ARSIMI INKLUZIV NË MAQEDONINË E VERIUT LARG STANDARDEVE EVROPIANE

Sipas një hulumtimi të Byrosë për Zhvillim në Arsim, mungesa e burimeve në të gjitha nivelet, si dhe e stafit të kualifikuar për arsimin inkluziv, është një pengesë që vështirëson qasjen në arsimin inkluziv për fëmijët me aftësi të veçanta. Zehra Saiti, doktorante e psikologjisë, thekson se ky proces, përveç që kërkon mbështetje sociale të vazhdueshme, ka nevojë për mundësi fizike dhe ambiente të përshtatshme për realizimin e procesit mësimor. Ajo thekson nevojën për ngritjen e vetëdijes dhe bashkëpunimit midis të gjithë faktorëve që ndikojnë në procesin e arsimit inkluziv. Sipas saj, ende ekziston një stigmatizim i këtyre fëmijëve nga shoqëria, i cili vështirëson përfshirjen e tyre dhe socializimin e plotë.

Autore: Semran Murtezani

Arsimi inkluziv në Maqedoninë e Veriut është një proces që ka filluar dy dekada më parë dhe vazhdon të zhvillohet me një intensitet të shtuar gjatë viteve të fundit, duke përfshirë gjithnjë e më shumë fëmijë me nevoja të veçanta arsimore në shkollat e rregullta.

Komisioni Evropian (KE) konstaton se vendi ka bërë progres në këtë kuadër. “Maqedonia e Veriut ka bërë disa përparime në arsimin inkluziv, veçanërisht në arsimin fillor. Duke filluar nga viti shkollor 2023/2024, nxënësit me nevoja të veçanta arsimore janë regjistruar në shkollat e rregullta fillore, duke rritur numrin e tyre me rreth 10%”, thuhet në progres-raportin e KE-së.

Por ky proces vazhdon të përballet me sfida dhe mangësi të ndryshme.

Mungesa e kuadrit dhe kushteve – sfida për arsimin inkluziv

Sipas një hulumtimi të Byrosë për Zhvillim në Arsim, mungesa e burimeve në të gjitha nivelet, si dhe e stafit të kualifikuar për arsimin inkluziv, është një pengesë që vështirëson qasjen në arsimin inkluziv për fëmijët me aftësi të veçanta.

Zehra Saiti, doktorante e psikologjisë, thekson se ky proces, përveç që kërkon mbështetje sociale të vazhdueshme, ka nevojë për mundësi fizike dhe ambiente të përshtatshme për realizimin e procesit mësimor.

“Kur bëhet fjalë për kapacitetin e shkollave në Maqedoninë e Veriut, mund të themi se shumë nga ato nuk janë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme për të siguruar qasje për nxënësit me nevoja të veçanta. Sfida e parë është mungesa e ambienteve të përshtatshme për mësim, mungesa e mbështetjes teknologjike të përshtatur për nevojat e secilit nxënës, dhe mungesa e rrugëve speciale për karroca”, thekson Zehra Saiti, psikologe.

Sumeja Hamzi, asistente arsimore, thekson se kushtet e punës, përfshirë mjetet didaktike dhe materialet për zhvillimin e motorikës dhe lojërat senzorike, varen nga shkolla ku asistenti arsimor ofron mbështetje.

“Në shkollën ku unë punoj, kemi kushte të shkëlqyera, duke përfshirë një kabinet ku nxënësit me aftësi të veçanta mund të relaksohen pas një tantrumi, por jo çdo shkollë ka kushte të tilla, dhe kjo është një sfidë për ne si asistentë arsimorë”, thotë Hamzi.

Ajo thekson gjithashtu nevojën për një rregullim ligjor të statusit të asistentëve arsimorë.

“Asistentët arsimorë zakonisht angazhohen me kontrata të përkohshme, ndërsa ne kërkojmë që statusi ynë të rregullohet me ligj, për të pasur mundësi të punojmë me vendime të përhershme”, shton Hamzi.

Roli i asistentëve arsimorë

A.N., prind i një nxënësi me nevoja të veçanta, shprehet se prezenca e asistentit arsimor ka ndikuar pozitivisht në përfshirjen e fëmijës së tij në shkollë.

“Derisa fëmija im nuk kishte asistent, ai nuk kishte interes të shkonte në shkollë, pasi e konsideronte kohën në klasë monotone. Me ardhjen e asistentes, interesi për të shkuar në shkollë u rrit dhe ai ka arritur të përvetësojë njohuri të reja për të cilat nuk kisha as pritshmëri. Unë shoh përparim të dukshëm, jo vetëm në aspektin edukativ, por edhe në atë emocional dhe social.”

Për prindërit, ky angazhim është një lehtësim dhe një ndihmë e madhe, duke i siguruar ata se fëmija i tyre merr përkujdesje dhe nuk është i vetmuar në shkollë.

Nevoja për ndërgjegjësim dhe bashkëpunim

Psikologja Zehra Saiti thekson nevojën për ngritjen e vetëdijes dhe bashkëpunimit midis të gjithë faktorëve që ndikojnë në procesin e arsimit inkluziv. Sipas saj, ende ekziston një stigmatizim i këtyre fëmijëve nga shoqëria, i cili vështirëson përfshirjen e tyre dhe socializimin e plotë.

Maqedonia e Veriut ka bërë hapa para në këtë drejtim, por mundësitë e saj janë të kufizuara dhe kërkojnë angazhim të vazhdueshëm për të mundësuar një zbatim efektiv të këtij procesi. Saiti propozon një angazhim të madh institucional dhe ligjor, mbështetje nga organizatat ndërkombëtare, bashkëpunim nga ana e prindërve dhe një vullnet të fortë nga ana e asistentëve arsimorë, për të krijuar mundësi më të mira për fëmijët me nevoja të veçanta.

Qeveria: do ta përmirësojmë arsimin inkluziv

Qeveria në programin 2024-2028 thekson se do të ndërmarrë një sërë aktivitetesh për të përmirësuar kushtet në të cilat mësojnë fëmijët me nevoja të veçanta.

“Ne do ta përmirësojmë arsimin inkluziv përmes asistencës arsimore, teknologjisë asistive, stafeve mësimore të trajnuara dhe një mjedisi shkollor inkluziv. Shkollat e mesme shtetërore për fëmijët me nevoja të veçanta do të kthehen në shkolla të mesme shtetërore me qendra burimore, ndërsa shkollat e mesme shtetërore për fëmijët nevoja të veçanta komplekse do të shndërrohen në shkolla të mesme shtetërore me qendra ditore për punë dhe aktivitete”, thuhet në programin e qeverisë.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top