TRANSPORTI PUBLIK JOEFIKAS, KOKËÇARJE PËR QYTETARËT

Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë së Veriut thekson se kapaciteti operativ dhe administrativ për të gjitha llojet e transportit është i ulët dhe është bërë fare pak përpjekje për ta forcuar atë. Në mënyrë që të kapërcehet kriza me transportin publik në kryeqytet, këshilltari i drejtorit gjeneral në Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik- Shkup, Blerim Ismaili thotë se fillimisht kryetari i Qytetit të Shkupit së bashku me drejtorin gjeneral të NQP-Shkup duhet të ngrenë nismë për përditësimin e sistemit të pikave të pritjes në kryeqytet dhe në periferi. Për të ndihmuar funksionimin efikas të transportit publik në Tetovë dy të rinj pak kohë më parë krijuan aplikacionin “GoPublicTransport”. Ky aplikacion ofron informacione praktike për transportin publik dhe jo vetëm, duke bërë që qytetarët të kenë qasje më të lehtë dhe më të qartë në informacionet që iu nevojiten për udhëtimet e tyre

Autore: Luisa Residi

Mosfunksionimi efikas i transportit publik në Shkup por edhe qytetet e tjera të vendit vazhdon të mbetet kokëçarje për qytetarët. Pasojat i ndiejnë sidomos nxënësit dhe studentët të cilët humbin nga orët e mësimit për shkak të mungesës së autobusëve dhe linjave të reduktuara.

“Problemet me transportin publik, veçanërisht në Shkup, janë të dukshme: mungesa e autobusëve, oraret e parregullta, kushtet e papërshtatshme dhe mungesa e zgjidhjeve miqësore me mjedisin. Ndonjëherë, nuk e dini nëse punonjësit ose shoferët privatë do të vendosin të hyjnë në grevë për shkak të pagave të papaguara dhe borxheve, duke të lënë pa asnjë garanci ose siguri se do të arrish në destinacionin tënd me kohë“, thonë nga Studentarija.mk, platformë studentore e cila numëron mbi 40 mijë anëtarë.

Me probleme të ngjashme përballen edhe qytetet e tjera të vendit ndërsa lë për të dëshiruar edhe transporti publik ndërurban. Kritika për gjendjen jo të mirë të transportit publik mbërritën edhe nga Brukseli.

Brukseli kritikon transportin publik në RMV

Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e vendit thekson se kapaciteti operativ dhe administrativ për të gjitha llojet e transportit është i ulët dhe është bërë fare pak përpjekje për ta forcuar atë.

“Megjithëse Maqedonia e Veriut është e përfshirë në mënyrë aktive në punën e Komunitetit të Transportit, prapëseprapë është arritur progres i kufizuar në zbatimin e planeve të veprimit të Marrëveshjes për Komunitetin e Transportit. Nuk ka plane të përcaktuara për lëvizshmërinë e qëndrueshme urbane për Shkupin dhe për qytetet e tjera të mëdha”, theksohet në raport.

NQP: Reforma për ta modernizuar transportin publik

Në mënyrë që të kapërcehet kriza me transportin publik në kryeqytet, këshilltar i drejtorit gjeneral në Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik- Shkup, Blerim Ismaili thotë se fillimisht kryetari i Qytetit të Shkupit së bashku me drejtorin gjeneral të NQP-Shkup duhet të ngrenë nismë për përditësimin e sistemit të pikave të pritjes në kryeqytet dhe në periferi, një studim tërësisht i ri duke përfshirë të gjitha komunat e kryeqytetit, me qëllim të merren informata të përditësuara elementare se ku duhet shpërndarë më tepër autobusë, linjat që duhen reduktuar apo të shtohen.

“Në kryeqytet duhet të përmirësohet edhe infrastruktura me qëllim që autobusët e NQP-së Shkup të kenë përdorim më afatgjatë si dhe mekanikëve të ndërmarrjes t’u lehtësohet puna të cilën e kanë të mbingarkuar për momentin”, thekson Ismaili.

Ai shton dhe se për të modernizuar transportin publik në Shkup, Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) Shkup përqendrohet tek një sërë reformash të cilat duhet të marrin dritën jeshile edhe në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

  1. Rrugë dhe infrastrukturë të përshtatshme:

Ndërtimi dhe mirëmbajtja e korsive të dedikuara për autobusët për të shmangur trafikun dhe për të siguruar lëvizje të shpejtë dhe efikase.

Përmirësimi i stacioneve të autobusëve me tabela elektronike që tregojnë oraret në kohë reale.

Zgjerimi i rrjetit të linjave për të mbuluar më mirë periferitë e qytetit.

  1. Autobusë ekologjikë:

Zëvendësimi i autobusëve të vjetër me autobusë elektrikë ose me gaz natyror për të reduktuar ndotjen. NQP Shkup për momentin menaxhon me 40 autobusë të tillë. Ky numër pritet ty trefishohet së shpejti dhe rrugëve të Shkupit në qarkullim të kemi së paku 120 autobusë ekologjikë.

Bashkimi Evropian i dhuroi 6 autobusë ekologjikë NQP Shkupit ndërsa ndërmarrja në çdo mbledhje të Këshillit të Qytetit të Shkupit në rend dite ka kërkesën për blerjen e së paku 100 autobusëve të tjerë të tillë.

  1. Transport alternativ publik:

Futja e tramvajit modern me goma dhe pa kabllo (si sistemet BRT – Bus Rapid Transit), që janë më të shpejtë dhe më të lirë për t’u zbatuar sesa tramvajet tradicionale. Një projekt i tillë ka marrë dritën jeshile nga Banka Evropiane për Zhvillim, por pritet miratimi në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

  1. Përdorimi i teknologjisë:

Aplikacione dhe karta elektronike për të lehtësuar pagesat dhe për të planifikuar udhëtimet.

Monitorim i flotës për të siguruar që autobusët të jenë gjithmonë në kohë.

Studentët kërkojnë investime dhe reforma në transportin publik 

Për të ndihmuar funksionimin efikas të transportit publik në Tetovë dy të rinj pak kohë më parë krijuan aplikacionin “GoPublicTransport”.

“Ky aplikacion ofron informacione praktike për transportin publik dhe jo vetëm, duke bërë që qytetarët të kenë qasje më të lehtë dhe më të qartë në informacionet që iu nevojiten për udhëtimet e tyre. Ideja e këtij aplikacioni ishte që të thjeshtonte dhe përmirësonte mënyrën e shfaqjes së informacionit, duke e bërë atë më të kuptueshëm dhe më të aksesueshëm për përdoruesit”, thonë Jeton Saiti dhe Sufjan Emrullai, krijues të aplikacionit “GoPublicTransport”.

Sipas tyre aplikacioni tashmë po përdoret jo vetëm nga të rinjtë por edhe mosha e shtyrë.

“Teknologjia mund të ndihmojë shumë me gjëra si optimizmi i rrugëve dhe ndjekja në kohë reale. Me GPS dhe sisteme inteligjente, është e mundur të ndiqen autobusët, të përshtaten rrugët bazuar në trafikun dhe të parashikohen më saktë oraret e mbërritjes. Kjo do t’i lejonte përdoruesit të planifikonin udhëtimet e tyre më me efikasitet, të reduktonin kohën e pritjes dhe të përmirësonin përvojën e përgjithshme. Ndërsa ne nuk kemi kontroll mbi autobusët ose oraret, shtimi i GPS dhe përditësimeve në kohë reale do të ishte një përmirësim i madh për të gjithë”, shtojnë ata.

Transporti publik në RMV, në fund të listës evropiane

Sipas raportit të Komisionit Evropian mbi cilësinë e jetës në Evropë vetëm 47% e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut janë të kënaqur me transportin publik. Edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor gjenden në mesin e 10 vendeve me transportin më të keq publik në Evropë. Austria ndërkaq kryeson listën ku 91% e qytetarëve janë të kënaqur me transportin publik.

Modele evropiane për transport publik të suksesshëm

Shtetet e zhvilluara evropiane kanë zbatuar disa strategji dhe inovacione për të siguruar transport publik efikas dhe të qëndrueshëm dhe shfaqen si model edhe për vendet e tjera evropiane ku efikasiteti i tyre është shumë i lartë dhe i qëndrueshëm.

Gjermania – Sistemi i Transportit të Integruar (Berlini)

Berlini është një shembull i shkëlqyer i një qyteti me transport publik të integruar. Të gjitha llojet e transportit (trama, metro, autobusë dhe trenat e qytetit) janë të lidhura në një sistem të vetëm të biletave dhe orareve, që lejon kalimin e lehtë nga një mjet në tjetrin. Ky sistem i integruar i transportit bën që qytetarët të mund të udhëtojnë me efikasitet dhe pa vonesa, duke përdorur një kartë të vetme për të gjitha llojet e transportit. Gjermania investon gjithashtu në autobusë dhe trena ekologjikë, duke reduktuar emetimet dhe ndotjen.

Holanda – Përdorimi i Biçikletave dhe Transporti i Qëndrueshëm

Holanda ka investuar shumë në infrastrukturën për biçikleta, duke e bërë atë një pjesë të rëndësishme të transportit publik. Në qytetet si Amsterdam, njerëzit përdorin biçikleta për të udhëtuar në distanca të shkurtra, dhe ka një rrjet të gjerë rrugësh të dedikuara për biçikleta. Ky model i transportit është i qëndrueshëm dhe ka ndihmuar në uljen e ngarkesës në rrugë dhe ndotjes. Për më tepër, transporti publik është i lidhur ngushtë me përdorimin e biçikletave, pasi qytetarët mund të marrin biçikletat e tyre në trena dhe autobusë.

Suedia – Transporti Elektrik dhe i Qëndrueshëm (Stokholm)

Stokholmi është një qytet që ka investuar shumë në transportin elektrik dhe të qëndrueshëm. Ata kanë zbatuar një sistem të transportit publik me autobusë elektrikë dhe trena që përdorin energji të rinovueshme, duke reduktuar emetimet e CO2 dhe duke ofruar një alternativë të pastër për qytetarët. Gjithashtu, qyteti ka një sistem të avancuar të menaxhimit të trafikut që përdor teknologji për të optimizuar fluksin e transportit dhe për të ulur vonesat. Ky sistem ka kontribuar në një transport më të shpejtë dhe më efikas për banorët e Stokholmit.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top