecje të madhe me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian ,vendeve të OECD dhe CEEC.

Ngërçi në integrime dhe tregu i paharmonizuar

Në këtë këndvështrim, rezultatet e testimit PISA identifikojmë se në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e rajonit gjeneza e zhvillimit të ngadaltë, procesi i tejzgjatur i tranzicionit dhe çekuilibrimi i tregut të punës është pikërisht nga rezultatet e dobëta që vendet e rajonit i kanë në testet PISA.

Një numër i konsiderueshëm nxënësve të vendeve të rajonit janë peng i dijes jofunksionale, dijes që mund ta riprodhojnë në suaza të përsëritjes të asaj që e mësojnë fjalëpërfjalshëm, por që nuk arrin të formësohet në dija konceptuale dhe funksionale, gjë e cila do t’iu mundësonte të përfshihen në jetën shoqërore dhe ekonomike.

Është pikërisht kjo hallkë e zinxhirit shoqërore që krijon një situatë paradoksale në tregun e punës, një situatë që nënkupton 8059 vende të lira punës që nuk mund të plotësohen me 103 888 të papunë. E gjithë kjo sipas shumë analizave dhe prononcimeve të ekspertëve vjen thjesht për shkak të  mos sinkronizimit të nevojave të tregut të punës me politikat arsimore dhe kurrikulat universitare dhe me nxitjen dhe afirmimin e shkollave profesionale.

Numri i të punësuarve dhe vendet e lira të punës në Maqedoninë e Veriut

 

Numri i të papunëve dhe vendet e lira të punës

Sipas shumë ekspertëve është koha për një mbindërtim të sistemeve arsimore të deritashme, që në shumicën e rasteve janë skematike dhe jokreative, që vijnë nga ish sistemet politike nëpër të cilat vendet e rajonit i kanë kaluar. Sipas ekspertëve nevojitet një riformatim i kuadrit mësimdhënës, ndryshim i kurrikulave dhe programeve mësimore, të cilat nuk do të jenë një lloj improvizimi, por një suazë e vërtetë reformash dhe zhvillimi i bazuar në studime socio-kulturore dhe modele që vijnë nga përvoja të ngjashmetë suksesshme.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akademikut Abdylmenaf Bexheti, thekson se është e rëndësishme të krijohen struktura dhe oferta të reja që të inkurajojnë studentët të mësojnë më shumë në fushat që kërkon tregu i punës. “Është e nevojshme të shmangen teoritizimet dhe leximet mekanike, dhe të përqendrohemi në zhvillimin e mendimit kreativ. Është me rëndësi që studentët të kenë mundësi të zhvillojnë shkathtësi në mënyrë që të jenë të përgatitur për kërkesat e tregut të punës ”, thekson Bexheti.

Bexheti thotë se brenga për përshtatshmërinë e profileve të përgatitura me kompetencat që i kërkon tregu i punës është një çështje e rëndësishme që është diskutuar gjatë 3-4 viteve të fundit. Ai thekson se asociacionet ekonomike dhe tregu i punës kanë bërë thirrje për përmirësimin e përgatitjes së studentëve sipas kërkesave dhe aftësive të kërkuara nga tregu i punës.

“Një problem i dytë është se shumica e studentëve studiojnë drejtime dhe shkencat socio-ekonomike, humanitare dhe filologjike, ndërsa shkencat teknike dhe ekzakte, të cilat kërkohen nga tregu i punës, janë më pak të preferuara. Kjo bën që hendeku midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës të zgjerohet. Megjithatë, një aspekt pozitiv i kësaj situatë është se asociacionet dhe odat ekonomike po bëjnë thirrje për ndryshim dhe kërcënojnë me pagesën e taksave nëse nuk sigurohet përgatitja e profileve të nevojshme”, thotë Bexheti.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, thekson se universiteti që ai e udhëheq do të përgatisë edhe strategjinë finale të bashkëpunimit me të gjitha kompanitë në vend, për të parë se cilat janë kërkesat e tregut të punës në përgjithësi.

“Do të jetë një nga risitë, për arsye se këtu duhet të kemi një qasje të veçantë, gradualisht do të përgatisim strategjinë e bashkëpunimit, vizitave me të gjitha kompanitë gjigante në vend dhe të tjera, për të parë se cilat janë kërkesat e tregut të punës në përgjithësi, si dhe ku duhet të jetë fokusi i universitetit në veçanti”, thekson Zejneli.

Ekspertët gjatë tërë kohës kanë theksuar se është koha të bëhet një hap përpara për të ndryshuar qasjen përgjithësisht të konceptit dhe sistemit arsimor, sidomos të ndryshojë qasja ndaj shkollave profesionale. Ato nuk duhet të shikohen me neglizhencë apo skpeticizëm. Këto shkolla duhet të prodhojnë kuadër profesionalë, që shumë të rinjve do t’iu krijonte një mirëqenie dhe një jetë dinjitoze. Kjo qasje mbi arsimin, gjegjësisht afirmimi i shkollave profesionale mund ta luftojë edhe fenomenin e ikjes së të rinjve nga Maqedonia e Veriut, njësoj siç ndodh gati me të gjitha vendet Ballkanit  Perëndimor. Shkollat profesionale duhet të jenë më të hapura dhe në bashkëpunim me institute të ndryshme, think –tanke dhe institucionet përkatëse të krijojnë një sinergji, një strategji zhvillimore, gjithnjë duke u bazuar në hulumtimin e tregut të punës, pra në sinkron me mundësitë e absorbimit të tregut të punës.

Në këtë mënyrë do të krijohej një shumëllojshmëri profesionistësh në harmoni me tregun e punës që natyrshëm do të krijonte edhe një hapësirë shumë interesante për investime nga ana e investitorëve të huaj. Mbi të gjitha, më këtë do të ndryshonte edhe qasja dhe modeli për shumë të rinj, të cilët të ndikuar nga rrethanat nuk arrijnë ta manifestojnë atë që janë dhe atë që duan të jenë, por bien pre e skemave të paracaktuara.

 

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top