STUDENTËT KËRKOJNË STANDARDE EVROPIANE STUDIMI

Shteti nuk investon sa duhet në zhvillimin e qendrave kërkimore, mbështetja financiare dhe mundësitë për bursa janë të kufizuara si dhe mungojnë qendrat e këshillimit për shëndetin mendor, që janë të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies dhe suksesit akademikTrupi Kombëtar Studentor (TKS), i cili u formua në prill të këtij viti, synon të nxisë reforma në arsimin e lartë, respektivisht, arsimi i lartë të jetë falas në universitetet publike, të miratohet një ligj i ri për standardin studentor, të rriten të drejtat e studentëve përmes ndryshimeve në Ligjin për Arsim të Lartë. Trupi Kombëtar Studentor, si organizatë që bashkon të gjitha trupat studentore nga universitetet shtetërore dhe private në vend, ka për qëllim të jetë një zë i fuqishëm në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të studentëve.

Autore: Luisa Residi

Studentët në Maqedoninë e Veriut janë të pakënaqur me kushtet dhe cilësinë e arsimit të lartë. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, ata studiojnë me programe të vjetruara, kanë qasje të kufizuar në teknologjitë e reja, bibliotekat janë të varfra. Shteti nuk investon sa duhet në zhvillimin e qendrave kërkimore, mbështetja financiare dhe mundësitë për bursa janë të kufizuara si dhe mungojnë qendrat e këshillimit për shëndetin mendor, që janë të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies dhe suksesit akademik.

TKS: ARSIMI I LARTË TË JETË PA PAGESË

Trupi Kombëtar Studentor (TKS), i cili u formua në prill të këtij viti, synon të nxisë reforma në arsimin e lartë. Respektivisht, arsimi i lartë të jetë falas në universitetet publike, të miratohet një ligj i ri për standardin studentor, të rriten të drejtat e studentëve përmes ndryshimeve në Ligjin për Arsim të Lartë.

TKS-ja gjithashtu angazhohet për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, ofrimin e mundësive për zhvillim të karrierës si dhe digjitalizimin e arsimit të lartë.

Trupi Kombëtar Studentor, si organizatë që bashkon të gjitha trupat studentore nga universitetet shtetërore dhe private në vend, ka për qëllim të jetë një zë i fuqishëm në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të studentëve.

“Ky organizim ka një rol kyç në krijimin e politikave për arsimimin e lartë dhe organizimin e studentëve, si dhe për mbrojtjen e interesave dhe nevojave të tyre”, thekson Blerta Imeri, kryetare e Unionit Studentor të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik.

“Gjithmonë ka ekzistuar nevoja për të bashkuar studentët, për të adresuar nevojat dhe të drejtat e tyre të përbashkëta. Ideja është e kamotshme, por në të kaluarën ishte sfiduese të krijohej një organ i tillë në vend. Disa përpjekje të tilla dështuan në të kaluarën. Megjithatë, falë mbështetjes së Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA), kjo ide u bë realitet në vitin 2024,” thotë Aleksandar Nikollovski, kryetar i TKS-së.

Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitet të Evropës Juglindore, Mevlan Ademi sqaron se Trupi Kombëtar Studentor përbëhet nga të gjithë kryetarët e unioneve studentore të universiteteve në RMV, megjithatë interesimi rreth këtij trupi dallon nga kryetari në kryetar.

“Mendoj që si kryetar i Parlamentit Studentor të UEJL-së kam ndikuar pozitivisht në ngritjen e peshës dhe zërit të universitetit tonë”, thotë Ademi.

“Shpresoj që në një të ardhme jo shumë të largët TKS-ja do të vlerësohet më shumë nga shteti dhe do të merret më seriozisht nga organet e tjera shtetërore, pasi unifikimi i studentëve mund të sjellë vetëm rezultate pozitive”, shton ai.

TË FRENOHET LARGIMI I “TRURIT”

Trupi Kombëtar Studentor, në bashkëpunim me Institutin për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euro-Atlantike, për momentin po punon rreth projektit “Të rinjtë krijojnë në vendin e tyre”. Kjo nismë synon të adresojë sfidën e largimit të të rinjve nga vendi, duke ofruar mbështetje financiare dhe institucionale për të diplomuarit në Maqedoninë e Veriut.

Projekti ofron kuponë deri në 10,000 euro për të mbështetur krijimin e startup-eve, nisjen e bizneseve të reja, si dhe vazhdimin e studimeve në ciklin e dytë dhe të tretë në universitetet e vendit. Suksesi i këtij projekti do të varet në mënyrë të konsiderueshme nga mbështetja e institucioneve shtetërore, si Ministria e Ekonomisë, Ministria e Arsimit dhe Agjencitë për Punësim dhe Inovacion.

“Qëllimi ynë është të zbutet problemi me largimin e të rinjve dhe t’i ndihmojmë ata të ndërtojnë karrierën e tyre këtu,” deklarojnë nga Trupi Kombëtar Studentor.

Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, Maqedonia e Veriut ndodhet në vendin e pestë në Evropë për ikjen e kuadrit të arsimuar.

Prej vitit 2013-të deri në vitin 2021, Maqedonisë së Veriut i kanë ikur mesatarisht nga 2.500 persona në vit me arsim të lartë, për të cilët, shteti ka investuar rreth 725 milionë euro.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, thuajse 40% e kuadrove me arsim të lartë e kanë lëshuar shtetin.

TË FUQIZOHEN ORGANIZATAT STUDENTORE

Trupi Kombëtar Studentor gjithashtu punon për miratimin e ligjeve të reja që do të rregullonin funksionimin dhe organizimin e organizatave studentore në Maqedoninë e Veriut. Këto ligje synojnë të fuqizojnë zërin e studentëve dhe të inkurajojnë përfshirjen aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse.

Një tjetër prioritet i rëndësishëm i punës së TKS-së është zhvillimi i projekteve që do të ndihmonin anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Unionin Evropian Studentor (ESU). Ky anëtarësim do t’u hapë studentëve mundësi për bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim përvojash dhe përfitime konkrete nga programet dhe politikat e këtij unioni.

“Ne besojmë se fuqizimi i organizatave studentore dhe lidhja me rrjetet ndërkombëtare është thelbësore për të ardhmen e të rinjve dhe për zhvillimin e një shoqërie më të fortë dhe më të qëndrueshme,” deklarojnë nga Trupi Kombëtar Studentor.

CILAT TË DREJTA IU SHKELEN MË SHPESH STUDENTËVE?

Studentët në universitetet teknike përdorimin teknologji dhe pajisje të vjetruara, që nuk përputhen me standardet bashkëkohore të industrisë. Kjo ndikon që ata të jenë të papërgatitur dhe jokonkurrues në tregun e punës.

Në shumë universitete, studentët nuk janë të përfshirë në procesin e vendimmarrjes, sikurse hartimi i kurrikulave ose planifikimi i aktiviteteve të tjera. Kjo bën që zëri i tyre të mos dëgjohet në lidhje me nevojat e tyre reale.

Një student i angazhuar në praktikë mund të punojë me orë të gjata pa u paguar fare ose duke marrë një pagesë simbolike. Në vendet e BE-së ka ligje që rregullojnë pagën minimale për punën praktike.

Studentët nga zonat rurale ose familjet me të ardhura të ulëta shpesh nuk kanë mundësi të ndjekin kurse trajnimi shtesë ose të marrin pjesë në konferenca për shkak të kostove të larta dhe mungesës së bursave për këto aktivitete.

KE: TË PËRMIRËSOHET CILËSIA NË ARSIMIN E LARTË

Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e vendit në rrugën evropiane thekson nevojën e miratimit të një modeli të ri për financimin e arsimit të lartë. “Sfidë kryesore mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë përmes zhvillimit të procesit të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë”, theksohet në raport.

Ministrja e Arsimit Vesna Janevska ka premtuar buxhet më të lartë për standardin e studentëve në vitin 2025. Sipas saj buxheti do të jetë 30 milionë euro ose 18% më shumë se këtë vit. Janevska gjithashtu është zotuar se do të miratohet ligji për standardin studentor dhe do të përmirësohet infrastruktura që përdorin studentët.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top