BRUKSELI, I SHQETËSUAR PËR NDIKIMIN POLITIK NË GJYQËSOR

Sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), të realizuar në vitin 2023, vetëm 1% e të anketuarve kanë shprehur besim të plotë në institucionet gjyqësore. Ky nivel alarmant i mosbesimit nxjerr në pah nevojën urgjente për reforma të thella në sistemin gjyqësor, të cilat janë jetike për përmbushjen e standardeve të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sipas ekspertit juridik Afrim Osmani nëse ndryshimet e propozuara nuk adresojnë në mënyrën e duhur problemet në Këshillin Gjyqësor, reformat rrezikojnë të dështojnë. Sipas tij, grupi i punës duhet të ketë qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse, si dhe t’i marrë parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian. Beba Zhagar, anëtare e Grupit Blueprint për Reforma në Gjyqësor nga Instituti për Politika Evropiane (EPI) thekson se nuk është arritur përparim në zbatimin e strategjive për menaxhimin e burimeve njerëzore në gjykata dhe në prokuroritë publike, si dhe ende ekzistojnë shumë probleme të lidhura me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë

Autore: Semran Murtezani

Brukseli shpreh shqetësim serioz për ndërhyrjet nga jashtë përfshirë ndikimin politik në sistemin gjyqësor. “Pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit duhet të përmirësohen”, theksohet në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut. Raporti ngre shqetësime edhe për përqindjen jashtëzakonisht të ulët të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.

Sipas një ankete të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), të realizuar në vitin 2023, vetëm 1% e të anketuarve kanë shprehur besim të plotë në institucionet gjyqësore. Ky nivel alarmant i mosbesimit nxjerr në pah nevojën urgjente për reforma të thella në sistemin gjyqësor, të cilat janë jetike për përmbushjen e standardeve të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.


Burimi: IRI

SHPËRNDARJA E KËSHILLIT GJYQËSOR MBETET NË “LOJË”

Komisioni Evropian i cilëson si mjaft shqetësuese edhe paralajmërimet e qeverisë për shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve. “Veprimet e tilla do ta minonin pavarësinë e gjyqësorit”, thuhet në raportin e progresit.

Megjithëse reforma në Këshillin Gjyqësor filloi zyrtarisht përmes debateve publike për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor, për kryeministrin, në tryezë mbetet edhe opsioni i shpërndarjes së Këshillave.

“Për aq kohë sa këta njerëz janë të pranishëm edhe në prokurori edhe në gjyqësor ne nuk mund të bëjmë hapa përpara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, theksoi ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski.

Ndërkaq, grupi i punës i formuar nga Ministria e Drejtësisë, për t’i hartuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Gjyqësor ka realizuar tashmë dy debate profesionale. Të tjerat pritet të realizohen deri në fund të vitit në Gostivar dhe Shtip. Qëllimi, sipas Ministrisë së Drejtësisë, është rritja e efikasitetit, transparencës dhe pavarësisë së institucionit kyç në administrimin e drejtësisë.

Sipas ekspertit juridik Afrim Osmani nëse ndryshimet e propozuara nuk adresojnë në mënyrën e duhur problemet në Këshillin Gjyqësor, reformat rrezikojnë të dështojnë. Sipas tij, grupi i punës duhet të ketë qasje serioze dhe gjithëpërfshirëse, si dhe t’i marrë parasysh rekomandimet e Komisionit Evropian.

“Me theks të veçantë parashikohet të rregullohet çështja e shkarkimit të anëtarëve si dhe e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, qoftë në situata të rregullta (më përfundim të mandatit), qoftë në situata të jashtëzakonshme (me shkarkim para kohe), në rast të emërimit-zgjedhjes së anëtarëve, pjesëmarrja e ministrit të Drejtësisë dhe e kryetarit të Gjykatës Supreme ex officio, si anëtarë të rregullt pa të drejtë vote, të eliminohet, si dhe mundësia që kuadri akademik (profesorë universitarë) të kenë të drejtën e zgjedhjes”, thekson ai.

Osmani shton se edhe në këtë rast, shihet një diskriminim i qartë. “Për anëtar të Këshillit Gjyqësor mund të zgjidhet edhe profesor ordinar (i rregullt), me 20 vite përvojë pune, nga tre universitet e renditura më lartë. Nga kjo dispozitë de lege ferenda, shihet qartë se, kuadrot që vijnë nga universitetet e tjera nuk e kanë këtë të drejtë, pra diskriminohen. Reformat e paralajmëruara që pritet të bëhen në këtë mënyrë, paraprakisht janë të destinuara të dështojnë”, vlerëson ai.

ZBATIMI I STRATEGJISË PËR REFORMËN NË GJYQËSOR MBETET SFIDË

Beba Zhagar, anëtare e Grupit Blueprint për Reforma në Gjyqësor nga Instituti për Politika Evropiane (EPI) thekson se Strategjia e re për Reformën në Sistemin Gjyqësor (2024-2024) megjithëse u përshëndet nga Komisioni Evropian, “vërehet se nuk është arritur përparim në zbatimin e strategjive për menaxhimin e burimeve njerëzore në gjykata dhe në prokuroritë publike, si dhe se ende ekzistojnë shumë probleme të lidhura me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë.”

Sipas raportit të progresit, afatet kohore që përfshin strategjia janë reale, por për të njëjtat nuk është parashikuar buxhet. Në raport potencohet se sipas vlerësimit të Këshillit Gjyqësor, nevojiten 162 gjyqtarë të rinj (duhet të jenë gjithsej 434 gjyqtarë, ndërsa aktualisht janë të emëruar vetëm 272; me 40 pensionime të parashikuara gjatë tre viteve të ardhshme). Problem përbën plotësimi i vendeve vakante në gjyqësor, ku nga shtatë vende të lira për kryetarë të gjykatave themelore, disa konkurse janë përsëritur, pasi nuk ka pasur kandidatë që kanë aplikuar ose që kanë plotësuar kriteret. Mungesa e masave për të adresuar ndikimin e pensionimeve të planifikuara dhe mungesa e rezultateve në zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin kanë ndikuar gjithashtu në efikasitetin e punës së tij.


Burimi: Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta”

SHPËRNDARJA E PABARABARTË E STAFIT NË GJYKATA

Sipas raportit të publikuar nga Koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta” të titulluar Analiza e Gjendjes së Burimeve Njerëzore në Gjykatat dhe Prokuroritë Publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, theksohet se nëse bëjmë një krahasim vetëm të numrit të përgjithshëm të punonjësve në shërbimin gjyqësor me numrin e gjyqtarëve, del se kemi një shpërndarje jashtëzakonisht të pabarabartë të stafit jo-gjyqësor në gjykata. Në këtë drejtim, duhet të kemi parasysh që mesatarja në vend është 5,59 punonjës në shërbimin gjyqësor për çdo gjyqtar. Ky konstatim për shpërndarjen e pabarabartë mbështetet në faktin se, nga njëra anë, kemi gjykata ku ka vetëm 2,28 punonjës për gjyqtar, siç është rasti i Gjykatës së Lartë Administrative, ose 2,86 punonjës për gjyqtar, siç është rasti i Gjykatës së Apelit të Shkupit. Nga ana tjetër, kemi edhe gjykata ku ka deri në 14 punonjës për gjyqtar, siç është rasti i Gjykatës Themelore të Krushevës, ose 13,5 punonjës për gjyqtar, siç është situata në Gjykatën Themelore të Dellçevës.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top