REFORMA UNIVERSITARE NË FOKUS: CILËSIA, AUTONOMIA DHE SFIDAT
Propozim-ligji i ri për Arsimin e Lartë në Maqedoninë e Veriut tashmë ka hyrë në procedurë qeveritare, duke hapur një debat të gjerë publik ndërmjet institucioneve, universiteteve, profesorëve, studentëve dhe aktorëve politikë. Ndërsa Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës theksojnë se bëhet fjalë për një reformë të domosdoshme që synon ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe përmirësimin e pozitës së universiteteve në rangimet ndërkombëtare, një pjesë e komunitetit akademik ka paralajmëruar pasoja serioze për autonominë universitare, cilësinë e mësimdhënies.
Ndërkohë, nga qeveria kanë bërë të ditur se propozim-ligji është dorëzuar dhe aktualisht ndodhet në proces harmonizimi sipas procedurave qeveritare. “Ligji është dorëzuar në Qeveri dhe në përputhje me Rregulloren është në proces harmonizimi sipas procedurave të përcaktuara qeveritare, pas së cilës pritet të shqyrtohet në një nga seancat e ardhshme të Qeverisë”, kanë theksuar nga qeveria .
Edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë theksuar se gjatë debatit publik janë tejkaluar dallimet dhe janë integruar vërejtjet konstruktive të pranuara nga palët e interesuara. Sipas ministrisë, të gjitha vërejtjet konstruktive dhe të argumentuara që kemi marrë gjatë zhvillimit të debatit publik janë integruar në tekst.
Megjithatë, vetë procesi ka prodhuar kundërshtime të forta. Opozita, një pjesë e profesorëve universitarë dhe organizatave studentore kanë akuzuar qeverinë se përmes këtij ligji synon të forcojë kontrollin mbi universitetet, duke cenuar autonominë universitare dhe duke krijuar mekanizma që mund të favorizojnë nepotizmin dhe standardet e dyfishta në avancimin akademik.
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka deklaruar se ligji ka marrë përkrahje publike nga drejtuesit e universiteteve shtetërore. Në një emisionin televeziv, ai ka theksuar se institucionet kanë qenë pjesë e procesit dhe se sugjerimet e arsyeshme janë pranuar.
Sulejmani, ka përmendur pjesëmarrjen e rektorëve të universiteteve më të mëdha të vendit në takimin me kryeministrin. Sipas tij, mbështetja publike e rektorëve tregon gatishmërinë e universiteteve për të punuar me ligjin e ri dhe për të sjellë reforma në arsimin e lartë.
Në anën tjetër, kritikat më të ashpra kanë ardhur nga profesorë universitarë dhe ish-funksionarë të arsimit. Profesoresha Behare Kasami, në një emision në Portalb.mk, ka vlerësuar se ligji dëmton drejtpërdrejt universitetet më të vogla, veçanërisht universitetet shqiptare, duke ua kufizuar autonominë në disa dimensione.
Sipas saj, universitetet më të vogla do të përballen me pasoja të menjëhershme, ndërsa universitetet më të mëdha do t’i ndjejnë efektet negative në plan afatgjatë. Kasami ka vënë në dukje se ndryshimet nuk garantojnë avancim të cilësisë në arsimin e lartë dhe mund të krijojnë centralizim më të madh të vendimmarrjes.
Një qasje më kritike ndaj procesit ka shprehur edhe ish-ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri. Në një emision televiziv, ai ka theksuar se askush nuk e konteston nevojën për reforma në arsimin e lartë, por problem mbetet mungesa e transparencës dhe qartësisë mbi objektivat konkrete të reformës.
“Nëse qëllimi është rritja e cilësisë duhet të gjenden mënyra dhe modele konkrete për ta rritur cilësinë”, ka deklaruar Shaqiri, duke shtuar se opinioni publik nuk ka informacion të mjaftueshëm mbi autorët dhe konceptin e përgjithshëm të ligjit. Ai ka shfaqur dilema edhe për ndryshimet në programet studimore dhe përfshirjen e odave ekonomike në proces.
Ndërkohë, një prej kritikave më të detajuara lidhet me shfuqizimin e dispozitave që rregullojnë titujt akademikë, i ka shpaluar në një shkrim autorial në “NetPress”, Gjorgji Ilievski, i cili e ka cilësuar ndryshim si një ndër kundërthëniet më të mëdha të reformës.
Sipas Ilievskit, reforma synon përmirësimin e pozitës së universiteteve në Listën e Shangait përmes rritjes së publikimeve shkencore dhe projekteve kërkimore, por në të njëjtën kohë eliminon profesorët me titull që vijnë nga sektori i biznesit dhe institucionet publike, të cilët luajnë rol kyç në lidhjen e teorisë me praktikën.
Ai ka paralajmëruar se miratimi i ligjit do të sjellë ndërprerjen automatike të angazhimit të shumë profesorëve me titull, duke krijuar pasoja direkte për universitetet që mbështeten në këtë kategori akademikësh. Sipas tij, kjo do të ndikojë negativisht edhe në publikimet shkencore, pasi profesorët që nuk do të jenë më pjesë e procesit mësimor mund të humbin motivimin për kërkim shkencor.
Ilievski ka ngritur shqetësime edhe për uljen e interesimit për studime doktorale nga ekspertët që punojnë jashtë universiteteve. Sipas tij, nëse këta ekspertë nuk mund të përfshihen në mësimdhënie dhe të avancojnë në tituj akademikë, atëherë do të zvogëlohet motivimi për doktorim dhe për publikime në revista me faktor impakti.
Mes tjerash ai ka theksuar se reforma nuk është paraprirë nga analiza të mirëfillta sasiore dhe cilësore mbi gjendjen reale në arsimin e lartë. Ai ka kritikuar mënyrën se si është udhëhequr debati publik, duke theksuar se deri tani publiku ka parë më shumë sulme ndaj institucioneve të arsimit të lartë sesa një qasje konstruktive dhe parandaluese nga autoritetet.
Debati rreth ligjit të ri për Arsimin e Lartë po shënon një kundërvënie të thellë mes atyre që reformën e shohin si domosdoshmëri për modernizimin e universiteteve dhe atyre që paralajmërojnë rrezik për autonominë akademike dhe cilësinë afatgjatë të sistemit universitar. Ndërsa Qeveria përgatitet ta procedojë ligjin në Kuvend, mbetet të shihet nëse reagimet e komunitetit akademik do të ndikojnë në ndryshime shtesë të tekstit apo në zbutjen e pikave më të kontestuara të reformës.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
