TRAJTIM JOHUMAN DHE SHKELJE E RËNDË E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË BURGJET E RMV-SË

Komisioni Evropian kritikon ashpër gjendjen e burgjeve në vend. Në raportin e fundit për progresin e vendit në rrugën evropiane kërkon masa urgjente nga autoritetet për t’i përmirësuar kushtet në burgje. “Kushtet në burg janë jashtëzakonisht mizore”, deklaron për Eurothink një i burgosur në burgun e Idrizovës i cili prej njëzet vitesh vuan dënimin. Ai thekson se kushtet e ushqimit janë jashtë çdo standardi dhe shumica e të burgosurve janë të detyruar të kujdesen vetë për ushqimin, duke marrë paketa ushqimore nga familjarët e tyre.
Autore: Semran Murtezani
Të burgosurve iu mohohen të drejtat themelore, përfshirë aksesin në ushqim dhe mjete higjienike
Pamje nga burgu i Idrizovës, Shkup
“Kushtet në burg janë jashtëzakonisht mizore”, deklaron për Eurothink një i burgosur në burgun e Idrizovës i cili prej njëzet vitesh vuan dënimin. Ai thekson se kushtet e ushqimit janë jashtë çdo standardi dhe shumica e të burgosurve janë të detyruar të kujdesen vetë për ushqimin, duke marrë paketa ushqimore nga familjarët e tyre. Nga produktet më elementare, përfshirë ato higjienike, gjithçka sigurohet nga ata. Të burgosurit janë të detyruar të gatuajnë me produktet që iu sjellin familjarët e tyre.
I burgosuri i cili foli në kushte anonime për Eurothink gjithashtu thekson se mungon uji i ngrohtë për dush dhe janë të detyruar të improvizojnë, duke ngrohur ujë me bidonë të mëdhenj. Rrobat i dërgojnë në shtëpi për t’i larë dhe pastaj i marrin përsëri.
Pavarësisht premtimeve për kushte më të mira shëndetësore, këto kushte ende nuk janë përmirësuar në mënyrë të mjaftueshme për të sjellë ndryshime të prekshme, thekson i burgosuri. Gjatë ditës, ata kanë dy orë kohë për të dalë në oborr, ku angazhohen në punë të ndryshme si pastrimi i hapësirave, kositja e barit, punimi i tokës për mbjellje dhe ndërtimi i mobilieve. Megjithatë, ka një mungesë të theksuar të aktiviteteve për resocializim. Procesi i resocializimit ndodh natyrshëm përmes përshtatjes me rregullat e burgut, ku të burgosurit e rinj mësojnë të përshtaten dhe të shkrihen me realitetin e jetës në burg.
KE: Të parandalohet tortura dhe keqtrajtimi
Komisioni Evropian kritikon ashpër gjendjen e burgjeve në vend. Në raportin e fundit për progresin e vendit në rrugën evropiane kërkon masa urgjente nga autoritetet për t’i përmirësuar kushtet në burgje.
“Maqedonia e Veriut është aktualisht ndër vendet për të cilat ka shqetësim të madh lidhur me kushtet e ndalimit. Vendi duhet të trajtojë urgjentisht çështjen e kushteve të papërshtatshme të ndalimit në burgje, stacionet e policisë, institucionet e kujdesit social dhe ato psikiatrike. Megjithëse infrastruktura është rinovuar dhe përmirësuar në disa institucione ndëshkuese-korrektuese, kushtet në disa pjesë të burgut të Idrizovës dhe institucione të tjera të ndalimit mbeten jashtëzakonisht problematike”, theksohet në raport.
“Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës”
Neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton se askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, trajtimit ose ndëshkimit të pamëshirshëm apo të degraduar. Rregullat evropiane për burgjet, si dhe standardet universale për kushtet në burgje, të cilat janë përcaktuar si “Rregullat e Nelson Mandelës”, theksojnë në mënyrë të qartë se institucionet korrektuese duhet të funksionojnë mbi bazën e respektimit dhe garantimit të dinjitetit njerëzor të të burgosurve dhe të drejtave të tjera themelore të njeriut .
Kritika RMV-së për kushtet çnjerëzore në burgje
Maqedonia e Veriut, për një periudhë të gjatë, ka qenë subjekt i kritikave për kushtet në burgje që janë jashtë çdo standardi minimal, gjë që theksohet vazhdimisht edhe në raportet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor dhe Poshtërues (KPT), në kuadër të Këshillit të Evropës.
Në raportin e vitit 2024, KPT thekson se Maqedonia e Veriut duhet të ndërpresë praktikën e trajtimit degradues dhe çnjerëzor nga ana e stafit të burgjeve ndaj të burgosurve. Në përputhje me rregullat evropiane të burgjeve, burgjet kanë si funksion kryesor mundësimin e reintegrimit të të burgosurve në komunitet, duke siguruar përgatitjen e tyre të duhur për rikthimin në shoqëri. Në këtë kuadër, funksionimi i burgjeve duhet të jetë në përputhje me standardet minimale evropiane, duke përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut, proporcionalitetin, normalitetin, ku jeta në burg duhet, sa më afër që të jetë e mundur, të pasqyrojë jetën në komunitet. Gjithashtu, është e domosdoshme që të ketë staf adekuat dhe të kualifikuar, si dhe një sistem përgjegjësie dhe transparence.
Sipas rregullave evropiane të burgjeve, kushtet në burgje duhet të respektojnë dinjitetin, privatësinë dhe shëndetin e të burgosurve. Kjo përfshin ofrimin e kushteve të përshtatshme për hapësirat e burgut, si ndriçim natyral, ajër të freskët dhe ventilim të duhur. Dritaret duhet të mundësojnë dritë natyrale dhe, përveç kësaj, ajër të pastër. Gjithashtu, të burgosurit duhet të kenë qasje në kushte sanitare, si dhe mundësi për t’u pastruar, përfshirë nevojat specifike për gratë. Ushqimi duhet të jetë i mjaftueshëm dhe i balancuar, ndërsa uji i pastër duhet të jetë gjithmonë i disponueshëm. Programi i burgut duhet të ofrojë aktivitete të balancuara dhe mundësi për ndërveprim shoqëror, përfshirë të paktën një orë ushtrime në ambient të hapur çdo ditë. Në rast të kushteve të pafavorshme të motit, duhet të ofrohen mundësi alternative.
Burgjet në RMV, të mbipopulluara
Sonja Trifunovska, Zëvendës Avokatja e Popullit, deklaron se kushtet e jetesës në institucionet korrektuese nuk janë të kënaqshme, sidomos kur bëhet fjalë për kushtet higjienike.
“Këto përfshijnë mosmirëmbajtjen e higjienës dhe mungesën e mjeteve të përshtatshme për pastrimin e ambienteve, si dhe mosrealizimin e pastrimeve dhe masave të nevojshme për dezinsektim, dezinfektim dhe deratizim. Po ashtu, kushtet janë të papërshtatshme edhe në lidhje me hapësirën individuale për akomodimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve, duke çuar në mbipopullim të vazhdueshëm nëpër institucionet e burgjeve”, thekson Trifunovska.
Ajo shton se disa aktivitete për rinovimin e këtyre institucioneve janë ndërmarrë, si rikonstruimi dhe vënia në përdorim e një krahu të ri në kompleksin korrektues të Idrizovës. Megjithatë, këto përpjekje ende nuk janë të mjaftueshme dhe kërkohet një mbikëqyrje dhe mirëmbajtje e vazhdueshme për të siguruar që institucionet të përmbushin standardet minimale për kushtet e akomodimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Vërtetohen raste të torturës ndaj të burgosurve
Kushtet e papërshtatshme për jetesë janë evidentuar edhe përmes ankesave të të dënuarve për torturë nga ana e pjesëtarëve të policisë së burgjeve. Avokati i Popullit ka hetuar disa raste të torturës nga pjesëtarët e policisë së burgjeve ndaj të dënuarve dhe disa prej këtyre rasteve janë dërguar për ndjekje penale, ku ka pasur gjithashtu edhe vendime gjyqësore nga gjykata kompetente që shpallin fajtorë disa pjesëtarë të policisë së burgjeve për përdorimin e dhunës.
Në këtë kontekst, edhe raporti i KPT-së thekson se disa të privuar nga liria kanë pohuar se janë keqtrajtuar nga ana e stafit të burgjeve. Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit përkatës në Burgun e Shkupit, delegacioni i KPT-së gjeti në disa raste përshkrime të lëndimeve dhe elemente mbështetëse që forconin besueshmërinë e pretendimeve. Po ashtu, një pajisje elektrike për shok u gjet në zyrën e një inspektori të departamentit kundër narkotikëve në Stacionin Policor të Velesit, e cila ishte identifikuar më parë nga persona të ndaluar si vendi ku ishin keqtrajtuar.
Komiteti i Parandalimit të Torturës (KPT) i bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të miratojnë dhe zbatojnë një strategji koherente për parandalimin dhe luftimin e keqtrajtimit nga ana e policisë. Si pasojë, çdo send jo-standard që mund të përdoret për të shkaktuar keqtrajtimin duhet të hiqet nga të gjitha ambientet e policisë ku mund të mbahen ose të intervistohen individë.
Irena Zdravkova nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj thekson se, bazuar në monitorimet e tyre në institucionet korrektuese të RMV-së, kushtet janë të paqëndrueshme dhe mund të thuhet se arrijnë deri në një nivel trajtimi johuman dhe degradues. Sa i përket resocializimit në institucionet e ndalimit, është e qartë se ai nuk është i mjaftueshëm. Kjo ndodh për shkak të numrit të pamjaftueshëm të personelit në sektorët e resocializimit, mungesës së aktiviteteve të mjaftueshme që plotësojnë nevojat individuale të të dënuarve, dhe mosaplikimit të programeve të zhvilluara brenda vetë institucioneve.
“Sektori joqeveritar ka projekte, ku përpiqemi të punojmë drejtpërdrejt me të dënuarit përmes përdorimit të një programi kognitivo-bihejvioral që zbatohet nga psikologët. Aktivitetet në kuadër të projekteve përfshijnë zhvillimin e aftësive të buta dhe ndihmën për punësim, si dhe punëtori për zdrukthëtarë, e tjerë. Megjithatë, janë të nevojshme ndryshime sistematike dhe lidhje më të ngushta të sektorëve të resocializimit me Qendrat për Ndihmë Sociale dhe Agjencisë për Punësim të RMV-së për të ulur shkallën e recidivizmit”, vlerëson Zdravkova.
Kushtet joadekuate kanë ndikim të thellë në shëndetin psikologjik të të burgosurve
Sipas Fatime Ziberi nga Departamenti i Këshillimit Psikologjik në kuadër të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, kushtet joadekuate në burgje kanë një ndikim të thellë në shëndetin psikologjik të të burgosurve.
“Stresi, ankthi dhe depresioni janë të zakonshme në një ambient ku individët ndihen të izoluar dhe të braktisur. Mungesa e aktiviteteve rehabilituese dhe sociale e përkeqëson këtë situatë, duke e bërë të vështirë për të burgosurit të zhvillojnë aftësi të reja dhe të përgatiten për jetën jashtë mureve të burgut. Si pasojë, fatkeqësisht jemi dëshmitar edhe të ngjarjeve si tentime për ikje, tentime për vrasje dhe vetëvrasje, përleshje fizike mes të burgosurve dhe autoriteteve të burgjeve, e tjerë”, thekson Ziberi.
Sipas saj, procesi i resocializimit dhe reintegrimit është thelbësor për uljen e recidivizmit dhe për ndihmën e individëve që të përshtaten në shoqëri pas përfundimit të dënimit. Megjithatë, nëse kushtet e burgut janë të papërshtatshme dhe trajtimi i të burgosurve është joadekuat, ky proces bëhet shumë më i vështirë.
Ziberi potencon se individët që nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë aftësi sociale dhe profesionale gjatë qëndrimit të tyre në burg shpesh përballen me sfida të mëdha kur përpiqen të reintegrohen në shoqëri. Kjo është sfida më e madhe që përballen jo vetëm të burgosurit por edhe familjet e tyre. Për të arritur një proces efikas resocializimi dhe reintegrimi, është e domosdoshme që kushtet në burgje të përmirësohen dhe të ofrohen programe të përshtatshme që ndihmojnë të burgosurit të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të përballuar jetën jashtë mureve të burgut. Vetëm kështu mund të sigurohet një sistem korrektues që respekton dinjitetin e individëve dhe kontribuon në një shoqëri më të sigurt dhe më të drejtë.
Norvegjia, një shembull suksesi
Sistemi i burgjeve në Norvegji shpesh cilësohet si një nga më të mirët në botë, duke u fokusuar kryesisht në rehabilitimin, arsimimin dhe reintegrimin e të burgosurve në shoqëri. Kushtet e burgut janë humane, ku të burgosurit jetojnë në dhoma gjysmë-private dhe kanë mundësi për arsimim dhe trajnime profesionale. Sipas Shërbimit Korrektues Norvegjez, qëllimi është të sigurohet një ekzekutim i duhur i dënimeve, duke respektuar sigurinë e qytetarëve dhe duke u përpjekur për të parandaluar recidivizmin, duke mundësuar që të dënuarit, përmes iniciativës së tyre, të ndryshojnë sjelljen kriminale. Dënimi është një kufizim i lirisë dhe asnjë e drejtë tjetër nuk është hequr nga gjykata që ka shqiptuar dënimin. Prandaj, të dënuarit kanë të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër në Norvegji. Gjatë vuajtjes së dënimit, jeta brenda burgut duhet të jetë sa më e ngjashme me jetën jashtë tij. Shërbimet thelbësore për reintegrim ofrohen nga ofruesit e shërbimeve lokale dhe komunale, pasi burgjet nuk kanë personel të brendshëm për ofrimin e shërbimeve mjekësore, arsimore dhe shërbimet e bibliotekës. Këto shërbime janë të importuara nga komuniteti.
Në total, Norvegjia ka një kapacitet prej 3600 qeli në 58 burgje. Pothuajse 70% e tyre janë të sigurisë së lartë. Në Norvegji nuk ka pothuajse asnjë arratisje nga burgu dhe mbi 99% e të gjithë të burgosurve me leje të përkohshme kthehen në kohë.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.