ZVARRITJA E PROCESIT TË INTEGRIMIT LËKUND BESIMIN NË BE

Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Muhamed Jashari, çështja e hapur me Bullgarinë e bën Maqedoninë e Veriut të ngelet mbrapa Republikës së Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Lorenca Bejko nga Instituti i Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës thotë se pavarësisht se Shqipëria hapi negociatat për grup-kapitujt e parë dhe të gjashtë, sfidë mbeten sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi. Pavarësisht prolongimeve në procesin e eurointegrimit, Anamarija Velinovska nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në Shkup, thotë se bazuar në hulumtimet e tyre,  kjo nuk ka pasur ndikim të theksuar në rritjen e euroskepticizmit te qytetarët.

Autore: Semran Murtezani

Viti 2024 ishte një tjetër vit i humbur për Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria dhe Maqedonia ndanë rrugët në procesin eurointegrues, pasi Tirana çeli negociatat për dy grup-kapituj, ndërsa Shkupi mbeti në vendnumëro. Vendi nuk do të mund t’i nisë negociatat me BE-në për aq kohë sa nuk i bën ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve.

Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Muhamed Jashari, çështja e hapur me Bullgarinë e bën Maqedoninë e Veriut të ngelet mbrapa Republikës së Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Ngadalësimi i procesit eurointegrues për Maqedoninë e Veriut është shqetësues për shkakun e thjeshtë sepse do të kthente vendin mbrapa në kontekst të marrëdhënieve me BE-në. Kjo është shqetësuese, nga shkaku se në njërën anë i kontribuon zbehjes së kohezionit social në vend, kurse në anën tjetër e heq nga agjenda integruese vendin deri atëherë kur do të ndodhnin ndryshimet kushtetuese”, thekson Jashari.

Lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi, sfidë kryesore

Lorenca Bejko nga Instituti i Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës thotë se pavarësisht se Shqipëria hapi negociatat për grup-kapitujt e parë dhe të gjashtë, sfidë mbeten sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi – fusha ku është arritur progres, por që ende kërkojnë përkushtim dhe rezultate konkrete. Ajo thekson se prolongimi i vazhdueshëm i procesit eurointegrues ka gjasa të ndikojë në euroskepticizmin.

“Nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arrijnë të tregojnë rezultate të prekshme dhe të sigurojnë qytetarët e tyre për përfitimet konkrete nga anëtarësimi, ekziston rreziku i rritjes së euroskepticizmit në të dyja vendet. Një BE që tregon angazhim të qartë dhe shpërblime për progresin është jetike për të ruajtur besimin. Për më tepër, të dyja vendet duhet të punojnë për të forcuar konsensusin politik të brendshëm dhe për të bërë më të dukshëm përfitimet e reformave për qytetarët e tyre, duke shtuar se procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një sfidë teknike, por një transformim i gjithanshëm i shoqërisë dhe institucioneve”, thekson Bejko.

Bejko shton se BE-ja nuk duhet të shihet si një destinacion i largët, por si një partner në zhvillim.

“Në këtë rrugëtim, është thelbësore që qytetarët tanë të ndihen të dëgjuar dhe të përfaqësuar. Vetëm atëherë mund të kemi një proces që është njëkohësisht i drejtë dhe i qëndrueshëm”, shton ajo.

“Ulja e mbështetjes nuk ka rritur euroskepticizmin”

Pavarësisht prolongimeve në procesin e eurointegrimit, Anamarija Velinovska nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në Shkup, thotë se bazuar në hulumtimet e tyre,  kjo nuk ka pasur ndikim të theksuar në rritjen e euroskepticizmit te qytetarët. Velinovska potencon se në hulumtimin e realizuar në vitin 2023, 60% e qytetarëve mbështesin perspektivat e vendit për anëtarësim në BE, që është një rënie prej 4% krahasuar me vitin 2022 dhe shënon përqindjen më të ulët të mbështetjes deri tani.

“Rënia e mbështetjes për anëtarësimin në BE nuk pati asnjë ndikim në qëndrimet euroskeptike të popullsisë, pasi vetëm 12% e popullsisë është hapur euroskeptike, ngjashëm me trendet e dy viteve të fundit. Pavarësisht se faktorët materialë janë përcaktuar si parashikuesit kryesorë të mbështetjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, analiza longitudinale tregon një tendencë të konsolidimit të faktorëve identitarë dhe vlerorë si determinues kryesorë në formimin e qëndrimeve euroskeptike te publiku maqedonas”, thekson ajo.

Eurobarometri 2024: Shqipëria kryeson në besimin ndaj BE-së

Por pavarësisht se euroskepticizmi nuk është rritur, është zbehur dukshëm besimi i qytetarëve të rajonit ndaj BE-së.

Sipas sondazhit të fundit të Eurobarometrit për vitin 2024 vetëm Shqipëria nga vendet e rajonit ka besim më të madh ndaj BE-së dhe anëtarësimit në Union. Respektivisht, 81% e qytetarëve në Shqipëri kanë besim te BE-ja dhe 83% e tyre besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte një zhvillim pozitiv. Mali i Zi renditet i dyti, me 75% të qytetarëve që shfaqin besim dhe 71% që mbështesin idenë e anëtarësimit. Në Kosovë, 70% e qytetarëve shfaqin besim në BE, ndërsa 65% e konsiderojnë anëtarësimin si pozitiv.

Në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, 56% e qytetarëve deklarojnë prirje për të besuar në BE. Për Maqedoninë e Veriut, 63% besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte pozitiv, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë kjo shifër arrin 55%.

Nga ana tjetër, Serbia paraqet rezultate më të ulëta, ku vetëm 38% e qytetarëve shfaqin prirje për të besuar në BE, ndërsa 56% deklarojnë mosbesim.

Samiti BE – Ballkani Perëndimor: Dinamizëm i ri

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, pasi ky është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëjmë,” deklaroi Antonio Kosta, Presidenti i Këshillit Evropian, gjatë samitit BE – Ballkani Perëndimor, i cili u mbajt më 18 dhjetor në Bruksel.

Në të njëjtën vijë u shpreh edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke theksuar se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane, prandaj është shumë e rëndësishme që të ketë progres në raportin e tyre.

Gjatë samitit, palët nënshkruan edhe Deklaratën e Brukselit. Në deklaratë u theksua se ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit dhe se janë arritur përparime të dukshme që nga samiti i mëparshëm. Ajo riafirmon angazhimin e BE-së ndaj integrimit evropian të rajonit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave themelore evropiane, si demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Gjithashtu, theksohet nevoja për reforma të vazhdueshme, rritje ekonomike dhe integrim rajonal, si dhe për një bashkëpunim më të fortë në fushat e sigurisë, migracionit dhe luftës kundër terrorizmit. Deklarata gjithashtu nënvizon rolin e BE-së si partneri dhe investitori më i afërt i Ballkanit Perëndimor, duke synuar një të ardhme të qëndrueshme. BE-ja u bëri thirrje partnerëve për të siguruar të drejtat dhe trajtimin e barabartë të individëve që i përkasin grupeve të pakicave, si dhe për implementimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me besim të mirë dhe rezultate konkrete, si Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë, ku është e rëndësishme që palët të angazhohen për një proces konstruktiv dhe të qartë.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top