Enis Shaqiri fiton çmimin e parë të OSBE-së për gazetari mbi dhunën digjitale
Gazetari dhe hulumtuesi i Institutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), Enis Shaqiri, ka fituar çmimin e parë në Thirrjen e Hapur të Misionit të OSBE-së në Shkup për rrëfimet mediatike mbi dimensionin digjital të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Shaqiri është vlerësuar për storien hulumtuese me titull “Nisi me një llogari të rreme në Instagram dhe përfundoi me përndjekje në jetën reale: Gratë në Maqedoninë e Veriut përballen me dhunë që nuk ndalet tek ekrani”, e cila trajton kërcënimet dhe përndjekjen online ndaj grave, si dhe pasojat që kjo formë e dhunës mund të ketë jashtë hapësirës digjitale.
Vlerësimi u bë të mërkurën, gjatë aktivitetit të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Në këtë aktivitet u ndanë çmimet për tre rrëfimet më të vlerësuara në kuadër të thirrjes së hapur.
Duke folur për përvojën e tij gjatë hulumtimit, Shaqiri theksoi se vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te vetëdijesimi i qytetarëve, por edhe te përgatitja e institucioneve për t’iu përgjigjur rasteve të dhunës digjitale.
“Ne nuk mund t’i edukojmë të gjithë në këtë shtet, por mund t’i trajnojmë institucionet dhe njerëzit që punojnë në to. Ata që merren me viktimat duhet të kuptojnë se çfarë po përjetojnë dhe të dinë si të reagojnë me kujdes dhe respekt. Viktimat nuk duhet të ndihen kurrë të turpëruara apo përgjegjëse për atë që u ka ndodhur”, theksoi Shaqiri.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e gazetarisë në trajtimin e këtyre temave, duke theksuar se pas çdo statistike qëndron një person dhe një histori reale, ndërsa rrëfimi i tyre mund të jetë hapi i parë për ta bërë problemin të dukshëm.
Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) e mirëpret këtë vlerësim dhe përgëzon Enis Shaqirin për çmimin e fituar dhe kontributin e tij në trajtimin e çështjeve me interes publik përmes gazetarisë hulumtuese.
Çmimi i dytë në këtë thirrje iu nda Llausha Zenunit për storien “Unë nuk bëra zë, Monika e raportoi atë: Dy rrëfime të dhunës digjitale”, ndërsa çmimi i tretë Gabriela Leskovës nga televizioni Sitel, për reportazhin televiziv “Dhuna digjitale si një kërcënim real”.
Në kuadër të aktivitetit u organizuan edhe dy diskutime në panel, ku u trajtuan temat e rrëfimeve fituese, pasojat e dhunës digjitale, pengesat në raportimin e rasteve, qasja në mbështetje dhe përgjegjësia institucionale. Anëtarët e Grupit Këshillimor Rinor të Misionit të OSBE-së morën pjesë aktive në moderimin e diskutimeve, ndërsa autorët e rrëfimeve fituese kontribuuan në trajtimin e këtyre çështjeve përmes përvojave dhe punës së tyre gazetareske.
Sipas hulumtimit të publikuar nga Misioni i OSBE-së gjatë këtij viti, ku janë përfshirë 600 gra të reja të moshës 18 deri në 29 vjeç, 86 për qind e atyre që kishin përjetuar ose dëshmuar dhunë me bazë gjinore apo ngacmim në internet nuk e kishin raportuar atë. Nga ato që nuk e kishin raportuar, 31 për qind deklaruan se nuk kishin informata të mjaftueshme se ku të drejtoheshin, ndërsa 28 për qind theksuan mungesën e besimit te institucionet.
“Vetëdijesimi është i rëndësishëm, por vetëm si i tillë nuk mbron askënd. Ai duhet të shpjerë drejt parandalimit, mbrojtjes dhe llogaridhënies efektive”, deklaroi ushtruesja e detyrës së shefes së Misionit të OSBE-së në Shkup, Dr. Susan Penksa.
Ajo theksoi rëndësinë e krijimit të mekanizmave që u mundësojnë grave dhe vajzave të raportojnë abuzimin në mënyrë të sigurt, të reagimit efektiv të institucioneve dhe të ndërtimit të besimit te mekanizmat e mbrojtjes.
Aktiviteti vuri në pah edhe rolin e gazetarisë së përgjegjshme në trajtimin e dhunës digjitale, duke e bërë atë më të dukshme, duke kundërshtuar fajësimin e viktimave dhe duke respektuar privatësinë dhe dinjitetin e të mbijetuarave.
Artikullin fitues të gazetarit Shaqiri mund ta gjeni më poshtë:
