MAQEDONIA E VERIUT DO TË LEGALIZOJË KRIPTOVALUTAT

Suad Seferi, ekspert i IT-së thekson se teknologjia “Blockchain” e cila përdoret dhe për krijimin e kriptovalutave merr përmasa më të gjëra duke u përhapur në sektorë të shumtë. Ai thekson se kriptovalutat ofrojnë qasje më të lehtë për individët që nuk kanë llogari bankare, duke i lejuar të marrin pjesë në ekonominë globale thjesht përmes internetit. Një nga problemet kryesore me kriptovalutat është se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se si ato funksionojnë nga aspekti teknologjik, ekonomik dhe rregullativ, thekson Agron Çaushi, drejtori i “Inspire11” dhe profesor universitar. Ana Haxhieva Angellovska, anëtare e Bordit Drejtues në Shoqatën Maqedonase të Juristëve të Korporatave thekson se shumë shtete druajnë nga legalizimi i kriptovalutave për shkak të rrezikut të lartë për pastrim parash dhe financimit të terrorizmit.
Autore: Luisa Residi
Në kohën kur tregu i monedhave dixhitale shënon rritje të fortë, duke çuar vlerën e Bitcoin në mbi 100 mijë dollarë, Maqedonia e Veriut synon të bëhet ndër vendet e para në rajon që do të rregullojë më ligj përdorimin e kriptomonedhave. Kryeministri Hrisjtian Mickoski vlerëson se kjo është e ardhmja.
“Sot do të thosha se tregtohet në mënyrë gjysmë legale prej këtu. Duam që të gjithë këtë ta kanalizojmë në korniza të ligjit, por ka shumë punë që duhet të harmonizohen paraprakisht dhe këtë po e bëjmë. I harmonizojmë ato punë që të vijmë te produkti final. Mendoj se do të jemi mes vendeve të para në rajon, nëse jo të parët që do të tentojmë të bëjmë diçka të tillë”, theksoi Mickoski pak kohë më parë.
Kriptovalutat revolucionarizojnë transaksionet
“Kriptovalutat revolucionarizojnë mënyrën se si kryhen transaksionet duke shmangur vonesat dhe tarifat e larta të bankave tradicionale. Kjo krijon konkurrencë tek institucionet financiare dhe i detyron ata të krijojnë inovacione dhe të reformohen, gjë që do të jetë në dobi të konsumatorëve të përgjithshëm”, vlerëson Agron Çaushi, drejtori i “Inspire11” dhe profesor universitar.
Ai thekson se kriptovalutat ofrojnë qasje më të lehtë për individët që nuk kanë llogari bankare, duke i lejuar të marrin pjesë në ekonominë globale thjesht përmes internetit.
“Privatësia është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm. Megjithëse niveli i saj ndryshon nga një kriptovalutë në tjetrën, në përgjithësi kriptovalutat ofrojnë një nivel të anonimitetit, që shumë individë dhe organizata e vlerësojnë, sepse shteti nuk mund të ndjekë paratë e tyre”, shton Çuashi.
RMV-ja, larg digjitalizimit të plotë
Suad Seferi, ekspert i IT-së thekson se teknologjia “Blockchain” e cila përdoret dhe për krijimin e kriptovalutave merr përmasa më të gjëra duke u përhapur në sektorë të shumtë.
“Përtej industrisë financiare, kriptovalutat dhe teknologjia “blockchain” po sjellin ndryshime të rëndësishme në shumë fusha. Në shëndetësi, “blockchain” mund të ndihmojë në ruajtjen dhe menaxhimin e sigurt të të dhënave shëndetësore; në logjistikë, ajo ofron transparencë dhe gjurmim të produkteve përmes zinxhirëve të furnizimit; në edukim, përdoret për të ruajtur certifikatat dhe kualifikimet në mënyrë të pandryshueshme; ndërsa në art dhe pronësi intelektuale, “blockchain” po mundëson mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe tregtinë e sigurt të aseteve dixhitale”, thotë Seferi.
Ai shton se Maqedonia e Veriut është ende larg dixhitalizimit të plotë. Shumë procese, veçanërisht në administratë dhe shërbime publike mbeten të bazuara në dokumente fizike.
“Teknologjia “blockchain” mund të përshpejtojë këtë proces, duke sjellë transparencë dhe efikasitet në shërbimet publike, regjistrimin e pronës dhe potencialisht në votimin elektronik. Aktualisht, përdorimi i “blockchain” dhe kriptovalutave është i kufizuar kryesisht në aktivitete personale, ku popullsia, veçanërisht të rinjtë, e përdorin kryesisht për tregti (trading) të valutave. Kjo tregon një interes të madh për këtë teknologji, por mungojnë platformat zyrtare dhe strategjitë për ta integruar atë në zhvillimin ekonomik dhe institucional të vendit”, thekson Seferi.
Në shumë vende të BE-së teknologjia “Blockchain” tashmë po përdoret në sektorë të ndryshëm.
- Bizneset pranojnë kriptovaluta: Shumë kompani në BE, sidomos në sektorin e turizmit, teknologjisë dhe tregtisë elektronike, pranojnë pagesa me Bitcoin, Ethereum dhe kriptovaluta të tjera.
- Kartat e pagesave kripto: Shërbime si Crypto.com dhe Binance ofrojnë karta që mund të përdoren për pagesa në çdo vend që pranon Visa ose Mastercard. Këto karta konvertojnë automatikisht kriptovalutat në monedha tradicionale gjatë transaksionit.
- Shërbimet publike: Në disa vende, si Zvicra dhe Estonia, qytetarët mund të paguajnë taksa ose shërbime publike me kriptovaluta.
Rreziqet nga përdorimi i kriptovalutave
“Një nga problemet kryesore me kriptovalutat është se shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se si ato funksionojnë nga aspekti teknologjik, ekonomik dhe rregullativ. Kriptovalutat karakterizohen me paqëndrueshmëri të çmimeve, që krijon pasiguri për investitorët dhe bizneset. Për shembull, vlera e Bitcoin ka pësuar luhatje ekstreme, duke kaluar nga disa mijëra dollarë në dhjetëra mijëra brenda pak muajsh. Mirëpo, askush nuk garanton se lëvizjet nuk mund të jenë anasjelltas. Kjo është si rezultat i asaj se askush nuk garanton vlerën e tyre dhe gjithashtu ne ende shumë pak njohim mekanizimin se çfarë përcakton vlerën e një kriptovalute”, thekson Agron Çaushi, drejtori i “Inspire11” dhe profesor universitar.
Ai më pas përmend sigurinë si një sfidë tjetër madhore.
“Siguria është një tjetër sfidë madhore. Përdoruesit mbajnë përgjegjësinë e plotë për ruajtjen e çelësave privatë dhe humbja e tyre do të thotë humbje e pakthyeshme e fondeve. Gjithashtu, portofolet dixhitale dhe platformat e shkëmbimit janë shpesh objektiva të sulmeve kibernetike”, shtoi ai.
Ndikimi negativ ndaj mjedisit, shqetësim serioz
Sipas profesorit Çaushi, ndikimi i kriptovalutave ndaj mjedisit përbën shqetësim të madh.
“Procesi i “gërmimit” (mining) për disa kriptovaluta, si Bitcoin, konsumon sasi të mëdha energjie, duke ndikuar negativisht në ndryshimet klimatike. Sipas disa vlerësimeve, konsumi global i energjisë për minierat e kriptovalutave është i krahasueshëm me konsumin vjetor të energjisë të një vendi si Polonia” shton ai.
Rreziku nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit
Ana Haxhieva Angellovska, anëtare e Bordit Drejtues në Shoqatën Maqedonase të Juristëve të Korporatave thekson se shumë shtete druajnë nga legalizimi i kriptovalutave për shkak të rrezikut të lartë për pastrim parash dhe financimit të terrorizmit.
“Shumë vende po eksplorojnë mënyra për të integruar kriptovalutat në sistemet e tyre financiare përmes rregulloreve që balancojnë sigurinë dhe inovacionin, duke u përpjekur të adresojnë rreziqet nga mashtrimet dhe pastrimi i parave, ndërsa të tjerat vende kanë marrë një qasje më të kujdesshme, duke vendosur kufizime dhe ndalime për përdorimin e kriptomonedhave për shkak të shqetësimeve mbi paqëndrueshmërinë e tyre, mungesën e mbrojtjes së konsumatorit dhe potencialin për keqpërdorim në aktivitete të paligjshme.”
“Banka Popullore u kërkon bankave komerciale të respektojnë kërkesat përkatëse në lidhje me regjimin e këmbimit valutor dhe rregulloret që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, thotë Haxhieva Angellovska.
Për tu tejkaluar kjo situatë mund të ndiqet shembulli i shteteve e BE-së të cilat kanë vendosur një kornizë të përbashkët për tregtinë dhe rregullimin e kriptovalutave përmes legjislacionit të quajtur MiCA (Markets in Crypto-Assets).
Disa nga masat kryesore përfshijnë:
- Regjistrimi i ofruesve të shërbimeve të kriptovalutave në të paktën një vend anëtar të BE-së dhe mbikëqyrja e tyre nga autoritetet financiare.
- Gjurmimi i transaksioneve mbi 1,000 euro nga kuletat e vetë-mbajtura në platformat e centralizuara.
- Rregullimi i monedhave të qëndrueshme (stablecoins), duke kërkuar që ato të kenë rezerva të mjaftueshme likuide dhe të mbikëqyren nga Autoriteti Bankar Evropian.
- Mbrojtja e konsumatorëve, duke imponuar standarde më të larta për informimin mbi rreziqet dhe kostot e investimeve në kripto.
BE-ja ka mbi 50 banka që janë miqësore ndaj kriptovalutave, duke e bërë rajonin një qendër për inovacion në këtë fushë. Rregulloret si PSD2 dhe MiCA kanë krijuar një mjedis të favorshëm për integrimin e kriptovalutave në sistemin bankar. Në përgjithësi, qasja e unifikuar e BE-së ka ndihmuar bankat dhe firmat “fintech” të zhvillojnë shërbime inovative dhe të sigurojnë mbështetje më të mirë për tregtinë e kriptovalutave.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.