POLITIKA NXITËSE E GJUHËS SË URREJTJES NË BAZË TË PËRKATËSISË ETNIKE

Marina Kitanoska nga “Aksioni Paqësor”, potencon se ekzistojnë shumë faktorë që kontribuojnë në fenomenin e gjuhës së urrejtjes në shoqëri. Sipas saj, disa nga faktorët që mund të veçohen janë: polarizimi i shoqërisë mbi baza etnike dhe gjinore, diskriminimi, sidomos ndaj popullsisë rome. Komunikologu Sefer Tahiri thekson se ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen dhe promovimin e gjuhës së urrejtjes mbi baza të ndryshme, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, mbi baza të përkatësisë etnike. Ai vëren se politika, dhe më konkretisht partitë politike, janë faktorët kryesorë që nxisin përdorimin e kësaj gjuhe në diskursin publik.

Autore: Semran Murtezani

Gjuha e urrejtjes në Maqedoninë e Veriut në bazë të përkatësisë etnike rezulton të jetë në nivelin më të lartë. Sipas të dhënave të fundit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, në platformën online “Gjuha e Urrejtjes”, deri në nëntor të vitit 2024 janë denoncuar 1,500 raste të gjuhës së urrejtjes, prej tyre 517 në bazë të përkatësisë etnike. Situata ka qenë e ngjashme edhe gjatë vitit 2023. Nga gjithsej 1,171 raste të gjuhës së urrejtjes, 646 kanë qenë në bazë të përkatësisë etnike.

“Ky fenomen rrjedh nga mungesa e mendimit kritik dhe shfaqja e pakënaqësisë ndaj pushtetit shtetëror dhe politikave të tij. Gjithashtu, mbizotërojnë paragjykime dhe stereotipa ndaj bashkësive të ndryshme etnike, të cilat në shumicën e rasteve paraqiten si “e keqja” në shtet dhe si arsye për mosfunksionimin e sistemit. Ofendimet në bazë të përkatësisë etnike, në një pjesë të madhe të rasteve, kanë edhe kontekst politik. Po ashtu, në rastet e regjistruara, vërehet një diskurs që rikthen narrativën e konfliktit të vitit 2001, duke përshkallëzuar gjuhën e urrejtjes”, theksohet në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023.

Gjuha e urrejtjes lidhet me marrëdhëniet ndëretnike

Sipas raportit të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës për Maqedoninë e Veriut për vitin 2023, shumica e rasteve të gjuhës së urrejtjes lidhen me marrëdhëniet ndëretnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Grupet e tjera etnike, si romët dhe bullgarët, në të njëjtën kohë janë viktima të gjuhës së urrejtjes.

Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës konstaton se në shumicën e rasteve gjuha e urrejtjes maqedono-shqiptare ndodh në ndërveprimin e përditshëm ndërmjet anëtarëve të dy grupeve etnike: për shembull, mes nxënësve të shkollës në transportin publik. Komisioni potencon se duket qartë që shumica e këtyre incidenteve nuk janë marrë parasysh nga autoritetet. Në këtë kontekst, Komisioni rekomandon që autoritetet të ndërmarrin masa për të eliminuar çdo segregim de-fakto të fëmijëve që i përkasin grupeve kryesore etnike/gjuhësore të vendit (maqedonasve dhe shqiptarëve) në shkollat shumëgjuhëshe. Në veçanti, autoritetet duhet të sigurojnë që të gjithë fëmijët të mësojnë në të njëjtat ndërtesa dhe të shmangin sistemet e ndërrimeve për të ofruar mundësi më të mëdha për kontakte të ndërsjella.

Komisioni thekson se është pozitive që, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme ndër-etnike mes këtyre dy grupeve, të cilat gjithashtu karakterizohen kryesisht nga përkatësitë fetare (shumica e maqedonasve janë të krishterë ortodoksë, ndërsa shumica e shqiptarëve janë myslimanë), situata nuk ka çuar në nivele të mëdha të urrejtjes dhe intolerancës fetare apo gjuhës së urrejtjes kundër krishterëve apo myslimanëve. Sipas komisionit, gjuha e urrejtjes ndaj romëve është fatkeqësisht ende një dukuri e shpeshtë në jetën e përditshme publike, por rrallë herë raportohet. Për më tepër, ajo është shumë e përhapur në internet dhe në rrjetet sociale.

Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e vendit i bën thirrje Shkupit Zyrtar të adresojë gjetjet e Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës.

“Korniza ligjore dhe kapacitetet ndërinstitucionale për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe krimet e kryera nga urrejtja duhet të përforcohen”, theksohet në raport.

Polarizimi i shoqërisë mbi baza etnike nxit gjuhën e urrejtjes

Marina Kitanoska nga “Aksioni Paqësor”, potencon se ekzistojnë shumë faktorë që kontribuojnë në fenomenin e gjuhës së urrejtjes në shoqëri. Kështu, disa nga faktorët që mund të veçohen janë: polarizimi i shoqërisë mbi baza etnike dhe gjinore, diskriminimi, sidomos ndaj popullsisë rome në shumë fusha si: arsimi, tregu i punës, çështjet sociale, abuzimi i shpeshtë i çështjeve etnike gjatë zgjedhjeve në vend, mungesa e informacionit objektiv dhe të paanshëm për luftën e vitit 2001 dhe në përgjithësi për konfliktet etnike në të kaluarën. Shpesh, kjo mungesë informacioni ose interpretim i njëanshëm i luftës së vitit 2001 përdoret për të rritur hendekun mes komunitetit maqedonas dhe atij shqiptar, por gjithashtu e injoron mendimin dhe përvojat e komuniteteve më të vogla etnike.

“Kjo klimë në shoqëri reflektohet në mjedise të ndryshme, siç është, për shembull, mjedisi shkollor, ku shpesh jemi dëshmitarë të dhunës midis bashkëmoshatarëve, transporti publik në Shkup, por edhe gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale. Po ashtu, jemi dëshmitarë të diskriminimit të hapur mbi baza etnike ndaj komunitetit rom në hapësira publike si kafenetë, shkollat, pishinat, e tjerë”, thekson Kitanoska.

Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë së Veriut është korniza kryesore juridike që përmban dispozita që ndalojnë dhe ndëshkojnë gjuhën e urrejtjes dhe shpërndarjen e materialeve nëpërmjet internetit që promovojnë ose nxisin urrejtje, diskriminim ose dhunë ndaj çdo individi ose grupi, mbi baza të çdo lloj diskriminimi. Ky kuadër kryesor kombëtar juridik është relativisht i plotë në trajtimin e fenomeneve të lidhura me urrejtjen. Gjuha e urrejtjes, megjithëse jo me këtë emër, ndëshkohet në Kodin Penal përmes veprës penale “Nxitja e urrejtjes ose intolerancës mbi baza kombëtare, racore, fetare dhe baza diskriminuese të tjera” (neni 319), ku dënimi i parashikuar është nga një deri në pesë vjet burg (pika 1), dhe në rast të pasojave të rënda deri në dhjetë vjet burg (pika 2). Gjuha e urrejtjes ndalohet edhe në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në kuadër të të cilit është formuar edhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Partitë Politike, Ligjin për Mediat, Ligjin për Shoqata dhe Fondacione, dhe Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele.

Politika, burim i gjuhës së urrejtjes në bazë të përkatësisë etnike

Komunikologu Sefer Tahiri thekson se ekzistojnë shumë faktorë që ndikojnë në rritjen dhe promovimin e gjuhës së urrejtjes mbi baza të ndryshme, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, mbi baza të përkatësisë etnike. Ai vëren se politika, dhe më konkretisht partitë politike, janë faktorët kryesorë që nxisin përdorimin e kësaj gjuhe në diskursin publik.

“Partitë politike e kanë të qartë se çështjet etnike janë ato që sigurojnë dhe targetojnë vota dhe si rezultat, ata përdorin një gjuhë që shpesh kalon kufijtë e komunikimit normal publik”, thekson Tahiri.

Ai shton se politika më pas ndikon edhe ndaj faktorëve të tjerë socialë që gjuha e urrejtjes të përhapet në masë të madhe, si mediat online dhe rrjetet sociale.

“Politika është burimi kryesor që promovon dhe afirmon këtë gjuhë, duke mos ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për ta reduktuar atë, por të kemi një gjuhë të urrejtjes që është e nivelit shumë të lartë,” thekson Tahiri.

Në lidhje me mekanizmat që mund të parandalojnë përdorimin e gjuhës së urrejtjes, komunikologu Sefer Tahiri thekson se, në fakt, ekziston ligj, konkretisht Kodi Penal, i cili e sanksionon qartë përdorimin e gjuhës së urrejtjes, duke parashikuar dënime nga 1 deri në 10 vjet burg.

“Problemi nuk është në normat juridike, por në zbatimin e këtyre normave”, thekson Tahiri.

Sipas tij, ekziston një diskrepancë mes asaj që parashikohet nga ligji dhe asaj që ndodh në praktikë, pasi Kodi Penal është i harmonizuar me normat dhe standardet evropiane dhe ndërkombëtare, përfshirë Konventën për të Drejtat e Njeriut. Ai thekson se institucionet në Maqedoninë e Veriut janë joefikase, përfshirë prokurorinë publike, e cila është joefikase në procesimin dhe në nxjerrjen para gjykatës të këtyre njerëzve, të cilët në mënyrë individuale apo si përfaqësues të grupeve të ndryshme përdorin gjuhë të urrejtjes.

Sociologia Drita Memeti thekson se çështja e gjuhës së urrejtjes është një fenomen kompleks, gjuhësor dhe politik. Ky fenomen bëhet edhe më i ndërlikuar kur merret parasysh realiteti i përditshëm, pasi situatat mund të përshkallëzohen dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes mund të çojë në konflikte ndëretnike.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut përballen shpesh me gjuhë urrejtjeje nga politikanët, të cilët, duke përdorur fjalë ofenduese dhe nxitëse, mund të shkaktojnë një atmosferë të tensionuar”, thekson Memeti.

Ajo shton se komunikimi i mirëfilltë, në rastin konkret komunikimi politik, i drejtë dhe i shëndoshë, është kyç dhe i patjetërsueshëm për një bashkëjetesë të shëndoshë në një shoqëri multietnike.

“Komunikimi politik për të qenë i suksesshëm, në veçanti, duhet të realizohet mbi nevojat bazë të komunikimit njerëzor dhe duhet të jetë profesional dhe i kujdesshëm, duke mos kaluar kështu për asnjë çast në çështje personale, pasi që kjo gjë mund të sjellë deri në zhvillimin e një lloji tjetër të komunikimit, që nuk mund të quhet assesi komunikim politik, por vetëm gjuhë e urrejtjes e cila lëkund shtyllat e demokracisë dhe bashkëjetesës”, vlerëson Memeti.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top