PERSONAT ME NEVOJA NDRYSHE ANKOHEN PËR DISKRIMINIM

“Unë e kam pasur dhjetëfish më vështirë se kolegët e mi”, thotë 27-vjeçari nga Tetova, Lavdrim Veli, student i psikologjisë dhe i diplomuar në dizajn të brendshëm. Ai rrëfen për Eurothink vështirësitë me të cilat është përballur gjatë ditëve të studimit. Liridona Vejseli, gazetare e portalit PaCensurë, e cila shumë shpesh raporton mbi tema sociale thotë se shteti nuk i trajton sa duhet problemet e personave me aftësi ndryshe. Igor Jadrovski , Anëtar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë se diskriminimi i personave me aftësi ndryshe përbën sfidë serioze.
Autore: Luisa Residi
Rritet numri i ankesave nga personat me nevoja ndryshe për diskriminim. Sipas tyre, shteti shumë pak kujdeset për sigurimin e kushteve bazë në mënyrë që t’i realizojnë të drejtat e tyre për shkollim, mbrojtje sociale dhe punësim.
“Unë e kam pasur dhjetëfish më vështirë se kolegët e mi”, thotë 27-vjeçari nga Tetova, Lavdrim Veli, student i psikologjisë dhe i diplomuar në dizajn të brendshëm. Ai rrëfen për Eurothink vështirësitë me të cilat është përballur gjatë ditëve të studimit.
“Ashensorët nuk punonin ose nuk ishin të përshtatshëm, rampat ishin shumë të larta… Sfidën e nënvlerësimit e kam tejkaluar përmes studimeve, falë mbështetjes së prindërve, profesorëve dhe komunitetit, të cilët tani më shohin si një person më të kompletuar”, thotë Veli.
“Nuk do të ishte e njëjtë jeta ime po të mos kisha studiuar. Kjo përvojë është unike dhe fatkeqësisht mungon për shumë persona që nuk kanë mundësi të studiojnë për shkak të mungesës së qasjes ose mbështetjes adekuate”, shtoi ai.
Veli thotë se edhe pse Maqedonia e Veriut shpesh kritikohet për mosrespektimin e kushteve për punësimin e personave me aftësi ndryshe, megjithatë mundësitë ekzistojnë.
“Ligjet janë në fuqi, siç është ligji për vetëpunësim, që ofron përfitime si shmangia e tatimit personal për personat me aftësi të kufizuara që vendosin të vetëpunësohen. Por nevojitet më shumë mbështetje nga institucionet dhe shoqëria për të shmangur padrejtësitë dhe për të trajtuar hapur çështjet e të drejtave të mohuara,” shton ai.
“U bëj thirrje të gjithëve që kanë aftësi të mjaftueshme të ndërmarrin hapa drejt vetëzhvillimit. Për shembull, në Spitalin e Tetovës ka të punësuar një person me paralizë cerebrale, i cili ka gjetur një rol të përshtatshëm”, thekson Veli.
Liridona Vejseli, gazetare e portalit PaCensurë, e cila shumë shpesh raporton mbi tema sociale thotë se shteti nuk i trajton sa duhet problemet e personave me aftësi ndryshe.
“Unë si gazetare trajtoj jo rrallë tema të cilat prekin kategori sociale të qytetarëve të RMV-së dhe konkretisht kategorisë së ndjeshme të fëmijëve me aftësi ndryshe dhe sfida në shëndetin mendor, si një ndër kategoritë më të ndjeshme dhe të pa trajtuara në shtetin tonë. Statistikat tregojnë se Maqedonia nuk mund të quhet shtet social ashtu siç është në kushtetutë nëse thelloheni t’i kuptoni problematikat”, thekson Vejseli.
Krahasimi me kushtet që ofron BE-ja për sigurim social dhe shëndetësor
Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa nisma dhe politika konkrete për të përmirësuar kushtet e sigurimit social dhe shëndetësor për personat me aftësi të ndryshe, siç janë:
- Strategjia për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (2021-2030)
Kjo strategji përfshin përmirësimin e aksesit në shërbimet shëndetësore duke eliminuar pengesat fizike dhe administrative si dhe rritjen e aksesit në sigurimin social përmes standardeve të harmonizuara midis shteteve anëtare.
- Fondet Evropiane për Rimëkëmbjen dhe Reziliencën
BE ka alokuar fonde për projektet që mbështesin personat me aftësi të veçanta, përfshirë:
Investime në qendra rehabilitimi dhe kujdesi shëndetësor, si dhe subvencione për punësimin e personave me aftësi të veçanta, duke ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies së tyre ekonomike dhe sociale.
- Karta Evropiane e Aftësive të Kufizuara
Një nismë që synon të sigurojë përfitime të barabarta dhe akses në shërbime shëndetësore dhe sociale për personat me aftësi të veçanta kur udhëtojnë brenda BE-së.
Si dhe projekte të shteteve specifike siç janë:
Gjermania ka zhvilluar programe për të integruar personat me aftësi të veçanta në sistemin e sigurimeve shëndetësore universale.
Suedia siguron kujdes të personalizuar në shtëpi dhe qasje të lehtë në teknologji ndihmëse për të rritur pavarësinë.
Italia ka zbatuar projekte për qendra të specializuara për kujdesin afatgjatë.
Diskriminimi i personave me aftësi ndryshe, sfidë e madhe
Igor Jadrovski , Anëtar i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë se diskriminimi i personave me aftësi ndryshe përbën sfidë serioze.
“Pavarësisht se ekziston kornizë ligjore për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të posaçme në Maqedoninë e Veriut dhe krijimit të një Trupi Kombëtar Koordinues, diskriminimi sistematik mbetet një sfidë e madhe, e rrënjosur thellë në mungesën e edukimit, zbatimit, qëndrimeve shoqërore dhe pengesave institucionale”, thekson Jadrovski.
Sipas neneve 4 dhe 6 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ligji ndalon diskriminimin ndaj personave me aftësi të posaçme dhe siguron mbrojtjen e tyre duke njohur aftësinë e kufizuar si bazë për diskriminim.
Shumë ligje janë harmonizuar me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për të përfshirë dispozita që mbrojnë personat me aftësi të posaçme nga diskriminimi, si Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, Ligji për Arsimin Fillor, Ligji për Mbrojtjen Sociale dhe Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve.
Igor Jadrovski, thotë se familjet e individëve me aftësi të kufizuara, si dhe vetë individët shpesh përballen me sfida të mëdha për të adresuar diskriminimin.
“Këtu përfshihen pengesa ligjore dhe institucionale, mungesë burimesh dhe mbështetjeje, stigma sociale, qasja në drejtësi. Për më tepër, si rezultat i arsimimit dhe ndërgjegjësimit të kufizuar për të drejtat e aftësisë së kufizuar, së bashku me barrën financiare të kujdesit, shumë prej tyre ende përballen me vështirësi për të ditur si të paraqesin një ankesë ose ku të kërkojnë mbrojtje kundër diskriminimit”, thotë Jadrovski.
Ai shton se pavarësisht përpjekjeve për të avancuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, diskriminimi sistematik vazhdon të ekzistojë në disa fusha, veçanërisht në arsim, qasje publike dhe shëndetësi. Ky vit ka nxjerrë në pah trende shqetësuese, si përjashtimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara nga proceset e rregullta arsimore, të reflektuara në peticione nga prindërit dhe rastet e përsëritura të ngacmimeve.
Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, në mendimin e tij mbi parashtresën e një prindi të një nxënësi të shkollës së mesme me aftësi të kufizuara, konstatoi diskriminim të drejtpërdrejtë ndër-sektorial ndaj nxënësit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si një formë më e rëndë e diskriminimit.
Njëkohësisht, Komisioni përcaktoi diskriminimin e tërthortë ndaj nxënësve të shkollave të mesme me aftësi të kufizuara në Ligjin për arsimin e mesëm, i cili nuk parashikon konceptin e përfshirjes, si dhe asistencën arsimore për nxënësit me aftësi të kufizuara, duke pamundësuar kështu arsimin cilësor në mënyrë të barabartë me nxënësit e shkollave të mesme që nuk kanë nevojë për asistencë ose mbështetje në procesin arsimor.
Mungesa e 169 asistentëve arsimorë gjatë vitit shkollor 2024/2025 ka përkeqësuar më tej pabarazitë, duke lënë shumë nxënës me aftësi të kufizuara pa mbështetjen e nevojshme. Diskriminimi në arsim është veçanërisht evident në pamundësinë për të përshtatur infrastrukturën, burimet dhe mbështetjen për të përmbushur nevojat e nxënësve me aftësi të kufizuara, duke çuar në përjashtimin e tyre nga sistemi i rregullt arsimor.
Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi rekomandon një sërë masash urgjente për të shmangur diskriminimin e personave me aftësi ndryshe. Ndër to: sigurimin e qasjes në dhe brenda vendvotimeve për personat me aftësi të kufizuara, Ministria e Politikës Sociale të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur aktivitete për krijimin e një Regjistri të Personave me Aftësi të Kufizuara sipas shkallës dhe llojit, në mënyrë që të mund të hartohen politika realiste dhe efektive për avancimin e të drejtave të garantuara në Konventë. Sigurimin e infrastrukturës së qasshme shkollore për të parandaluar segregimin dhe përjashtimin e nxënësve me aftësi të kufizuara. Ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Mesëm për të integruar parimet e përfshirjes dhe për të adresuar nevojat e nxënësve me aftësi të kufizuara. Trajtimi i ngacmimeve në shkolla përmes vendosjes së masave disiplinore ndaj autorëve, etj.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.